Shoqëria dhe sociologjia

Shkëputur nga libri “Elementet e sociologjisë”

Autor Franklin Henry Giddings

Fjala “shoqëri” e ka prejardhjen nga fjala latine socius, që do të thotë mik ose shok, pra një qenie shoqërore. Sapo krijojmë shoqëri me një tjetër qenie njerëzore dhe pohojmë se e kemi shok ose mik, jemi të vetëdijshëm për ngjashmëritë ndërmjet nesh; dimë që është i interesuar për të njëjtat gjëra, apo që i pëlqen të përfshihet në të njëjtat aktivitete; ka të njëjtat shije, besime, pëlqime. Megjithatë, vërejmë se në disa gjëra ndryshojmë. Procesi i gjetjes së ngjashmërive dhe ndryshimeve, apo edhe mirëkuptimit për çështje të ndryshme, përcjell imazhin e miqësisë së tyre.

Ky proces zbatohet në çdo popullsi, jo vetëm ndërmjet dy shokëve apo miqve, por edhe ndërmjet bashkëpunëtorëve. Kjo do të thotë, që në çdo vend, një numër individësh jetojnë ose bashkëpunojnë në të njëjtin vend, zhvillojnë dhe shkëmbejnë ide dhe vendosin të kenë mirëkuptim – një mënyrë kultivimi i njohjes reciproke dhe i mentalitetit. Si pasojë, fjala “shoqëri”, e cila fillimisht nënkuptonte lidhjet miqësore apo ndërveprimin, ka pësuar një zgjerim në kuptim, ku krahas procesit të bisedimit të këndshëm dhe kultivimit, u përfshi edhe njohja reciproke me mentalitetin e tjetrit.

Shoqëria, si një formë aktiviteti e individëve inteligjentë është kultivimi i njohjes reciproke dhe mentalitetit të njëjtë. Sigurisht, kjo formë aktiviteti jep një produkt apo rezultat të caktuar. I bën ortakët gjithmonë e më shumë të ngjashëm në cilësitë morale dhe mendore. Prandaj, produkti i saj është një grup personash me mendësi të ngjashme, të cilët e pëlqejnë dhe e ruajnë këtë formë aktiviteti. Një grup apo produkt i tillë, quhet shoqëri.

  • Shoqëri quhet çdo grup apo numër individësh, të cilët kultivojnë njohje reciproke dhe mirëkuptim mendor, që do të thotë, mentalitet të njëjtë. Shoqëria është një grup qeniesh shoqërore. Megjithatë, një aktivitet i tillë, siç u përmend dhe më sipër, haset vetëm nëse vërehet një nivel i konsiderueshëm fillestar i mentalitetit të njëjtë nga i cili mund të fillohet. Rrjedhimisht, na duhet ta zgjerojmë dhe ta modifikojmë pak përkufizimin e shoqërisë:
  • Shoqëri quhet çdo grup apo numër individësh me mendësi të njëjtë, qenie shoqërore të vetëdijshme dhe të kënaqura për mentalitetin e njëjtë që kanë dhe, në rrjedhojë, janë të aftë të punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët.

Llojet e shoqërive 

Kini parasysh që fjala “shoqëri” ka shumë përkufuzime, ndonëse të gjitha konvergjojnë në përkufizimin e mësipërm. Shoqëritë janë të llojeve të ndryshme.

Shoqëria natyrore

Një popullsi, siç u tha dhe më parë, është një grup apo një numër individësh, të cilët në shumë pikëpamje të rëndësishme, janë njëlloj dhe jetojnë të gjithë brenda një zone të përcaktuar. Gjithashtu, është parë se zakoni i të kultivuarit të njohjes reciproke dhe ideve dhe shijeve të njëjta, duke i përsosur ato më tepër, përhapet në gjithë popullsinë. Si pasojë, një popullsi e tërë kthehet ose ka si tendencë të kthehet në një grup të vetëm shoqëror ose shoqëri. Ky proces ndodh në mënyrë natyrore, madje vazhdon edhe nëse individët i kushtojnë ose jo vëmendje të vetëdijshme. Kështu që, një popullsi që i ruan aktivitetet shoqërore  mund të quhet një popullsi shoqërore ose shoqëri natyrore.

