Politikat dhe gjuha angleze Nga George Orwell

Në epokën tonë, ligjërimi dhe shkrimi politik konsistojnë, kryesisht, në mbrojtjen e së pambrojtshmes. Veprime të tilla, si vazhdimi i sundimit anglez në Indi, spastrimet dhe internimet politike në Rusi, hedhja e bombave atomike në Japoni mund të mbrohen, por vetëm me ndihmën e argumenteve tejet brutale, në synimin për t’u gëlltitur nga njerëzit dhe që nuk përputhen kurrsesi me qëllimet e shpallura të partive politike.

Në rrjedhojë, gjuha politike detyrimisht duhet të përdorë sa më shumë eufemizma, shprehje të vagëta dhe pyetje retorike. Fshatra të tërë bombardohen nga ajri, kasollet hidhen në erë nga plumbat shpërthyes, dhe e gjitha quhet proces paqeje. Miliona fshatarëve u grabiten fermat dhe detyrohen të marrin rrugët vetëm me një trastë në shpine, dhe kjo quhet transferim i popullsisë ose ndreqje kufijsh. Njerëzit burgosen për vite të tëra pa gjyq, qëllohen nga pas në zverk ose çohen të vdesin nga skorbuti nëpër kampet e Arktikut, dhe kjo quhet eliminim i elementeve të dyshimtë

Një frazeologji e tillë nevojitet, kur dikush dëshiron të emërtojë gjëra, pa dashur të krijojë imazhe mendore rreth tyre. Imagjinoni për një çast një profesor të gjuhës angleze, i cili përpiqet të mbrojë totalitarizmin rus. Ai nuk mund të shprehet drejtpërdrejt duke thënë: “jam i bindur se mund t’i heqësh qafe kundërshtarët politikë, nëse kjo sjell rezultate të mira”. Me shumë gjasë ai do ta formulojë kështu idenë e tij: 

  • “Duke e pranuar që regjimi sovjetik shfaq disa tipare, të cilat humanitarët priren t’i kundërshtojnë, mendoj se duhet të biem dakord për faktin se një farë kufizimi i të drejtës për opozitë politike është një proces shoqërues i pashmangshëm i periudhave tranzitore dhe se masat e rrepta ndaj popullit rus janë justifikuar gjerësisht përballë arritjeve konkrete.”

Ky stil i fryrë përbën në vetvete njëlloj eufemizmi. Një masë e madhe fjalësh me rrënjë latine bie si dëborë e bardhë butësisht mbi faktet duke i mbuluar të gjitha detajet. Armiku më i madh i gjuhës së qartë është pa-sinqeriteti. Kur ka një hendek midis qëllimeve reale dhe atyre të deklaruara, personi i drejtohet instinktivisht fjalëve të gjata dhe idiomave të stër-përdorura, si të ishte një sepje, prej së cilës boja kullon curril.  

Esenë e plotë, në origjinal, mund ta gjeni në linkun

https://www.orwell.ru/library/essays/politics/english/e_polit/

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.