Posts

Matura Shtetërore / Dy realitete – Shqipëri dhe Suedi

Maturantët e vitit shkollor 2020-2021, që po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit, për tezat e ndërlikuara dhe me përkthime të pakuptueshme të provimit të matematikës të Maturës Shtetërore, janë ulur këmbëkryq duke pritur një reagim nga ministrja Evis Kushi. Të tjerë si ata janë ulur në sheshet përpara drejtorive arsimore në qytetet e tyre duke pritur një përgjigje.

Provimin e matematikës që e kanë dhënë dje, ata e kanë cilësuar si shumë të vështirë dhe kërkojnë që të rishihet mënyra se si do të vlerësohen nga Ministria e Arsimit. Të vjen keq që për të dytin vit radhazi na duhet të përballemi me të njëjtin fenomen!

Krejt e kundërta ndodh me bashkëmoshatarët e tyre në vende të tjera. Më poshtë është një foto nga festa që kanë organizuar bashkëmoshatarët e tyre në Suedi, hedhur në rrjetin social Facebook nga Shefqet Bunjaku.

Festa e përfundimit të studimeve të shkollës së mesme në një gjimnaz të Suedisë!

Matura Shtetërore 2021/ Përsëri maturantët të pakënaqur me tezën dhe hartojnë peticion

Edhe sivjet Matura Shtetërore paraqitet problematike për maturantët. Ndonëse për më shumë se dy vjet mësimi po zhvillohen në kushte të pazakonshme, për Ministrinë e Arsimit fjala “empati” nuk ekziston. Sipas maturantëve, provimi i matematikës, i dyti në radhë në kuadër të Maturës Shtetërore, ka qenë më i vështirë se sa modeli që u është dërguar.

Maturantëve u ka dalë në mbrojtje “Bordi Kombëtar Studentor”, krijuar datë 8 maj 2021. Në lidhje me këtë pakënaqësi, “Bordi Kombëtar Studentor” ka paralajmëruar protesta në të gjithë vendin. Ndërkohë, ka hartuar edhe një peticion, që brenda 30 minutash është nënshkruar nga më shumë se 30000 persona.

Njoftim i “Bordit Kombëtar Studentor”

Provimet e Maturës 2021 janë zhvilluar në kushtet e një pandemie ku edhe gjendja emocionale e maturantëve nuk ka qënë adapt për të zhvilluar dhe për të kuptuar mësimin në mënyrën e duhur. 

Shumë shkolla të mesme e kanë kryer mësimin plotësisht online për një periudhë të gjatë kohore dhe kanë arritur të thithin shumë pak nga kjo formë e të mësuarit. 

Ministria e Arsimit erdhi në një deklaratë ku u shpreh se vështirësia e provimeve të Maturës do të jetë më e ulët për të ndihmuar kështu sadopak maturantët të cilët janë gjendur në këtë situatë të vështirë.

Provimi i Matematikës, i Maturës Shtetërore 2021, i realizuar më datë 11 qershor, rezultoi se nuk ishte brenda këtyre linjave që Ministria e Arsimit vendosi. 

Problematikat kryesore ishin dy:

  1. Koha prej 2 orë e 30 minuta ishte e pamjaftueshme për të zgjidhur të gjithë provimin;
  2. Pyetjet ishin të hartuara në mënyrë komplekse dhe tejet të ngatërruara;

Në këtë situatë, Bordi Kombëtar Studentor i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që të bëj rivlerësim të pikëve të nevojitura për të marrë notën 10.00, ku nga 60 pikë që është aktualisht, ky prag të ulet në 50 pikë. 

Kjo kërkesë e jona është e panegociueshme dhe kërkojmë të plotësohet sa më parë.

BORDI KOMBËTAR STUDENTOR

_

Kush është “Bordi Kombëtar Studentor”

Bordi Kombëtar Studentor është një grupim i cili përbëhet nga studentë të të gjithë universiteteve të Shqipërisë, por është i pavarur nga strukturat e tyre të brendshme. Kërkesat dhe rekomandimet që nxirren nga ky grupim përfaqësojnë vetëm qëndrimet e studentëve që janë të anëtarësuar në Bord.

Bordi Kombëtar Studentor ka si veprimtari të tij mbledhjen dhe ndarjen në grupe të të gjithë studentëve të universiteteve shqiptare, në mënyrë që të formohet një asamble ku çdo student dhe universitet të përfaqësohet në mënyrë të paanshme dhe të pavarur nga instancat e universitetit ku bën pjesë. Në thelb të tij, Bordi Kombëtar Studentor ka si qëllim t’u mundësojë studentëve të shprehin opinionet dhe nevojat, të diskutojnë me njëri-tjetrin, dhe më pas t’i materializojnë këto nevoja në kërkesa dhe rekomandime konkrete drejtuar instancave përkatëse.

Bordi Kombëtar Studentor ngrihet mbi 3 shtylla: KOMUNIKIM, ADVOKIM, NDRYSHIM.