Shoqëria natyrore është një popullsi që është e përbërë nga individë me ide dhe shije të njëjta, të cilët e dinë dhe i gëzohen këtij fakti, prandaj janë të aftë të punojnë së bashku për qëllime të përbashkëta.

Shoqëria integrale

Një shoqëri natyrore e cila është aq e madhe saqë bën të mundur vazhdimësinë e çdo lloj aktiviteti shoqëror dhe bashkëpunimi, duke përfshirë aktivitete të tilla: si qeverinë, industrinë, edukimin, fenë, shkencën dhe artin dhe ruan kontrollin mbi territorin që zotëron në mënyrë të pavarur nga çdo shoqëri tjetër, mund të quhet shoqëri integrale. Pra, të gjitha këto kombe të mëdha moderne, si për shembull, Shtetet e Bashkuara, Anglia, Franca dhe Gjermania, janë shoqëri integrale.

Shoqëritë komponente

Brenda çdo shoqërie integrale gjenden grupe shoqërore të cilat, në shumë aspekte, por jo në të gjitha, janë të plota dhe të pavarura. Secili prej këtyre grupeve, edhe i shkëputur, mund të ruajë ekzistencën e tij dhe të vazhdojë një jetë të plotë shoqërore. Por në fakt, secili grup, në disa aspekte, është pjesë e një shoqërie më të gjerë, e cila e përfshin atë. Grupe të tilla shoqërore janë CommonWealth-et ose shtetet e Bashkimit Amerikan, gjithashtu dhe mbretëritë, fillimisht të pavarura, të asaj që sot quhet Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Po ashtu, tek këto grupe hyjnë dhe rrethet, qytetet dhe fshatrat. Grupi i fundit i tillë i cili është dhe grupi më i vogël dhe që po të lihet më vete mund të kthehet në një popullsi të tërë apo shoqëri integrale, është familja.

Grupet shoqërore që mund të ekzistojnë si shoqëri të plota dhe të pavarura, por që në fakt janë thjeshtë pjesë përbërëse të shoqërive integrale, në disa aspekte dhe nëngrupe të tyre, mund të quhen shoqëri komponente.

Shoqëritë përbërëse

Brenda çdo shoqërie integrale dhe brenda shumicës së shoqërive komponente, formohen grupe shoqërore të një tjetër lloji. Prejardhja e tyre është gjithmonë artificiale. Një numër i caktuar individësh mblidhen së bashku dhe formojnë ose organizojnë një shoqëri për të arritur disa objektiva që ata synojnë. Një shoqëri e tillë mund të jetë një korporatë biznesi, një parti politike, një kishë, një organizatë shkencore ose një klub. Shoqëritë e këtij lloji e vazhdojnë kontributin ndaj komunitetit duke e ndarë punën. Ato janë të varura nga njëra tjetra. Asnjëra prej tyre nuk mund të ekzistojë, nëse nuk ekzistojnë të tjerat. Së bashku ato ngrenë dhe formojnë organizimin e plotë shoqëror të shoqërisë integrale. Për këtë arsye, mund të quhen shoqëri përbërëse.

Sociologjia

Në kohërat moderne çdo klasë objektesh në botën natyrore dhe çdo lloj aktiviteti njerëzor, është bërë subjekt i studimit shkencor. Shoqëria dhe aktivitetet shoqërore kanë qenë ndër faktet më të fundit që janë studiuar në një frymë shkencore dhe nga metoda shkencore. Kjo ndodhi për shkak se, një studim shkencor i shoqërisë mund të bëhej vetëm pasi të ishte akumuluar një sasi e madhe njohurish rreth gjërave të tjera. Marrëdhëniet shoqërore janë më të komplikuara se çdo lloj marrëdhënie tjetër.

