Revista letrare 1944

Numri i parë i “Revistës letrare” doli në Tiranë më 15 shkurt 1944 dhe u botua nën kujdesin e një grupi intelektualësh shqiptarë, shkrimtarë të viteve 1930: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu etj.

Revista letrare në kujtimet e Ilinden Spasses (bazuar në shkrimet e Mitrush Kutelit, Sterjo Spasses dhe Vedat Kokonës).

Nga jehona e romanit “Kasollja e xha Tomit”, përkthyer nga Sterjo Spase, dhomën e vogël në atë shtëpi njëkatëshe në rrugën Fortuzi, ku banonte tani Sterjoja me Kolon, shokët që mblidheshin aty e pagëzuan me emrin “Kasollja e xha Tomit”. Një ditë të bukur të këtij fillim viti në këtë kasolle u mblodhën kokë-më-kokë katër “qyqarë ëndërrimtarë” – siç do të shprehej shumë vite më vonë Vedat Kokona – që merreshin me lëvrimin e gjuhës shqipe. Këta ishin:

  • Mitrush Kuteli, që “aksidentalisht” ishte ekonomist, madje edhe doktor i shkencave ekonomike në Rumani dhe ishte kthyer një vit më parë në Shqipëri, për t’u marrë edhe me letërsi. Kuteli kishte botuar disa vëllime: “Netë shqiptare”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Ago Jakupi”, “Havadan më havadan” dhe vëllimin me vjersha “Sulm e lot” etj.;
  • Vedat Kokona, edhe ky i diplomuar “aksidentalisht” për drejtësi në Paris, kish botuar dy vëllime, një me vjersha “Dritë e hije” dhe një me tregime “Yje të këputura”;
  • Nexhat Hakiu, kishte qenë kryeredaktor i revistave “Përpjekja shqiptare” dhe “Shkëndia” dhe redaktor i faqes letrare i gazetës “Tomori” etj., kish botuar dy vëllime me poezi: “Kënga Zambares” dhe “Kënga e gjakut”, ku spikaste vargu elegant popullor dhe vargu melodioz i tipit të Ali Asllanit.
  • Dhe Sterjo Spasse.

Këta “myteberë”, pasi diskutuan për ribotimin e romanit “Pse ?!…” që kish dalë ato ditë, për romanin “Kasollja e xha Tomit”, për situatën politike e ekonomike, që turbullohej akoma më shumë në vend, u lindi ideja për të nxjerrë një revistë letrare të përbashkët, që të fashisnin kokat e nxehta, që po shkatërronin fatet e kombit. Ata nuk ishin të kobures, por të penës, e me penën e tyre deshën të sensibilizonin ndjenjat kombëtare të popullit.

Mitrush Kuteli (Revista letrare, Viti I, Nr.1, Tiranë 15 shkurt 1944):

Duke botuar këtë revistë të vogël, qëllimi ynë nuk ka qenë tjetër, veçse të përqendrojmë rreth shtyllave të saj fuqitë prodhonjëse të mendjes, të çelim shtigje të ra në lëmin kulturor, duke ndjekur gjurmët e atyreve, që u përpoqën të hapin udhën e parë dhe të lëshojmë një shkëndijë të re në mes të kaosit mendor shqiptar.

Nuk kemi as pikën e dyshimit se të shumtët do të jenë ata që do të marrin sipërmarrjen tonë si një marrëzi të vërtetë, si diçka anakronike dhe neve, si njerëz që kemi humbur pusullën dhe nuk dimë se ç’bëjmë. Edhe me të vërtetë, të rrish e të merresh me kulturë në një kohë kur bota digjet zjarr e flakë, kur njerëzia e ka humbur konceptin e qetësisë shpirtërore, kur edhe foshnjat dridhen nga ulërimat rrëqethëse të sirenave, i duket tjetrit si një gjë e çuditshme që mund të gjejë shpjegimin e saj në një tronditje patologjike apo në një ekzaltim të tepruar.

Një koncepsion i tillë as na shqetëson dhe as na pengon në punën tonë. Nuk na shqetëson dhe nuk na pengon për të vetmen arsye se një koncepsion i tillë ndaj luftëtarëve të kulturës, jo sot, po dje e gjithmonë ka zotëruar këtu në Shqipëri. Këtu në Shqipëri, ku ata që punojnë e luftojnë për të formuar një jetë mendore shqiptare, një lëvizje kulturore të shëndoshë, humbasin kohë dhe atë “krodhe bukë” që të tjerët e fitojnë me aq lehtësi.

