Sonata e lisit. Poezi nga Thimjo Nathanaili
Sonata e lisit. Poezi nga Thimjo Nathanaili
Botues: Streha, Tiranë, janar 2015 F. 48 Çmimi 500 lekë
Foto e ballinës kryesore: “Le chene”, Paul Cezanne
Për redaktorin e përmbledhjes me poezi, z. Zimo Krutaj, metafora udhëton në kohë, një udhëtim i nisur që nga koha e grekërve të lashtë. Thimjo ka qenë, me sa duket, në stacionin e duhur për ta bërë pjesë të krijimtarisë së tij. Poezitë përçojnë dashuri, mendim të thellë e filozofi. Në këtë përmbledhje veçojmë Ti yll nuk je, Lisi, Shpirti si detidhe Koha e njeriut ose “Fati i njeriut“. Poezitë janë shkruar gjatë vitit 2014.
TI YLL NUK JE…
Kur i dehur nga dashuria
Mes pasionit “yll” të thashë,
Isha i çmendur nga lumturia
Dritë pashë në sytë e tu, o vashë.
Por tek shkruaj mbi të bardhën kartë
Fjala “yll” tani s’më pëlqen;
Se është thjesht një masë e zjarrtë
Që mes territ të natës shkëlqen.
Sa larg prej nesh ndrin ylli! Miliona vjet
dritë për të shkuar tek ai;
Por ne të dy s’kemi veç një jetë
Dhe brenda saj vetëm një dashuri…
Si yllin nga larg nuk dua të të shikoj
Por dëshiroj të jesh përjetësisht me mua:
Të prek, të përqafoj, me puthje të të mbuloj
E zjarrin e mijëra yjeve të ndjej në buzët e tua.
Mars 2014
LISI
Nga lisi i lartë, i vjetër
Një gjethe e verdhë u shkëput,
U end, vallëzoi në ajër
Dhe u preh mbi tokën e butë.
Një erë e lehtë pas pak nisi,
Lisin e futi në drithërimë,
“Nuk ju mbaj dot” u ankua lisi
dhe gjethen e dytë nisi fluturim …
Ditë më pas lisi ish i zhveshur
Tokës ia kish falur gjethet një nga një,
E prapë i drejtë, krenar e i bukur,
Kur gjethe të blerta s’kishte më asnjë!
Në lisin e moçëm, të pafund, të Jetës,
Si gjethet e blerta jemi edhe ne:
Zverdhemi, vyshkemi nga ligji i Kohës,
Biem aty ku lisi ka rrënjët, në dhe…
Mars-prill 2014
SHPIRTI SI DETI
I madh, i pafund është ky det…
Kufijtë e shpirtit vallë kush i njeh?
Ngjyrat që deti përçon janë shumë
E kaltra është veç një, të tjerat pa fund!
Kështu dhe ngjyrat e shpirtit njerëzor
Larmi e pa fund, mozaik trillesh a s’janë?
Ja tani deti është i qetë, sikur fle
Në një heshtje solemne ai dremit.
Dhe befas sërish nga gjumi ai zgjohet
Fryhet, shkumëzon, oshëtin e tërbohet,
Si shpirti njerëzor që nga qetësia e paqja ikën
Tronditet, me shkulme, përzien gëzimin me frikën.
Deti, kryevepër e natyrës, sa i bukur:
Një mrekulli e shtrirë në pafundësi.
Ashtu dhe Zoti i madh tej vdekjes, o njeri
Krijoi shpirtin tënd që rron në përjetësi.
Prill 2014
KOHA E NJERIUT ose “FATI I NJERIUT”
Në viset e bukura buzë një deti të magjishëm
Na ishte një kohë, një kohë tepër e gjatë
Njerëzit jetuan siç mundën, jo siç deshën
Më thotë një mik: “ish kohë e zezë, veç natë…”
Mbase ke te drejtë miku im, fati yt,
jeta jote, vërtet ka qenë e zezë, veç natë
U dhunove, u burgose, të morën lirinë
Ndaj mendon se populli ish rob, ish sakat;
Nuk dua të ta shtoj në shpirt mërzinë,
Pse jeta me ty u tregua brutale, e egër.
Të mori gëzimet, ëndrrat, rininë
Mëshira tash s’ka vlerë, se s’ka jetë tjetër.
Koha e errët është e shekullit që kaloi
Në histori është gjysma e dytë e saj
Në këto troje ky popull eci e dikur vrapoi
Endërroi të ardhmen që do vinte paskëtaj.
Por koha që iku s’ishte veç e zezë
Për shumë prej njerëzve ish e bardhë;
Se e tillë, miku im, jeta është
Kohët me fat janë si të detit valë.
E thjeshtë, e varfër, e bukur, intime
Fëmijëria jonë ka qenë, me lojëra pa fund;
Pastaj shkolla, me libra, fletore, provime
Ashtu siç jetohet kjo moshë gjithkund.
Rininë, ah, rininë, i dashur mik
E jetuam siç mundëm, jo siç deshëm
Me pak hapësirë, dashuri, sport…
Veç njerëzit i deshëm vërtet, jo rrejshëm.
Sa herë kam qeshur, fort, me shpirt,
Kur ti, zemërplasur me lot ke qarë.
Kam përjetuar veç jetën time, të miat ditë
Jetën e tjetërkujt s’kam prekur, s’kam ngarë.
Në gëzime e dasma kemi kënduar, kërcyer
Të dehur nga rakia, hequr këmbën zvarrë;
Ashtu, si në heshtje, kokulur, me lot, zemërthyer
Të dashurit e shokët kemi përcjellë në varr.
Me ty dua të jem i sinqertë i dashur mik:
Të keqen, padrejtësinë, e kam urryer kaherë,
Ata që pas krahëve ty të quanin “armik”,
Sot prap’ gënjejnë, për kohën vjellin “vrer”!
Të lutem, mos kërko asnjëherë
“Kohën” qe jetuam ta shaj, ta përbalt;
Ato që thamë, i menduam dhe i bëmë
“Mirë” apo “keq” i gjykon veç Ai lart!
Më në fund të jesh i qetë, miku im:
Të kam dashur në “kohën” dje dhe sot.
Të keqen e kam luftuar tërë jetën me fjalë
Ndoshta kot, se me dritë e errësirë është kjo botë.
Shtator 2014
Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!