Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Profil kulturor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Profil kulturor

E vetmja karakteristikë e shquar që kam qenë i aftë të zbuloj në karakterin amerikan është dashuria për ujin e ftohtë

Mark Twein

Sipas Moran R., T. et al. (2007:678-90), trendi në shoqërinë amerikane ka të bëjë me fjalën “doing”. Për amerikanët ka rëndësi koha, organizimi dhe përdorimi i burimeve. Marrëdhëniet shoqërore karakterizohen nga informaliteti dhe presupozohet që të gjithë janë të barabartë. Amerikanët motivohen nga arritjet dhe performanca. Identiteti personal i një amerikani, deri një një farë mase, formësohet nga arritjet individuale. Për ta bota është materiale dhe pak ose aspak shpirtërore. Çdo amerikan e sheh vetveten si individ i veçantë.

Për antropologen Margaret Mead (cituar nga Moran), amerikanët kanë pikëpamje të ndryshme nga britanikët. Pra, nëse njihni britanikët, mos mendoni se jeni ekspert edhe në çështjet amerikane. Nëse një amerikan e pyesin “Cila është ngjyra juaj e preferuar?” përgjigja shoqërohet me përcaktimin e pohimin e ngjyrës së parapëlqyer; nëse i drejtoheni një britaniku me të njëjtën pyetje, përgjigja ka shumë gjasa të ketë përsëri formën e një pyetjeje: “Ngjyrën e preferuar të kujt, të një luleje?” Konkluzioni i Mead është se amerikanët kërkojnë të futen në një emërues të përbashkët.

Amerikanët kërkojnë një shoqëri të fortë institucionalisht dhe të sigurt, si dhe mënyrat më të mira, më të lehta dhe më efiçente të performancës; karakterizohen nga një etikë e fortë në punë; nuk pëlqejnë mbretërinë dhe klasat, por respektojnë pushtetin dhe begatinë. Ndonëse janë informalë në veshje dhe përshëndetje, kanë kulturën e moskontaktit: përpiqen të ruajnë distancë fizike e psikologjike me bashkëfolësin.

Kultura amerikane vlerëson shumë aftësitë verbale. Në këtë lloj kulture, e njohur ndryshe edhe si kulturë me kontekst të ulët (Hall, 1976), mesazhet verbale janë normale e specifike, tentojnë të jenë të detajuar dhe të përdoren sa më shumë. Logjika dhe arsyetimi shprehen me anë të folurit. Në bisedë nuk ka vend për heshtje, pasi lidhet me emocione negative dhe nënkupton kritikë, konfuzion a qësëndisje. Një kulturë të tillë manifestojnë edhe Gjermania, Kanadaja e Zvicra.

Në kontrast, në kulturat me kontekst të lartë (Japonia, Tajvani dhe, në përgjithësi, shumë vende në Azi) një pjesë e mirë e informacionit transmetohet nëpërmjet kontekstit fizik, ose gjendet e materializuar te individi. Këto kultura janë shumë të ndjeshme ndaj mesazheve joverbale. Gjatë komunikimit verbal flitet pak, rrallë dhe për periudha të vogla kohore; nuk kanë dëshirë të marrin iniciativën për të folur të parët ose për të “mbajtur gjallë” bisedën; tentojnë të flasin fillimisht me mendje dhe jo me fjalën e folur; për ta ka rëndësi edhe heshtja, pasi edhe heshtja “flet” e komunikon: qetësi, harmoni e besim.

Nëse krahasojmë japonezët me amerikanët, në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet: “Në Japoni gjuha është edhe mjet komunikimi; në ShBA gjuha është mjet komunikimi”.

Marrëdhënia ndërmjet kontekstit dhe dimensionit kulturor shoqëror, në të dyja llojet e kulturave, mund të evidentohet nëpërmjet rolit që kanë interesat e grupit vs atij të individit. Në shoqëritë me kontekst të lartë kërkohet dhe pritet një nivel i lartë i identifikimit të individit me grupin. Kultura të tilla etikohen në përgjithësi edhe si kolektive. Për shumë studiues, në kultura të tilla ekziston tendenca për të shtypur synimet e individit në emër të interesave dhe mirëqenies së grupit. Në shoqëritë me kontekst të ulët, që zakonisht përbëhen nga grupe heterogjene, dimensioni kulturor lidhet me atë se ku e përcakton veten individi dhe llojin e marrëdhënieve që kërkon të vendosë me të tjerët.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.