Synopsis: Gjiganti i madh i mirë

Refleksione rreth librit nga Brikena Çabej

Autor Roald Dahl

Shqip: Naum Prifti

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë: 1990.

Letërsia humoristike angleze është dalluar gjithmonë për një humor të veçantë, tipik që, po aq sa të bën të qeshësh të bën edhe të biesh në mendime. Romani “Liza në botën e çudirave” i Ljuis Kerrëllit është një shembull tashmë klasik ku del në pah ky tipar i kësaj letërsie. Në vazhdën e kësaj tradite është edhe romani GJMM i Roald Dahlit.

Ashti si te “Liza”, edhe në qendër të këtij romani-përrallë është një vajzë e vogël, Sofia, e cila papritur ndeshet me rrethana që duket sikur e nxjerrin atë jashtë botës reale, në vendin e gjigantëve. Sofia mëson aty plot gjëra të çuditshme, sidomos zbulon në fshehtën e plot të këqijave që ngjasin në botë. Ashtu si Liza, ajo çuditet dhe zbavitet, por ndryshe prej saj, vendos të veprojë. Pra, autori e bën Sofinë jo vetëm të konstatojë se bota është plot të këqija e padrejtësira, por edhe të luftojë kundër tyre. Qëllimi i Dahlit këtu është i dyfishtë: duke nxjerrë në plan të parë mbretëreshën si shpëtimtare, autori ironizon e tallet me të fuqishmit, me sundimtarët. Ata nuk shohin ç’bëhet, u dashka një vajzë e vogël, naive e pa asnjë mjet, që t’u çelë sytë për sa ndodh përreth. Dhe jo vetëm kaq, por edhe t’i mësojë si duhet të veprojn për ta luftuar këtë të keqe.

Nga ana tjetër, që në faqet e para të romanit, të rrëmben gjendja e nderë, ankthi që krijohet nga ato që i thotë GJMM Sofisë së vogël. Në një përshtypje të parë të duket pak si e tepruar përmendja e shpeshtë dhe përshkrimi me hollësi i “hynereve” të gjigantëve. Por kuptohet qartë se autori këtë nuk e bën për të spekuluar me ankthin e tmerrin. Dahli këtu s’vën gjë tjetër veçse vesh me një tis përrallor realitetin që fëmijët në botën e sotme shohin përditë në televizor: luftërat, krimet që kryhen rrugëve të qyteteve e plot tmerre që mass-mediat u kushtojnë aq vëmendje. Me këtë roman, Dahli i nxit fëmijët ta kundërshtojnë këtë gjendje, të përpiqen për të krijjuar për vete një botë më të mirë se ajo që po trashëgojnë nga prindërit. Duke i kurorëzuar me fitore këto përpjekje, autori kërkon t’u ngjallë atyre besimin tek e mira e jo vetëm kaq, por edhe t’i sigurojë se, po të përpiqen të luftojnë për një botë më të mirë (e pikërisht ata duhet ta bëjnë këtë) do t’ia arrijnë qëllimit. Që R. Dahli di ta thotë këtë duke i bërë ata për të qeshur, kjo është meritë e tij. Roald Dahli është një nga shkrimtarët bashkëkohorë për fëmijë më të lexuar vitet e fundit.

Roald Dahl ka lindur në Britanëninë e Madhe, nga prindër norvegjezë. Titujt e librave të tij, si për shembull “Çarli dhe fabrika e çokollatave”, “Baba dhelpra fantastik” janë bërë tashmë të famshëm. Por vepra më e dashur nga fëmijët e nga vetë autori është GJMM, botuar më 1982. Veçanësia e romanit GJMM janë lojërat e fjalëve që krijojnë në çdo çast situata komike shumë zbavitëse. Këto natyrisht nuk mund të përkthehen. Ato duhen krijuar sërish në gjuhën që sillen. Kjo e vështirëson së tepërmi punën e përkthimit të veprës, e nxirrte atë përtej kufijve të përkthimit. Duhej pra një shkrimtar, madje një shkrimtar humorist, që t’i krijonte ato sërish në shqip. Naum Prifti e mori përsipër me kënaqësi këtë punë dhe ia doli mbanë me sukses të plotë, duke e bërë GJMM të flasë shqip.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.