Poeti i së vërtetës

Mbi harmoninё mes lirisё dhe krijimtarisё njerёzore në veprën e Basir Bushkashit

Nga Prof. Dr. Albert Frashëri

Refleksione për veprën: Zjarre dhe Fllad (2019) Autor Basir Bushkashi Tiranë: Ada.

Në ditët e para të kësaj vjeshte të zymtë, trishtuar nga dy tërmete të pafajshëm, lexova vëllimin  e fundit me poezi të poetit Basir Bushkashi. Ashtë libri i fundit në vargun e shumë e shumë vëllimeve poetike të këtij poeti tejet origjinal dhe një nga lirikët më të çquar të horizontit letrar të gjuhës shqipe. Vlera e tij nuk ashtë vetëm cilësia artistike e vargut, por edhe aftësia për të depërtuar pamjet më thelbësore të jetës njerëzore. Dhe këtë ai e ka bërë në saje të talentit, të ndjeshmërisë artistike dhe koherencës si qytetar patriot i një kombi të lashtë dhe bir i përunjur i njërës nga krahinat më interesante të vendit: Mati, ky thelb i shqiptarizmës, vatan i Kastriotëve dhe i humanistit të çquar të botës shqiptare, Pjetër Budit.

Pas leximit të librit “Zjarre dhe Fllad” (Botues “Ada”, Tiranë, 2019) vendosa tё shkruaj kёtё pёrsiatje duke menduar pёr njerёz, rinia e tё cilёve nuk perёndon kurrё. Pёr karaktere qё nuk pёrkulen e nuk konformohen. Nё kёto raste kemi tё bёjmё me qytetarё tё veçantё, me individualitete qё shpesh i mungojnё shoqёrisё dhe sidomos me krijues tё pashtershёm. Këto do të ishin modele qё i japin dritё e nur jetës sonë, sepse krijimtaria, artistike apo shkencore, pёrbёn një nga pamjet mё sublime tё ekzistencës së Njeriut.

Shpesh herё mbizotёron prirja pёr tё krijuar tё ashtuquajturat vipa apo yje tё faqeve tё para tё revistave e tё ekranit. Nё koridoret gjysëm të erreta e të heshtura pallatesh të ngjyrosur sajohen personazhe tё suksesit pёr tё befasuar vёmendjen e qytetarit me ngjarje dhe aventura që të shumtën e herëve nuk kanë vlera reale për shoqërinë. Njё plak i urtë i shekullit tё kaluar, kur e pyetёn se ç’donte tё bёhej kur tё rritej, u pёrgjegj: nuk dua tё jem simbol i suksesit, por thjesht Njeri me vlerё. Ishte plaku Einstein ky Qytetar i Madh i njerёzimit. Një njeri i ditur i lashtësisë, Konfuci, kur e pyetën se ç’ashtë dituria u përgjegj: “Të kuptosh të afërmin.” Pyetjes se ç’ashtë virtyti iu kthye me dy fjalë: “Të duash të afërmin.”.

Në krijimtarinë e mikut tim kam ndjerë prirjen romantike të poetëve, si Heinrich Heine, vargun elegant të Ljermontovit dhe shpirtin e lirë të Eseninit. Kam rijetuar flladin dhe aromat pranverore të poezisë së Lasgushit të pavdekshëm, ngahera poet i poetëve. Ajo e Basirit ashtë poezia e dashurisë njerëzore dhe e të vërtetës. Ashtë poezia e poetit gjithmonë në lulen e rinisë.

Basir Bushkashi, poet i Matit, ka shkruar poezi qё nё bangat e shkollёs, madje jo pak herё ato janё shndrruar nё tekste kёngёsh fituese nё festivalet kombёtare. Lirika e tij përqafon temat e randësishme të jetёs. Nga ana tjetër ai ka shprehur pikёpamjen e vet jo vetёm nё vargje, por edhe si qytetar, nga ata qё rrallё herё gjejmё midis nesh.

