Rruga e mundimshme e shkollës shqipe 1912-1944

Me rastin e katërvjetorit të botimit të librit “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe, çështje, politika & veprimtari në fushën e arsimit, 1912-1944”, autor Valbona Nathanaili

Nga Ben Blushi / Fjala mbajtur në promovimin e librit

Për fat të keq, kushdo që merr këtë libër kupton, se në kohë më të vështira kemi bërë më shumë për arsimin dhe sot që është më e lehtë, po bëjmë më pak, ose nuk po e bëjmë siç duhet. Ndërkohë, jam i bindur, se kushdo që jep kontribut për arsimin i ka bërë nderin më të madh këtij vendi, sepse nëse Shqipëria ka një problem, ky është një problem arsimor dhe kulturor në radhë të parë.

Personalisht nuk kam pasur kohën e mjaftueshme për të lënë ndonjë gjurmë si administrator në arsim dhe shumë njerëz më kanë paragjykuar ‘Po ky ç‘punë ka me arsimin?’. Dhe kjo është nga gjërat që më vjen keq në ato që kam bërë apo që nuk e kam bërë aq sa duhet edhe si duhet, sepse koha ka qenë shumë e shkurtër. Por nga sa kam kuptuar dhe kuptoj sot, arsimi në rastin tonë, së pari, është një detyrim kombëtar dhe, e dyta, është ekonomi. Ndërsa në rastin e Shqipërisë, arsimi është në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ekonomi. As punësim, as ekonomi të zhvilluar, as inovacion, as paqe, as harmoni, as solidaritet, as mungesë braktisje apo emigracioni nuk do të kemi kurrë, nëse nuk kemi një sistem arsimor të konsoliduar.

Ben Blushi në promovimin e librit “Rruga e mundimshme e shkollës shqip”

Ndër personalitetet që kanë kontribuar për arsimin shqiptar, njërin prej tyre pata rastin ta shoh në librin e Valbonës. Bëhet fjalë për Mihal Turtulli, një filantrop shumë i madh nga Korça. Pati mundësi të ishte në disa qeveri nga periudha 1912–1944. Turtulli i ka bërë Korçës një nga dhuratat më të mëdha që dikush mund t’i bëjë qytetit. Duke qenë filantrop, njeri i spikatur dhe me kulturë perëndimore i ka dhënë Shqipërisë një nga godinat më të bukura që mund të ketë sot, që për fat të keq pas luftës u kthye në repart ushtarak. Ishte garnizon deri para 10 vitesh edhe me një vendim qeverie i është kthyer universitetit sërish. Mora këtë shembull për të treguar se çfarë pasioni kanë pasur burra të shquar të Shqipërisë 100 vjet përpara për t’i dhuruar arsimit. Kjo nuk ndodh sot. Ka Shqipëria njerëz shumë më të pasur se para 100 vjetësh por nuk ndodh të dhurojnë një shkollë apo bibliotekë.

Libri “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe” është një skedë shumë e shumë e rëndësishme për të gjithë ata që duan të konsumojnë dhe studiojnë historinë e arsimit shqiptar, si një rrugë vërtet shumë e mundimshme, por që mirë apo keq krijoi një elitë politike në vitet 1930-1940, të cilën fatkeqësisht e humbëm.  

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.