Shkolla pa ngjyra

Autor: Johan Galtung Shqip: Valbona Nathanaili

Shkëputur nga libri “Transendencë dhe transformim”

Ishte viti 1958. Në Charlottesville, Virginia, qytetin e Thomas Jefferson, një herë e një kohë simbol i të resë dhe i pavarësisë së SHBA-së, gjendja ishte shumë e tendosur, në prag të shpërthimit. Gjykata e Lartë, më 17 maj 1954, kishte dhënë vendimin se shkollat e ndara, veçan për të bardhët nga njerëzit me ngjyrë, nuk mund të ishin kurrë të barabarta, ndaj kishte urdhëruar pranimin e të gjithë fëmijëve në Jug, pavarësisht ngjyrës që kishin, në të njëjtat shkollat publike “me të gjithë shpejtësinë e mundshme”.

Sa “e mundshme”, e ndau popullsinë në tre grupe kryesore, secili me synimet e veta:

  • Afrikano-amerikanët: Vendimi i Gjykatës së Lartë është ligj i tokës, integrim!
  • Integracionalistët e bardhë: Vendimi i Gjykatës së Lartë është ligj i tokës, integrim!
  • Segregacionistët e bardhë: Jo këtu, jo tani, jo në këtë mënyrë: ne nuk jemi gati! Veçim!

Kështu lindi një konflikt, me tri palë dhe dy synime, si dhe me një pjesë të mirë të popullsisë, si zakonisht, ulur matanë gardhit në pritje. Njerëzit e bardhë u organizuan në “Këshillin e marrëdhënieve njerëzore” dhe në “Këshillin e qytetarëve të bardhë për të drejtat qytetare dhe liritë individuale”. I pari, integracionistët, për të krijuar më shumë bashkim, për të krijuar kushte që fëmijët me ngjyrë të ndiqnin shkollat e të bardhëve, që edhe pse mund t’i kishin te dera e shtëpisë, nuk pranoheshin; i dyti, segregacionistët, për të ruajtur distancën, izolimin dhe të shtynte të paevitueshmen sa më shumë të ishte e mundur.

Por kishte edhe një ndryshim tjetër ndërmjet dy grupeve të bardhë. Integracionalistët ishin më së shumti imigrantë të ardhur nga Veriu, intelektualë, por pa rrënjë lokale. Segregacionistët ishin fermerë, njerëz të zakonshëm, por që jetonin në Jug për breza. Për ta, qyteti ishte i tyre, integracionalistët ishin imigrantë, ndërsa njerëzit me ngjyrë, që një herë e një kohë kishin qenë të nevojshëm, tani konsideroheshin të panevojshëm dhe deri diku, edhe si të rrezikshëm, e keqja e qytetit.

Veçojmë edhe një përjashtim: Sara Patton Boyle, studente, ndonëse anëtare e një prej familjeve të para të Virxhinias, shkruan një artikull në mbrojtje të integrimit. Për më tepër, vajza ishte një super-aktiviste e kësaj ideje. Pranë dritares së saj, Klu-Kluks-Klani dogji një natë një kryq në shenjë paralajmërimi.

Një hije e rëndë qëndronte mbi qytet: konflikti. Ndjenja e kujtime të fuqishme skllavërie e rebelimi, lufte civile, fitoreje e pushtimi e bënin situatën edhe më të turbullt.

Segregacionistët urrenin idenë e humbjes së një tjetër lufte civile. Ata zgjodhën të luftonin me avokatë dhe me lloj-lloj mënyrash të tjera, shpesh edhe dinake, vetëm si e si të zgjasnin sa më shumë ndarjen dhe veçimin e të mos kapitullonin pa luftë.

Integracionalistët provuan, jo pa probleme, të bëheshin një model i mirë për marrëdhëniet ndërmjet të bardhëve dhe të zinjve, të tregonin se nuk kishin aspak frikë nga afërsia. Askush nuk guxoi të dilte publikisht e të shprehte opinionin e tij, të trembur prej shpërthimit të ndonjë dhune. Pozicioni i segregacionistëve ishte ilegjitim, edhe i paligjshëm pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Mosbindja mund të sillte ndërhyrjen e forcave federale. Pozicioni i të tjerëve ishte legjitim, edhe i njohur, por mund të sillte dhunë nga poshtë. Vërtet problemi ishte i zezakëve, por ata nuk kishin pushtet në asnjë nivel. Të gjithë ishin në pritje. Në pritje ishin vetë të zinjtë, ndonëse kishin filluar të organizoheshin në Nju York, duke krijuar “Shoqatën kombëtare për përparimin e njerëzve me ngjyrë”, me shtrirje nga Atlanta në Xhorxhia. Në pritje, prej vitesh, ishte edhe vetë Gjykata e Lartë. Dhe tani, papritur, kishte ardhur koha të kalohej në veprime konkrete.

