Riza Braholli, mësuesi poet. Poezi të zgjedhura
Poezi të reja
Zjarri i zjarreve
E kam dashur gjithmonë atë kohë/ Kur njerëzit bënin dashuri me Perënditë
Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë
Përtej, në botën e mjergullës ishim
Në dhera të tilla ku kurrë s’kemi qenë
Të dy, unë e ti me mishin e shpirtin
Të dy kapërthyer si dheu nën rrënjë
Si ishim ashtu, as fjetur, as zgjuar?
Një shekull a dy a kush e mban mend
Lëndinash pa fund me frerët lëshuar
Mëgojëzën si kuajt e hanim me dhëmb
E prapë e sërish të unshëm, të vluar
Më thuaj ç’qe kjo që sytë na panë
Që eshtrat kërcisni e eshtrat vërrisnin
E drita terrohej tej kohës pa anë
Shuhej e ziente si ujët me plisin
Me plisin e shkosur në muajt e thatë
Sa poshtë e përmbi, sa dritë e sa natë
E ikshme si re e prekshme si tokë
Si hëna në udhën e ciklit të gjatë
Kur hedh pëshpërimat e fundit mbi flokë
E bota fundoset mes paqes së artë
Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë
Të shtatën e ditëve u ulëm e pamë
Se bota që nisëm ish ngritur më këmbë
Pastaj u rishtrimë për aktin e mbramë
Dhe hëngrëm çarçafët e fundit me dhëmbë
Nga vëllimi poetik “Mallkim Virgjërie”
Trishtimin kam zog
Përmes xhamash drita hyn me përtesë
As veten s’e pyes përse
Përgjumet zogu në fund të folesë
Harrimi në zemër më fle
Patkonjtë e fundit godasin mbi gurë
E troku shuhet ngadalë
E muzgu kotet e tretet ndër drurë
Përgjumet e varfëra mëhallë
Fillojnë e ndrijnë qirinj flakështrembër
Dritaret si shpirtërat në muzg
Kujtimi i zbrazur nga zemra në zemër
Me vramje , me hije më mbush
Tej xhamash shkon drita të vdes
Jo, veten s’e pyes përse
Në zemër më s’kam asnjë shpresë
Trishtimin e kam zog në fole
Nga vëllimi poetik “Mallkim Virgjërie”
Në ëndërr
Kockat ndjej të krisë port’ e vjetër
Çezma, Bana ime këngën rrjedh
E bekuara nëna ime vetëm
Udhëve me bastun si hënëz bredh
Melodi e drunjtë zbret mbi gurë
Mjegullëz e bardhë mbi kalldrëm
Gurët-gjinj të lagur feksin butë
Një trishtim i ëmbël që të dhemb
Pastaj përmbi plloça fshes’ e barit
Fëshfërima ledhash nëpërmend
Si e ngrohta jug’ që zgjon beharin
Si e ngrohta buz’ që mallin end
Shtyj jorganin e dal nga ëndrra
Përmbi Dajt një ftua hëne zverdh
Një merak më ngjizet e them: – Nëna!
Foto kryesore: Me rastin e 55 vjetorit të ditëlindjes së autorit, z. Riza Braholli, lokali “Muza e bardhë”. Në sfond të fotos, George Peabody Library, Johns Hopkins University, Baltimore, Maryland, ShBA (Fotocredit: Valbona Natahanaili).
Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!