Posts

Pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout / Policia plan masash për rendin dhe sigurinë, kufizohet lëvizja në disa rrugë. Apel qytetarëve t’i respektojnë

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka marrë një sërë masash për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas pelegrinazhit. Masat e marra kufizojnë lëvizjet sot, datë 12 qershor 2021 dhe nesër, datë 13 qershor 2021:

Nga ora 08:00 datë 12.06.2021 deri në orën 24:00 datë 13.06.2021, do të kufizohen disa segmente rrugore mbi lëvizjen dhe parkimin e mjeteve të cilët janë:

  • “Nga Kryqëzimi i Gjykatës – Kisha e Shna Ndout”
  • “Nga Kryqëzimi i Poliklinikës – Kisha e Shna Ndout”
  • “Nga Kryqëzimi i Gjimnazit – Kisha e Shna Ndout”
  • “Nga Pallati 113 – Kisha e Shna Ndout”

Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjete të transportit publik (autobus/ taxi) të licencuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Laç, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore, mjetet e emergjencave civile, zjarrfikësja, ambulanca dhe policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, të përdorin akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi, do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë rrugore.

  • Nga Kryqëzimi i Gjimnazit deri te Kryqëzimi i Varrezave do jetë rrugë vetëm për këmbësorët.
  • Nga Mbikalimi i Patokut për në qytet Laç nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të lartë pasi bëhen shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor.
  • Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç. Nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve.

Policia e Lezhës, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve si dhe pelegrinëve përdorues të rrugëve për tek Kisha, drejtues mjetesh apo këmbësorë, që të respektojnë dhe të ndjekin komunikimet e punonjësve të policisë në lidhje me drejtimet e lëvizjeve apo parkimet e mjeteve, një ndihmë kjo në menaxhimin e fluksit të lartë për një mbarëvajtje sa më të mirë të pelegrinazhit.

Duke falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe mediat për bashkëpunimin, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë.