Posts

Ermal Meta – “Komentet raciste për origjinën nuk janë shqetësim për mua, por duhet të jenë për shoqërinë ku jetojmë”

Ermal Meta, këngëtari italian me origjinë shqiptare, që në dy pjesëmarrje në festivalin e San Remos ka korrur vetëm suksese – ka arritur të fitojë dy çmime të lakmueshme nga çdo artist – ka postuar një video të gjatë, pas disa komenteve raciste në rrjetet sociale për origjinën. Mënyra e reagimit, si dhe trajtimi i komenteve negative jo në rrafshin personal, por në atë social, duket se ka bërë për vete ndjekësit, që krahas këngëtarit të talentuar dhe artistit të madh, gjejnë te Ermal Meta edhe njeriun!

“Po të dinit historinë e Shqipërisë edhe ju do ishit krenarë si unë, Ermal Meta” – shprehet kantautori.

Ermal Meta ka publikuar një video të gjatë lidhur me komentet që ka marrë për pjesëmarrjen e tij në “Sanremo”. Në përgjigjen e tij, këngëtari me origjinë shqiptare falënderon të gjithë ata që e vlerësuan për këngën. Por ndalet edhe në disa komente – shumica prej të cilëve nga djem njëzetvjeçarë, që në llogaritë e tij në rrjete sociale, shprehen në forma, si: “Kthehu në vendin tënd”; “Këndo andej nga ke ardhur”; “Ti nuk i përket Italisë”.

Por Ermal Meta përgjigjet:

“Këto komente nuk më prekin fare! Por dëshiroj të ndaloj tek to se nuk më duket aspak e drejtë, që persona që janë shumë më të rinj se unë të më drejtohen në atë mënyrë, kur unë jam në realitet më shumë italian se ata, sepse jetoj në këtë vend prej më shumë vitesh, pavarësisht se kam ardhur nga një tjetër shtet. Është e çuditshme që këtë diskutim po e bëj në vitin 2021!

Më pëlqejnë polemikat… Ajo që dua të theksoj është se kur bëhen komente të tilla dhe të mos reagosh, i bën të duken normale. Të flasësh ashpër e t’i përmendësh origjinën dikujt nuk është aspak normale. Ne jetojmë të gjithë nën një qiell, të gjithë kemi një ndërgjegje të përbashkët kolektive. Kjo është urrejtje që unë nuk e pranoj dot sepse është idiotësi…

Në fund dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështesin dhe më ndjekin, sepse më duan. Ndërsa për ju të tjerët kam vetëm diçka për t’iu thënë: nëse do dinit vetëm fare pak nga historia e vendit nga unë vij, do ndiheshit krenar, njësoj si unë. Jam krenar për rrënjët dhe gjakun tim, e nëse ju do i njihnit do ndiheshit krenarë që i keni fqinj. Ju ftoj të lexoni historinë e tyre dhe do mbeteni të mahnitur.”

Faleminderit Ermal Meta! Për të qenit, në radhë të parë, njeri!