Nga pikëpamja qytetare do të konsideroja si kryevepër të tij letrёn qё ai i shkruajti me guxim dhe vetëdije të plotë diktatorit antikombëtar Hoxha nё dhjetor 1981. Pёr atё letёr e dёnuan tё shtynte vagonat nё galeritё e minierave tё kromit. Me atё letёr Basiri denoncoi gjëndjen e rёndё, varfërinë e popullit dhe shprehu nevojёn urgjente pёr reforma radikale nё jetёn e vendit. Ky zë i vetёm nё njё realitet qё tё zinte frymёn, buronte jo vetëm nga logjika dhe morali i qytetarit patriot, por edhe nga zemra dhe ndjeshmëria e poetit. Ajo letër i kushtoi shumë vite pune të detyruar në minierat e kromit në të cilat ai njohu thellë vuajtjen njerëzore dhe njeriun e thjeshtë. Basiri e dinte fare mirё qё pak vite mё parё regjimi kishte pushkatuar dy poetё tё rinj, sepse nё intimitetin e ditareve tё tyre kishin shprehur pesimizёm e pakёnaqёsi ndaj regjimit totalitar tё asaj kohe. Ai i njihte mirё dy poetёt e pushkatuar: Vilson Blloshmi e Genc Leka. Pas viteve ’90 Basiri nuk u josh nga tundime karrieriste për tu bërë njeri i politikës, sikundër i ofruan, por rifilloi jetën normale të qytetarit me pasionin e mësuesit të brezit të ri, pa iu ndarë mallit për poezinë. Ai mbeti poet, ashtu siç kish lindur, i lirë, vëzhgues i rafinuar i ndryshimeve shoqërore, pa trazuar asnjëherë objektivitetin e artistit me interesa meskine të çfarëdo lloji.

Duarlidhur nga rutina e nga një lloj mediokriteti që shpesh herë errëson shumë pamje të jetës sonë, njerëzit heshtin dhe anashkalojnë virtytin që shpreh vepra e qytetarëve.  Pikёrisht, duke menduar për këtë heshtje të fajshme vendosa të shkruaj disa mendime për poetin matjan Basir Bushkashi.

Poesia e tij ka si temë qëndrore dashurinë dhe rreth saj vëmendja e poetit vëzhgon natyrën, njerëzit, virtytin, miqësinë dhe mediokritetin. Por bukuria në filozofinë e poetit Bushkashi nuk ashtë ajo që duket së jashtmi, por diçka tjetër që buron nga shpirti, nga natyra njerëzore për të cilën ai ka një ndjeshmëri të madhe e të pashtershme. Kjo krijmtari i ngjan një piramide në krye të së cilës poeti ka kurorëzuar perëndeshën e bukurisë e të dashurisë, Afёrditёn, që popujt mesdhetarë adhuruan si pamjen më të vyer të jetës. Kështu edhe poeti ynё, lirika e tё cilit nuk mund të bënte ndryshe. Edhe në këtë vellim të fundit gjejmë pikërisht shpirtin poetik që ka karakterizuar krijimtarine e tij që nga rinia e herëshme. Nga kjo pikëpamje, mendoj, që edhe libri “Zjarre e fllad” konfirmon këtë karakter të një krijimtarie që prej kohësh ka konsoliduar identitetin teper origjinal e thellësisht të freskët të saj. Fjala vjen, në poezinë shumë të ndjerë, “Hesht pylli” poetishpreh me ndjenjë dhe elegancë trishtimin e pyllit kur zogjtë shtegtarë me bilbilin mbret largohen:

  • Ikën zogjtë shtegtar
  • ikën e bënë shteg
  • Mbi të gjithë bilbili
  • Këngëtari mbret
  • ndaj pylli i brengosur
  • Veç hesht e hesht. . .

