Who’s who Dr. Tahsin Jonusi

Dr. Tahsin Jonusi (10 mars 1912 – 15 dhjetor 1944)

U lind në Elbasan, më 10.03.1912 (sipas një certifikate të vitit 1939). Në moshë të vogël, së bashku me familjen transferohen në Vlorë, ku kryhen edhe shkollimin bazë dhe të mesëm.

Studimet e larta i përfundon në Universitetin “Leopoldina Fransiscea”, në Innsbruck, Austri, në Fakultetin e Filozofisë. Diplomohet më vitin 1932 me rezultate të shkëlqyera. Universiteti i ofron studimet në doktoraturë. Në vitin 1937, pasi u nënshtrohet provimeve të ligjshme “në ditunin e Historisë dhe Arkeologjisë” dhe i merr “në mënyrë të lavdueshme”, fiton gradën shkencore “Doktor në Filozofi” me temën “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra”.

Në vitin 1937 kthehet në atdhe dhe zgjedh të jetojë në qytetin e rinisë, Vlorë. Tahsin Jonusi punon fillimisht si mësues. Më dt. 14.09.1943 emërohet drejtor në Institutin Tregtar të Vlonës, dhe më pas, për një periudhë kohe punon edhe si drejtor i Apolonisë (marrë nga “Pasqyrat e Afërditës”, me autor Dionis Qirzidhi). Një ndihmë të frytshme në punën e tij, Dr. Jonusi gjen në veprën dhe kontributin e arkeologut italian Piro Marcone, me të cilin e lidh edhe një miqësi e ngushtë, falë bashkëpunimit trevjeçar në kërkim të gjurmëve të vatrave arkeologjike të lashtësisë ilire në Velcë, Amantia, Himarë e Butrint (marrë nga “Rilindasi i Vlorës, Ibrahim Abdullahu”, me autor Bardhosh Gaçe).

Gjatë viteve të studimit, por dhe më pas, Tahsin Jonusi ka qenë vazhdimisht i pranishëm në shtypin e kohës. Kontributet lidhen, kryesisht, me tema që kanë të bëjnë me profesionin e tij, arkeologjia dhe historia e Shqipërisë, por synimi gjithnjë i njëjtë: të përçonte te njerëzit po atë dashuri që ai vetë kishte për vendin. Shumë nga këto shkrime ende flenë në arkivat e dy shteteve, Shqipërisë dhe Austrisë, dhe sigurisht në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht, por një gjë është e sigurt: ofrimi i tyre për lexuesin dhe studiuesin shqiptar, si dhe atë gjerman, ndihmon në rritjen e krenarisë kombëtare dhe pasuron bibliotekat me analizë cilësore. Ndërkohë, Fondacioni “Henrietta Leavitt”, në bashkëpunim me familjen, kanë zbardhur dhe postuar në faqen e fondacionit (www.fhl.org.al) një nga punimet e tij, me titull “Topografia e Leshit (Lissos) dhe historia e tij”, botuar në revistën Kombi (Drejtor Ali Kuçi), në numrin e muajit shkurt, 1938. Së shpejti, lexuesi i sotëm do ketë në dorë edhe shkrimin “Dodona dhe mali i Tomorrit”.

Në moshën 30 vjeçare (viti 1942) martohet me vajzën e patriotit Ibrahim Abdullah Nota (njëkohësisht kryetari i parë i Bashkisë së Vlorës). Nga kjo martesë erdhën në jetë dy djem, Mentori dhe Nestori, të cilët nuk arritën ta njihnin të atin, pasi i la në moshë fare të vogël: Mentorin rreth dy vjeç dhe Nestorin vetëm një vjeç.  

Më 01.08.1944 e internojnë në kampin e internimit, në Mauthausen, Gjermani, ku edhe ekzekutohet më 15 dhjetor 1944. Ishte vetëm 32 vjeç!

Është për t’u theksuar, se për shkak të origjinës tregtare të familjes, sistemi komunist e trajton me ashpërsi familjen. Vepra dhe kontributet e këtij heroi kurrë nuk morën shpërblimin e merituar.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.