Ushtria dhe përshtatja

Ilirjan Kristo

Tregim, nga Ilirjan Kristo

Më 3 janar 1978 më thërritën ushtar. Kisha dëgjuar shumë dhe e prisja me “tmerr”. Por nuk qe e thënë! Fati im, që në të njëjtin vend ku do të shkoja, ishte një shok i ngushtë nga Polikumi, Besnik Alimehmeti. Dita e parë ishte pothuaj e bukur. Ushtarët e vjetër më pritën shumë mirë. Të mos harroj që kishte nga ata që denjuan të më jepnin edhe kurajë, tironsa si puna ime, nga të cilët disa i njihja si fytyrë dhe të tjerë edhe me emra.

Por mbaroi shumë shpejt dhe filloi tjetra, ajo e vërteta, që kishte emrin “përpjekja për përshtatje” dhe nuk mbaroi asnjëherë, deri në fund të ushtrisë.

Kur je ushtar, puna e parë është të mësojnë si të përshtatesh, do apo nuk do, varet sa të pëlqejnë vuajtjet. Pa leksione! Asnjë nuk të flet për këtë temë! Dhe fillon që kur të vjen ajo fleta e vogël për t’u paraqitur. Por kjo është një histori tjetër. Në rastin tim, gjithçka ishte e qartë: “Sa më shpejt, aq më mirë”. Për më tepër, që vullneti për gjëra të tilla nuk më ka munguar. U përshtata me fjetjen dhe zgjimin me komandë, me lodhjen dhe rutinën e përditshme, me mungesën e familjes dhe të miqve. Por ngeca te ushqimi. Problemi im i përjetshëm. Gjithsesi, edhe këtu përsëri me fat. Ushtria ime ishte në Kinostudio, në Tiranë dhe në grupin tonë kishim disa ushtarë nga fshatrat përreth, që i kishin sjellë aty. Të gjithë me mik, për më tepër që për vetëm dy vjet. Dhe ata sillnin ndonjë gjë, që sot mund të thuhet me kuptimin e plotë të fjalës “bio”.  

Në takimin e parë më bëri përshtypje Petrit Sinani, trupvogël, me shumë humor dhe akoma më shumë punëtor. E kishin caktuar bojaxhi. Më pas fillova të njoh edhe të tjerët. Et’hem Grori e merrte çdo gjë seriozisht dhe jo më pak edhe Pëllumb Agaraj, lapraks. Por vetëm Besnikut ia besoja vlerësimet e mia. Dhe të qeshurën. Edhe kjo ishte pjesë e përshtatjes. Mëngjesi fillonte me hap ushtarak dhe këngë partizane për në mencë. Dhe me zërin e lapraksit, Pëllumb Agaraj, që dëgjohej mbi të tjerët. Që nuk i vajti kot: shumë shpejt e caktuan në mencë, “Shpërndarës i ushqimit”. I qeshte fytyra kur ndante groshet dhe supën në darkë.

Në mencë kishim një renditje pak më ndryshe. Afër kisha një ushtar nga Sallqeti, Jakup Shaba, që kishte mbaruar pedagogjiken dhe për një periudhë kohe kishte punuar si mësues. Besniku e donte shumë dhe prej atij fillova ta shoh edhe unë ndryshe. Mbas një muaji që tallesha përditë me llojin e bukës që na jepnin dhe nuk e haja kurrë, Jakupi më merr veçan dhe më thotë: Të keqen vëllai, mos u tall me bukën. Unë jam fshatar. Në fshatin tim prodhojmë grurë dhe hamë bukë misri. Respekt për bukën dhe për ata që e prodhojnë. Më bëri përshtypje toni dhe mënyra si më shihte kur më fliste. Në fund i thashë: “Të jap fjalën që nuk do ta hedh më!”. Edhe sot e kësaj dite e kujtoj vërejtjen e mikut tim të mirë, Jakup Shaba.

Mbas një muaji ushtar kisha marrë 6 muaj “ndalim kazerme”. Sepse përsëri nuk më rrinte goja rehat. Nuk kishte lidhje me bukën, por me përshtatjen.  

Reparti ynë ishte repart ndërlidhje. Komandanti që na mësonte alfabetin Mors ishte tifoz me Dinamon.

Një ditë, më thotë: Shiko, Mujo Targaj është bërë si Tardeli, i Juves, nga mbrojtës po luan në mesfushë.

Këtu mësova një leksion tjetër për përshtatjen. Vazhdimi i historisë është i bukur, ndërsa fundi i kuptueshëm, por po e them:

Nuk durova dhe iu përgjigja: I ke mentë në rregull? Tardelli është lojtar bote, kurse ai Mujo jot është katunar tepelene (të më fali Mujo sot).

Gjithë ushtarët filluan të qeshin, ndërsa komandant Landi u egërsua. Nuk e priste që ndonjë nga ushtarët t’i përgjigjej në atë mënyrë! Pa le të tallej! Por unë e pëlqeja shumë Tardelin! E kisha ndjekur që kur luante me Comon, në kategorinë e dytë. Edhe sot e kësaj dite, duelin e tij sportiv me Kevin Keegan, në nëntor 1977, e mbaj si më të mirin të të gjitha kohërave. Ditën tjetër Petrit Sinani më vuri pseudonimin “TARDEL” dhe sot e kësaj dite jo vetëm që të gjithë më thërrasin Tardel, por ka nga ata që kujtojnë se ky është emri im i vërtetë. Pas kësaj e kishte radhën 6 muaj “ndalim kazerme”.

Fundi i përshtatjes së vjetër

Një ditë isha në shërbim dhe po dëgjoja Kampionatin Italian në radion time “Fatosi”. Jakupi më afrohet dhe më pyet: Çfarë thonë? 

Marco Tardelli

Unë i them: San Siro është mbushur plot dhe nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Sot Tardeli është në shërbim, por do vij një ditë që edhe ai do ulet në rradhët e stadiumit San Siro! Nuk vdes pa e takuar Tardelin origjinal!

Jakupi filloi të qeshë me të madhe. Takon Besnikun dhe i thotë: Si e mban për shok të ngushtë atë. Ai është i çmendur! Por Besniku që më njihte, i përgjigjet: Shabe, po i tha mendja ndonjë gjë Tardelit, ose e bën, ose vdes!

Besniku nuk jeton më, por sa herë luan Juvja dhe Tirona e kujtoj.

Fati (?) e deshi që vërtet ta takoj Tardelin origjinal! Dhe sigurisht, që përsëri nuk më ndenji goja rehat: Në Tiranë ka shumë tifoza të Juves dhe të Italisë. Ty të duan shumë. Po erdhi ndonjë nga miqtë e mi nga Tirana, je gati t’i takosh?

Tardeli origjinal më hodhi dorën në sup dhe m’u përgjigj: Derisa janë miqtë e tu, janë edhe të mitë. Bëju të fala të gjithëve prej meje!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.