Janë të paharrueshme motivet e poezive si, fjala vjen, “Sa gjëra”, “Si nëpër erë”, “Më thërret pulëbardha”. Stili i tij fjalëpak, elegant e thelbësor arrin të shprehë në pak vargje fenomene, ide dhe probleme të kohës sonë. Një e tillë është poezia “Kaltërsi dhe zjarre”, ku spikat pa mëdyshje logjika e matematicienit dhe vargu si fllad pranveror i artistit.

Poezia e Basirit, qëndisur me durimin e një gjysëm shekulli, ashtë e pashtershme sepse buron nga njeriu qё e do fort jetёn e që mendon me kokёn e vet. Pikёrisht siç ashtё nё natyrёn e poetit, tё artistit. Nё këngёt pёr tokёn, pёr mikun e pёr dashurinё ai nuk humbet nё gurrёn e ndjenjave vetiake, sepse ka njё vёshtrim tё mprehёt e kritik mbi tё gjitha problemet e shoqёrisё. Nё togun e vargjeve Syri i ditёs, gjejmё dhjetё fjalё tё skalitura nga shpirti i poetit nё pak vargje:

U mvrenjt syri i ditёs,

u pikёllua.

Pёrpara njё lypёsi rrugёs rrёzuar                                  

    [Vёrshimet e gjelbёra, faqe 49]

Ky tog vargjesh krijon njё imazh thellёsisht realist e njerёzor. Pёrfytyroj njё lypёs tё mjerё qё gremiset dhe rezja e dritës nё dramёn e tij shndёrrohet nё njё hije qё depёrton thikshёm kalimtarёt. Basirit i mjaftojnё dhjetё fjalё pёr tё rrëfyer dhimbjen e madhe tё varfёrisё. Njё dhimbje universale pёrpara tё cilёs drita humbet shkёlqimin e saj, sikur tё ndjehej fajtore pёr vuajtjen njerёzore. Probleme tё tilla dramatike tё kohёs sonё në vargun e Basirit shndrrohen nё njё urtёsi kristaline pёr ditёt tona. Poezia Plagёt e Lurёs denoncon shkatёrrimin e pyjeve e tё ambjentit dhe kёtё e shpreh sikur Lura tё ishtё njё bijё e vetme. Vargu i poetit e tejkalon propagandёn e politikёs, sepse edukon te brezi i ri ndjeshmёrinё pёrmes magjisё qё krijon poezia.

Mrekullisht poezia e Basirit shpreh një thelb fizik natyror të mjaft problemeve të kohës sonë. Ai ndodhet nё Çéçina (Toskana), nё detin Tirren. Mё befasoi mjeshtёria mё tё cilёn ai shpreh njё arёsye tё bashkёsisё dhe harmonisё mes njerёzve. Ndёrsa njerёzit shpesh ndёrsehen njёri kundёr tjetrit dhe shpikin absurditete pёr tu fshehur pas diferencave të tyre, ai bёn tё kundёrtёn nё vjershёn Nё detin Tirren. Vargu i kësaj poezie shpreh me një thjeshtësi befasuese mendimin e poetit. Kur noton nё detin Tirren të Toskanës ai ndjen edhe ujrat që  Lusa, lumi i fshatit të tij të lindjes, ka derdhur në këtë det të Italisë. Ky det, në ndjeshmërinë e poetit, në madhështinë e vet bashkon në një qënie dhe harmoni të vetme ujrat e dhjetra lumejve të largët dhe njerëzit e tyre. Mendoj qё kjo poezi na jep njё gjetje gjeniale të autorit, sa reale aq edhe filozofike. Ajo shpreh me urtësi poetike njё nga problemet e mprehta tё shoqёrive moderne. E kam fjalёn pёr ato vёnde qё pёrjetojnё migracioniet njerёzore shpesh herё me pёrçmim dhe me paragjykime tё papranueshme.

