who’s who – Ardian Isufi

Ardian Isufi (1973) është diplomuar në Akademinë e Arteve të Tiranës në vitin 1995, në Atelienë e Grafikës. Nga viti 1996 dhe në vazhdim është pedagog dhe mban titullin akademik Prof. Asoc. në Atelienë e Grafikës. Aktualisht është dekan në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve, Tiranë.

Ka marrë pjesë në shumë veprimtari artistike kombëtare dhe ndërkombë-tare si në Itali, Greqi, Francë, Austri, Kinë, Amerikë etj.

Veçojmë: Ekspozita “Parking” 2008 dhe Bienalja e Tiranes 2009, “Balena që u bë nëndetëse” Muzeu Ludwig, Budapest 2016.

Ardian Isufi është fitues i Çmimit të Tretë, në vitin 2005, në Konkursin Ndërkombëtar të Arteve Pamore “Onufri” dhe fitues i Çmimit të Dytë më vitin 1996. Krijimtaria e tij artistike është pjesë e shumë koleksioneve private në Shqipëri, Itali, Greqi, Austri, Amerikë etj., sikundër edhe e koleksionit permanent të pavionit të pas viteve 90-të në Galerinë Kombëtare të Arteve,Tiranë.

Kurator i shumë ekspozitave dhe aktiviteteve artistike, si ekspozita “FJALA” Tirana – New Orleans, SHBA, dhe “Spaç” Objekte-Subjekte të shkrimtarit dhe publicistit Fatos Lubonja.

  • Më vitin 2002 realizon ekspozitën personale “Ndjeshmëria Humane” në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë.
  • Cikli “Fragmente 2003-2005”
  • Në vitin 2008, realizon “Fjalori Jeshil” dhe “Shenja Humane” në Ambasadën Gjermane, Tiranë, ku autori fokusohet në hulumtimet artistike të marrëdhënies ndërmjet trupit të njeriut (individit) dhe realitetit absurd, si dhe presionin e ushtruar mbi individin në një atmosferë të pasigurt dhe të paqëndrueshme, si në kontekstin shoqëror ashtu edhe në atë social-politik.

“Umbrarum Theatrum” (Teatri i Hijeve) vjen përgjatë vitit 2010 me dy prezantime: në Galerinë FAP dhe në Galerinë ZETA në Tirane, paraqitje kjo ku rrëfen artistikisht copëza historie dhe identiteti që reflektojnë mbi periudha dhe ngjarje, si metafora e “monumentit” fantazmagorik të mitit që përfaqeson në periudhën e diktaturës “njeriun e ri.

“Vdekja e Artistit”, performanca e realizuar në ekspo “Mjedis” – Galeria e Vogël, merr shkas nga kjo pikënisje pikëpyetjesh me anë të një gjesti simbolik të mbytjes të vetë artistit.

O.P. (Objekt i Paidentifikueshëm) është projekti artistik që ky artist paraqet në Galerinë Promenade, Vlorë, 2012. Oxhak fabrike & minare xhamie: vepra flet per “tranzicionin e besimit”, që në këtë rast shpjegohet nga ky objekt kolazh historie, politike dhe feje për të diskutuar artistikisht problemet e integrimit të kulturave, religjoneve, të lirive e të drejtave të individit!

ANTIHOMAZH” në vitin 2015 realizon solo-show në instalacion me maskën e diktatorit komunist Enver Hoxha, ku kontakti me maskën-portret na shtyn në një kontakt psikologjik. Mimika apo gjestikulacioni emocional i portretit të çdo vizitori do të dokumentohet si ANTIHOMAZH me historinë tonë të diktaturës dhe për këtë arsye, rruga e kontaktit përballë kësaj “maske vdekje” do të jetë nëpërmjet një tuneli mental, që do të instalohet si labirinth i përroit psikologjik në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.