Posts

Zgjedhjet në Partinë Demokratike: 75 mijë anëtarë votojnë sot për kryetarin e ri

Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës në Shqipëri, zhvillon sot, datë 13 qershor 2021, zgjedhjet për kreun e ri të saj. Zgjedhjet kanë nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në orën 19:00, për të vijuar me numërimin e votave më 19:30. Sipas burimeve të Partisë Demokratike, brenda orës 08:00 të ditës së nesërme pritet edhe rezultati.

Në garë për të drejtuar partinë janë kreu aktual i PD, Lulzim Basha, si dhe tre demokratë të tjerë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

Janë 75 mijë anëtarët e PD, që pritet t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave ata do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin. Sipas udhëzimit, duhet të zgjedhin vetëm 1 prej kandidatëve, pasi vota e tyre do të jetë nul nëse votojnë për më shumë se një prej katër emrave në garë. Në fletën e votimit, Fatbardh Kadilli është i renditur i pari, e pas tij Edith Harxhi, Agron Shehaj e Lulzim Basha.

Procesi i votimit deri më tani vijon i qetë në të gjitha qarqet, ndërsa pak më parë ka votuar kreu aktual i PD, Lulzim Basha në selinë qendrore në Tiranë.