Gjetje tё tilla mund tё jenё edhe spontane. Shkencёtari ka njё pёrqasje racionale, tё arsyetuar nё zbulimin e tё vёrtetave. Artisti kur shkruan poezi, kur thur vargje nuk bёn njё arsyetim e prej tij tё deduktojё vargun. Pra aftёsia krijuese, pёrqasja e artistit ashtё më e pajtueshme me thelbin trashendental tё Natyrёse e tё krijimtarisё njerёzore. Pёr kёtё arsye vargu, melodia burojnё lirshëm prej shpirtit të poetit. Ato na fisnikërojnë e na pёrtёrijnё si ujёt e burimit pa deklarata e pa daulle. Kёto dy pёrqasje, racionale njёra e trashendentale tjetra, janё dy kёrkime alternative dhe komplementare tё sё vёrtetёs nga ana e Njeriut. Mendoj qё kjo lloj aftёsie e lindur karakterizon krijimtarinë dhe urtësinë e Basirit

Sa thashё mё sipёr do të meritonte njё kuvendim tё plotё. Por unё mendoj ta orientoj kёtё meditim kah thelbi i vet, d.m.th. kah raporti mes lirisё sё individit dhe aftёsisё krijuese tё tij. Sepse kjo e dyta ka nevojё pёr tё parёn. Pёr tё qenё mё tё saktё duhet tё konsiderojmё dialektikёn mes lirisё dhe krijimtarisё apo instinktit krijues tё Njeriut. Natyrisht liria i jep krahё krijimtarisё. Por kjo nuk do tё thotё qё pa lirinё Njeriu nuk mund tё krijojё. Kёtu ndёrhyn njё parametёr tjetёr: individualiteti, karakteri dhe pavarёsia e artistit.

A keni patur rast të shihni ndonjё lule nё plasaritjet e shkёmbit? Aty kushtet qё fara e sjellё nga era e malit, tё mbijё e tё krijojё lulen, janё minimale. Mungon dheu, drita dhe ngrohtёsia. Megjithatё instinkti i jetёs, i riprodhimit e tejkalon kёtё rrethanё qё i kundёrvihet jetёs dhe krijimtarisё. Fara edhe nё prani tё kushteve tё rrepta, mund tё krijojё njё jetё tё re. Dhe kёtё e bёn fara e zgjedhur, ajo qё shpreh më mirё potencialet e species. Krijimtaria e Basirit, jo sot por ngahera, i ngjan asaj fare tё zgjedhur, qё mbin e lulёzon edhe kur era e akullt e vёrvit nё plasaritjet e pajetё tё shkёmbinjve.

Nё kushtet e totalitarizmit komunist nuk mbeti poet pa i kёnduar Oborrit. Basiri, pёrkundrazi, i kёndoi jetёs. Nё tё tilla raste, nga pikёpamja fizike, regjimi synon ta asfiksojё prirjen krijuese tё artistit, kur ky kёrkon tё rrёfejё tё Vёrtetёn. Por ka prej tyre qё pranojnё dhimbjen fizike dhe ruajnё tё paprekura bindjet e tyre. Njё artist i tillё fiton ndaj tё Keqes, e mposht atё sepse nuk tjetёrson thelbin e vet. Ai vuan privacionin e lirisё nga pikёpamja fizike, por pa tjetёrsuar idetё personale dhe krijon nё pёrputhje me bindjet vetiake. Pra forca e tyre e shndёrron nё pozitive dialektikёn mes lirisё sё individit dhe aftёsive krijuese tё tij. Pamja njerёzore, intelektuale, e njё artisti tё tillё fiton mbi tё Keqen, edhe pse fizikisht ai vuan.

Në një poezi të tij, poeti Basir Bushkashi rrёfehet si një “Lis i vetmuar”, sikur tё donte konfirmimin e lexuesit.