Segregacionistët ishin të vetmit që vepruan me transendencë, pa dhunë: ata organizuan shkollat private, ku studionin vetëm fëmijët e bardhë. Të studiuarit e fëmijëve në këto shkolla ishte, sipas tyre, shumë më mirë se “ekspozimi ndaj përzierjes me fëmijët e tjerë” në shkollat publike. Kjo zgjidhje ishte vetëm për ata që kishin para mjaftueshëm, si dhe për ithtarët e racizmit. Të tjerët, me të ardhura më të pakta si dhe jo shumë të bindur në racizmin e tyre, kapitulluan.

Ndihmesa e autorit të këtij libri synonte t’i bënte të ndërgjegjshëm grupet për ekzistencën e njeri-tjetrit dhe, nëpërmjet studimit të opinionit publik, të tregonte se njerëzit e shihnin integrimin si të paevitueshëm, se asnjë nuk donte dhunë dhe se shkollat private ishin një zgjidhje e pranueshme për situatën, edhe nëse shiheshin si të përkohshme.

Zgjidhjet vijnë ndonjëherë andej nga nuk e pret. Segregacionistët shiheshin si njerëz super të rreptë, me as më të voglën dëshirë për të lëshuar. Por ata e tejkaluan konfliktin, duke e çuar situatën në një realitet të ri: hapën shkollat private.

Tani mund të pyesim: sa e suksesshme ishte e gjitha kjo? Kjo alternativë lindi në realitetin amerikan dhe u diskutua gjatë në debate të ndryshme. Të pasurit, që çuan fëmijët e tyre në shkollat private, kërkuan nga shteti amerikan që të njiheshin këto shkolla dhe të gëzonin të gjitha të drejtat si edhe shkollat e tjera.

Në kryqëzimet e hekurudhave franceze, shpesh mund të shohësh një tabelë të tillë paralajmëruese: “Un train peut en cacher un autre” (Treni që vjen mund të fshehë një tjetër). Një tren që vjen nga e djathta, mund të të tërheqë vëmendjen e të harrosh të shohësh trenin tjetër që vjen nga e majta. Kënaqësia e kalimit të shpejt e të sigurt të kryqëzimit, sepse rruga duket e lirë, mund të jetë shumë e shkurtër.

Një konflikt mund të fshehë një tjetër që sapo lind. Një reaksion mund të jetë “le të merremi me konfliktin tjetër kur të marrë formë të plotë, ka kohë”. Ne nuk mund të vonojmë transendencën/transformimin e një konflikti, sepse mund të ndiqet nga një tjetër. Nëse bëhemi tepër të fiksuar pas idesë se shoqëria funksionon si një makineri e fuqishme, mund të paralizohemi, sa të mos kemi dëshirën për të trazuar gjë apo të themi “këtu çdo gjë duhet pastruar nga themelet”. Dhe mund të mos jemi të aftë të bëjmë apo të mos kemi kurajën për të bërë. Më mirë të jemi të ndërgjegjshëm për rrezikun dhe të provojmë me pak profilaksi, se sa të paralizohemi e të presim si komunistët për revolucionin botëror apo kristianët për zbritjen e Mesias.

Charlottesville vuajti pasojat e “injorancës së shumëfishtë”, injorancë në lidhje me ndryshimet e të sjellit të njerëzve, si dhe të një frike të ekzagjeruar. Të dhënat e opinionit, të vëna në dispozicion të publikut nga autori mbi ndarjen, i shërbyen njëkohësisht dëshirës së njerëzve për ta zgjidhur çështjen në mënyrë paqësore, inkurajuan bashkimin. Nëse në të dhënat do të flisnim për urrejtje dhe përgatitje për dhunë, ato mund të kishin ndikuar negativisht e të shërbenin si një shkëndijë për lindjen e dhunës

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.