Studimi shkencor i shoqërisë quhet sociologji

Objektivi i të gjitha studimeve shkencore është që të bëhet një përshkrim i saktë i gjërave që studiohen. Fjala “përshkrim” përdoret në shumë mënyra, prandaj, duhet të tregojmë kujdes kur të bëjmë dallimin midis përshkrimit shkencor dhe një përshkrimi që mund të jetë thjeshtë piktoresk apo dramatik. Përshkrimi shkencor nuk ndalet kur pjesët e ndryshme të një objekti i janë prezantuar me sukses vizionit mendor, në mënyrë që t’i shohim me imagjinatë, ashtu siç do të shikonim një ndërtesë apo një qytet. Në përshkrimin shkencor, ne vazhdojmë dhe paraqesim se si vepron dhe sillet një objekt, apo, se si veprimet apo ngjarjet e ndryshme lidhen me njëra tjetrën në një sistem të plotë; analizojmë përpjestimet, numrat ose faktet sasiore, lidhjet që objektet dhe ngjarjet kanë me njëra tjetrën. Pra, përshkrimi shkencor përfundon në zbulimin e atyre elementëve që quhen shkaqe dhe ligje, të cilat janë thjesht njëtrajtshmëri rregullash, sekuencash, proporcionesh, etj., mes fakteve që janë përshkruar.

Kur e përdorim fjalën “përshkrim” në këtë kuptim, mund të themi se sociologjia është përshkrimi shkencor i shoqërisë.

Njësia e shqyrtimit

Përshkrimi shkencor i çdo objekti apo grupi faktesh duhet të fillojë nga ai diskriminim i mangët, të cilin njohuria e përgjithshme ia vesh vetë objektit. Si rezultat, shkencat e kimisë, astronomisë, gjeologjisë, botanikës dhe zoologjisë e nisin përshkrimin e tyre nga dallimet e dukshme midis formës dhe lëndës, midis trupave qiellorë dhe tokës, midis objekteve të gjalla dhe jo të gjalla dhe midis bimëve dhe kafshëve.

Duke qenë se mendja shkencore nuk kënaqet me dijen e rastësishme dhe nuk e toleron paqartësinë, ajo e fillon gjithmonë klasifikimin e saj sistematik të gjërave duke u përpjekur t’i bëjë vëzhgimet e saj paraprake sa më të sakta që është e mundur. Kjo bëhet duke e zhveshur subjektin nën shqyrtim nga të gjitha  faktet e parëndësishme, aksidentale dhe të rastësishme, dhe duke kërkuar atë që është e thjeshtë, fillestare dhe e qëndrueshme. Forma më e thjeshtë e përbërjes së subjektit që studiohet nga shkenca quhet njësi shqyrtimi.

Kimistët e kanë ditur prej kohësh që shkenca e tyre merret me shqyrtimin e formave elementare të lëndëve; konkretisht me oksigjenin, hidrogjenin, karbonin, azotin, aluminin, klorin, natriumin dhe nja gjashtëdhjetë elementë të tjerë. Pra, studion numrin e tyre, vetitë, peshën atomike dhe kombinimet me njëri-tjetrin. Kështu që, njësia e shqyrtimit në Kimi është elementi. Astronomët e kanë ditur që në lashtësi se objektet specifike të studimit të tyre nuk ishin qiejt në përgjithësi, por një planet apo një yll në veçanti, lëvizja e tij, forma, përmasa, përbërja dhe historia. Gjeologët mësuan se lënda të cilën ata duhet të studionin ishte guri. Pra, përbërja e tij, dendësia, struktura, forma, thyerja, copëtimi, pozicioni, shtresëformimi dhe historia. Biologët, si botanistët ashtu dhe zoologët, kanë marrë si njësi shqyrtimi qelizën organike. Ata vëzhgojnë strukturën e saj, zhvillimin dhe kombinimet. Psikologët kanë dy njësi shqyrtimi sepse ata studiojnë si ndërgjegjen ashtu dhe aktivitetin e një forme të veçantë të lëndës, konkretisht, asaj që gjendet në nerv dhe në tru. Njësia e shqyrtimit në studimin e ndërgjegjes është shqisa, e cila është më e thjeshta nga të gjitha faktet mendore. Njësia e shqyrtimit në studimin e aktivitetit të nervit dhe trurit është qeliza nervore dhe reagimi i saj ndaj irritimit dhe stimulit.