Na ishte njё herё, aty nga fillimi i shek. XX, njё matematikan dhe filozof i madh. Bertrand Russell e quanin. Ishte profesor, titullar pikёrisht i katedrës qё kish patur Isaac Newton nё Cambridge. Russell, njё shpirt i pavarur, nuk rreshti sё kritikuari qёndrimet pak demokratike tё fuqive te mёdha tё asaj kohe. Pёrfundimi? E dёnuan me burgim si pacifist i bindur. Mё pas e thirrёn si profesor dhe, kur gjakrat nё Angli ishin ftohur, i ofruan sёrish katedrёn nё Cambridge. Russell, vuajti fizikisht dёnimin, por i mposhti me urtёsine e vet ata qё donin t’i privonin lirinё e mendimit.

Abdyl Frashёrin patriot e dёnuan me vdekje. Ai vdiq i sëmurë pa i mohuar bindjet e tij. Sami Frashёri, vitet e fundit tё jetёs i dёnuar nga perandoria turke të mos dilte nga shtëpia, vdiq pa tjetёrsuar pёrmbajtjen e krijimtarisё sё tij. Edhe ky ishte farё e zgjedhur dhe krijoi me koherencё deri ditёn e fundit tё jetёs, jo sipas kanuneve tё Oborrit, por sipas prirjes dhe bindjeve personale.

Pjetёr Budi, intelektuali i madh, mё interesanti dhe mё origjinali i humanizmit tё hershёm shqiptar, thellёsisht njeri dhe artist, dijetar e patriot, pёrcaktoi gjuhёn amtare pёr tё kuvenduar me Zotin, edhe pse kjo bindje e çoi nё njё vdekje tё papritun. Atё e mbytёn, por nuk vdiq, sepse ideja e tij pёr liturgjinё nё gjuhёn amtare, parapriu deri edhe iluminizmin europian. Ky qytetar i madh i Arbёrit dhe i të gjithё kombit shqiptar, pёrbёn njё nga parabolat më interesante e dramatike tё lirisë e të pavarёsisё individuale, nga njё anё, dhe krijimtarisё njerёzore, nga ana tjetёr.

Pёrmenda disa emra qytetarёsh tё ndritun, simbole qё dёshmojnё thelbin e lirisё, aftёsitё krijuese tё Njeriut dhe vendosmërinë e tij. Poeti ynё Basir Bushkashi i pёrket kёsaj fare artistёsh, qё mbijetojnё, e mposhtin tё keqen dhe krijojnë si njerëz të lirë edhe pse të papërkrahur nga sistemi, dje dhe sot. Shoqëria u detyrohet artistëve të tillë që janë të rallë në panoramën e letrave shqiptare, njerëzve që sakrifikuan dhe krijuan si njerëz thellësisht të lirë e të pavarur.

E përfytyroj poetin të vetmuar në majën e një mali të lartë ku mediton e kuvëndon me horizontin e pafund të qiellit të kaltër, me erën dhe pyllin, me dritën dhe errësirën, pikërisht aty ku nuk e ndikon askush përveç se dashuria, lumturia, vuajtja apo mjerimi i njeriut të thjeshtë, aty ku nuk mund ta zdrugojë e as ta adaptojë mediokriteti i kohës sonë.

Përse këtu?”, e pyes, “Përse i vetmuar?” “Sepse qё këtu” – më thotë – “ndjej urtësinë që më rrëfen udhën, atë urtësi që më bën të vetëdijshëm për jetën dhe për të shprehur e gëzuar lirinë, timen e të sivëllezërve të mij.

Shkruajta me një frymë dhe me emocionin e leximit të librit “Zjarre dhe Fllad” mbi çfarë mendoj për poezinë e poetit Basir Bushkashi, tashmë jo vetëm të luginës së Matit. Janë mendime të një miku që u detyrohet shumë ish nxanësve të vet, mes të cilëve edhe Basiri, për mirësinë që i kanë dhuruar, gjysëm shekulli më parë. Ajo miqësi e mbikaloi largësinë që i ndan njerëzit së gjalli dhe u ripërtëri në këto vite të fundit me vizitën time në Mat. Ajo miqësi tani ndjehet më e vyer dhe . . . , Perëndia më ndjeftë, si rakia e zjerë dy herë.

Terni, 28 nëntor 2019

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.