Në keni kohë ndonjëherë merrni mundimin dhe shfletoni për një çast revistat e ndryshme që kanë parë dritë në vendin tonë. Një frymë e ashpër pesimizmi rreh tej për tej nëpër ato fletë të shkruara me gjakun e zemrës. Të gjithë luftëtarët e penës janë tmerruar, kur e kanë parë veten përpara greminës së thellë, përpara kaosit të llahtarshëm që zotëron botën tonë mendore. Por, megjithatë, nuk janë trembur, nuk janë prapsur, nuk i kanë hedhur armët. Lufta ishte e ashpër dhe e gjatë, por, aq dhe më heroike do të ishte përpjekja e tyre. Edhe i ishin përveshur punës me zell dhe dashuri për t’iu ngjitur Parnasit shqiptar, atje ku ndrin rrezja e përjetshme ku rrahin tingujt e qartë të shpirtit. Kishin filluar t’i ngjiteshin malit dalëngadalë si ai, që nuk shikon nga pas për të mos u tmerruar nga honi ku mund të bjerë, as edhe lartë, nga frika se mos e lëshojë zemra kur të shikojë se ç’mundime duhet të heqë për të arrirë gjer lart në majë.

Edhe ne kështu do bëjmë në daçim t’i hyjmë kësaj të përpjetë që po na pret, se, në i hedhçim sytë nga pas e t’i shikojmë shokët tanë, që kanë punuar më parë se ne e t’i shohim të shtrirë, ku dergjen në thellësinë e kohës përpara punës së filluar por të pakryer, o në i hedhshim sytë përpara e të shikojmë se ç’na pret, pa dyshim do të tronditeshim dhe nuk do të kishim aspak guxim të fillonim një punë që kapërcen fuqitë tona të pakta.

Të paka me të vërtet janë këto dhe e vështirë fort vepra që duhet bërë. Përpara portës së hekurt dhe të rëndë që ka mbyllur një botë mendore duhet të tingëllojë fjala magjike “Sezam, hapu!”

Por ne nuk u zëmë besë fjalëve magjike.

Edhe duke pritur trokasim si të tjerë me shpresë se një ditë porta do të çelet dhe drita e kulluar e fjalës do ta ndrisë kështjellën e errët.

Selim Opinga (pseudonimi i Vedat Kokonës) në rubrikën “Revista xanxare”

Revista në fjalë është themeluar nga katër të rinj… që patën kujdes të madh të vinin emrin e tyre në majë të fletushkës, nga frika se mos nuk binin mirë në sytë e lëçitësit. I njohim prej kohësh… por ata që nuk i njohin le të dëgjojnë se ç’thonë ata vetë për veten e tyre:

  • Mitrush Kuteli është i kohës së Skënderbeut dhe Bendo Shapërdanit. Ka rrojtur këtu e disa qindra vjet më parë në një fshat të Pogradecit dhe tashti është ngritur nga varri dhe vjen rrotull në mes tonë pa i gjetur shokët, miqtë dhe shtëpitë e shkatërruara nga koha. Rrëfimi “I vdekuri dhe i gjalli” (botuar në numrin 1 të kësaj reviste) është shumë karakteristike sepse nuk është gjë tjetër veçse autobiografia e këtij fatziu të ndritur që shëtit në mes të të gjallëve të errët.
  • Vedat Kokona lundron me një këpucë zonjeje në dallgët e etherit. Mikrokozmosi ynë nuk i pëlqen aq shumë dhe preferon të shëtisë nëpër stratosferë në bishtin e ndonjë ylli të këputur, që vjen rrotull në vetmi pa iu bindur ligjit të gravitetit. Kur mërzitet së dëfryeri nëpër komete e yje, i ka ënda të jetojë në gjirin e nymfave e të nereidave. Pra, anakronik se anakronik.
  • Nexhat Hakiu, këtë djalosh e kemi njohur pranë një burimi ku rrinte dhe e përpinte me sy Banushen e njomë, së cilës i qe shkurtuar linja dhe xhamadani. Na paraqitet në numrin e parë të revistës me një sheleg në duar, simbol i urtësisë dhe të paqes në një atmosferë flake e baruti. Beson në metempsikozën dhe dëshira e tij, e shfaqur në një poezi të tijën, është, që kur të vijë ndonjëherë tjetër në botë të vijë si ujët e një kroi. Atëherë, s’do të ketë tjetër veçse ujë korente dhe kroji. Nexhati do të jetë prapë anakronik, ai se po ai.
  • Sterjo Spasse u ka dhënë dorën këtyre të treve dhe plotëson vallen e katrorit. Është më i rrëmbyeri i shokëve: kur këta duan të heqin një valle të qetë, ai hidhet, dridhet, ngrihet dhe çfren përpara hiçit të botës: ku jeni, ku veni, pse rroni? Nuk sheh veçse gremina në jetë. O kurbet, o ukubet ! (artikull i botuar në numrin e parë të kësaj reviste). Besojmë se, së shpejti do të botojë artikullin interesant “O milet, o ukubet !…”
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.