Pra, cila është njësia e shqyrtimit në Sociologji?

Përgjigjja është zbuluar pjesërisht. Në formën e saj më të thjeshtë, shoqëria ekziston kur një individ ka një shok apo bashkëpunëtor. Atëherë qenia shoqërore është njësia e çdo grupi shoqëror apo shoqërie dhe sjellja i tij është njësia e aktivitetit shoqëror. Çdo qenie njerëzore është në të njëjtën kohë një shtazë, një mendje e ndërgjegjshme njerëzore dhe një qenie shoqërore. Si shtazë, ai studiohet nga anatomisti dhe fiziologu. Si një mendje e ndërgjegjshme, studiohet nga psikologu. Si një qenie shoqërore, që kërkon njohje, që krijon miqësi dhe aleanca me qenie të tjera shoqërore, që u mëson dhe mëson prej tyre dhe që angazhohet me ta në shumë forma të aktivitetit të përgjithshëm, ai studiohet nga sociologu. Atëherë, njësia e shqyrtimit në Sociologji është qenia shoqërore. Kjo do të thotë që individi nuk është vetëm një shtazë dhe një mendje e ndërgjegjshme, por gjithashtu një shok, nxënës, mësues dhe bashkëpunëtor.

Sociologjia studion natyrën e qenies shoqërore, zakonet dhe aktivitetet e tij. Pra, nëse ka lloje apo klasa të ndryshme të qenieve shoqërore, si ndikojnë tek njëri tjetri këto qenie, si kombinohen dhe ndahen, çfarë grupesh formojnë. Të gjitha këto pyetje janë gjithashtu, çështje të Sociologjisë.

Problemet e Sociologjisë

  1. Kur një shkencë e ka caktuar lëndën e studimit dhe e ka gjetur njësinë e shqyrtimit, ajo ka plotësuar hapin e parë nga katër të tillë që ekzistojnë. Çdo shkencë e plotë duhet t’i ndjekë këto hapa.
  2. Hapi i dytë i shkencës është ekzaminimi i hollësishëm i aktiviteteve dhe proceseve që mund të vëzhgohen tek objekti, grupi i gjërave apo grupi i interesave, nën shqyrtim. Kështu që, kur kimisti ka zbuluar format fillestare të lëndës, vëzhgon se si sillet secili element gjatë të gjitha kombinimeve të mundshme me elementët e tjerë. Biologu përpiqet të zbulojë të gjitha mënyrat e mundshme të formimit qelizor dhe zhvillimit qelizor.
  3. Hapi i tretë i shkencës është të paraqesë se çfarë produktesh, kombinime faktesh apo gjëra të reja janë zbuluar si rezultat i aktiviteteve ose proceseve. Pra, kimisti përpiqet të zbulojë çfarë produktesh komplekse mund të krijohen duke kombinuar elementët kimikë në të gjitha mënyrat e mundshme. Biologu vëzhgon të gjitha format e indeve dhe llojet e ndryshme të organizmave që prodhohen nga kombinimi i ndryshëm i qelizave të gjalla.
  4. Hapi i katërt i shkencës është të zbulojë dhe të formulojë marrëdhëniet apo ligjet e sakta që ekzistojnë mes aktiviteteve dhe në evolucionin e produkteve të tyre. E thënë në vija të përgjithshme, hapi i parë shkencor i sociologjisë u përmbush në këtë kapitull. Ne trajtuam grupin e fakteve që studion sociologjia dhe përcaktuam njësinë e shqyrtimit. Tani, duhet të vazhdojmë dhe të analizojmë më me kujdes proceset apo aktivitetet e shoqërisë, produktet që rrjedhin nga to dhe, në fund, ligjet që shpjegojnë si aktivitetet ashtu dhe produktet.
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.