Posts

Nikos Kazanxaqis “Ja vdekje, Ja liri”

“Ja vdekje, ja liri!” Autor Niko Kazanzaqi, Përktheu Enver Fico

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1973

Nikos Kazantzakis është shkrimtari më i lexuar, falë universalitetit të veprës dhe faktit që kultivoi pothuajse të gjitha llojet e letërsisë. Në vitin 1954, romani i tij “Zorba” u shpall romani më i mirë i huaj botuar në Francë.

“Nuk shpresoj asgjë, nuk i frikësohem kujt, jam i lirë” – epitaf në varrin e Kazantzakis, marrë nga libri i tij “Asketika” (1927).

Nikos Kazantzakis u lind në Iraklio (Irakleio) të Kretës më 18 shkurt 1883, në kohën kur ishulli i Kretës vijonte të ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe vdiq më 26 tetor 1957 në Frajburg (Freiburg) të Gjermanisë. Vinte nga një familje atdhetarësh dhe tregtarësh; i ati ishte figura legjendare e Kapedan Mihalit, të cilin e përshkruan në veprën e tij “Ja vdekje, ja liri”. Studimet e para i merr në vendlindje, ndërsa në ishullin Naksos (Naxos) ndjek gjimnazin francez, ku erdhi në kontakt me kulturën dhe gjuhën franceze dhe italiane. Në Athinë mbaron studimet për drejtësi me rezultate të shkëlqyera. Kazantzakis udhëton shumë dhe produkt i tyre janë shënimet e udhëtimit, një formë letrare sui generis, ndoshta prodhimi i tij më cilësor estetik, edhe pse, në krye, u përdorën si shkrime dhe korrespondenca publicistike për nevoja të shtypit politik të kohës. Për një kohë të shkurtër (1945-1946) u emërua ministër pa portofol dhe më pas punoi edhe si punonjës i UNESCO-s (1947-1948) për promovimin e letërsisë klasike. Kazantzakis u kandidua dy herë për Çmimin Nobel (1947, 1950), por nuk e fitoi; poet, shkrimtar, prozator, eseist, kritik letrar, publicist, përkthyes i letërsisë, dramaturg, politikan etj.

Paragrafi 1, shkëputur nga libri “Ja vdekje, Ja liri”

Ata i kishin kullufitur të gjitha vezët, me gjithë guaska. Atëherë Kapedan Mihali e theu vorbën prej balte me një të goditur me grusht dhe ua shpërndau copërat shokëve të tij. Bertoldoja mori pjesën që i takonte e, duke u dredhur nga frika, u ngjit mbi një fuçi.

Kretasit kafshonin baltën e vorbës, përtypnin një gotë, e shndërronin në zall, pastaj në baltë, dhe e gëlltisnin duke qeshur me të madhe. Bertoldoja, i përkulur mbi ta, i vështronte të mbllaçiteshin, me sy të zgurdulluar.

Bertoldoja e kuptonte tani se kishte tre lloj njerëzish: ata që i hanë vezët pa guaskë, ata që i hanë me guaskë dhe ata që, pasi i kanë ngrënë me gjithë guaskë, hanë edhe vorbën që i mbante brenda. Këta të fundit quhen kretas…”

Paragrafi 2, shkëputur nga libri “Ja vdekje, Ja liri”

Ka popuj, njerëz, që i bëjnë thirrje zotit me anën e lutjes dhe të të qarave, të tjerë me anën e durimit dhe të nënshtrimit, të tjerë me blasfemi. Kurse kretasit e thërresin me të shtëna pushke. Ata vendosen te porta e zotit dhe shtien me pushkë, që t’i dëgjojë ai. “Rebelim!” sokëllin sulltani, që i ndjen i pari krismat dhe, i xhindosur, dërgon pashallarë, ushtarë dhe hunj me majë të mprehtë. “Paturpësi!” thërresin evropianët dhe hedhin koracatat e tyre të hekurta kundër anijeve të vogla e të dobëta në mbytje e sipër midis Evropës, Azisë dhe Afrikës. “Durim dhe kujdes, mos më mbytni në gjak!” lutet Greqia e gjorë. “Ja vdekje, ja liri!”, përgjigjen kretasit dhe trokasin te porta e Zotit.

Bibliografia në shqip e autorit

  • Ja vdekje ja liri, Καπετάν Μιχάλης, ΛευτεριάήΘάνατος, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Fico, Enver, Tiranë, Naim Frashëri 1973, 1992.
  • Vëllavrasësit, Οιαδερφοφάδες, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Varfi, Nonda, Tiranë, Albin 1997.
  • Krishti kryqëzohet përsëri, ΟΧριστόςξανασταυρώνεται, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Qesko, Harrallamb, Tiranë, Albin 1998, Toena 2010.
  • Komedi, Teatër, Κωμωδία, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Hoxha, Teuta, Tiranë, Neraida 2000.
  • Zambaku dhe gjarpri, Όφιςκαικρίνο, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Mero, Leonard, Tiranë, Onufri 2000.
  • Heronjtë e mi – Biseda, Οιήρωεςμου, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Mero, Leonard, Tiranë, Onufri 2000.
  • Letër El Grekos, ΑναφοράστοΓκρέκο, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Gubera Miço, Tiranë Uegen 2001.
  • Zorba, ΒίοςκαιπολιτείατουΑλέξηΖορμπά, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Rrahmani Nazmi, Prishtinë, Rilindja 1978.
  • Zorba, ΒίοςκαιπολιτείατουΑλέξηΖορμπά, ΚαζαντζάκηςΝίκος, shqipëruar nga Dajo, Stavri, Tiranë, Albin 1996, 2001.
  • Asketika, ΗΑσκητική, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Dibra, Klodeta, Tiranë, Albin 2002.
  • Kazanzaqis dhe Zorba – miniantologji, ΟΚαζαντζάκηςκαιοΖoρμπάς- Μινιαντολογία, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Hoxha, Teuta, Tiranë, Neraida 2002.
  • Udhëtoj nëpër Japoni dhe Kinë, ΤαξιδεύονταςΙαπωνία-Κίνα, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Dino, Mimoza, Tiranë, Dudaj 2003.
  • Udhëtim në Malin e Shenjtë, Οφίλοςμου, οποιητής, ΚαζαντζάκηςΝίκος, shqipëruar nga Çollaku, Romeo, Ti-ranë, Zenit 2013.
  • Udhëtim nëpër Itali, Egjipt, Sinai, Jerusalem, Qipro, More, ΤαξιδεύονταςΙταλία, Αίγυπτος, Σινά, Ιερουσαλήμ, Κύπρος – Μοριάς, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Maklena Nika, Tiranë, Toena 2014.
  • Tundimi i fundit, Οτελευταίοςπειρασμός, Καζαντζάκης, Νίκος, shqipëruar nga Çollaku, Romeo, Tiranë, Pegi, 2015.