“Pika Trëndafil” Autor Mimoza Hafizi

Pika Trëndafil Për ne dhe Alienët Autore Mimoza Hafizi

Botues: TOENA ISBN 978-9928277077 / Viti i botimit 2018 / 336 f.

Refleksione

Nga Valbona Nathanaili

Prof. Mimoza Hafizi ka kryer studimet për fizikë dhe për një periudhë më shumë se tridhjetëvjeçare, kontributet e saj ndaj shoqërisë shquhen në dy dimensione: shkencor dhe politik. Pedagoge e mekanikës kuantike në Universitetin e Tiranës, astronome dhe pjesëmarrëse në disa projekte të rëndësishëm ndërkombëtarë, zëvendësministre e Arsimit dhe Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, së fundmi, në profilin e saj, ka shtuar edhe një dimension të ri, atë të krijueses. Ka pak ditë që ka nxjerrë nga shtypi romanin shkencor “Pika Trëndafil”, Për ne dhe Alienët, botuar me Shtëpinë Botuese Toena.

Botimi i një libri të tillë nga një autor shqiptar, në ditët e sotme, për mua personalisht është ngjarje. Duke qenë, njëherazi, edhe krijimtari edhe shkencë, romanit i rriten vlerat në mënyrë eksponenciale, shërbimi që autorja i bën publikut është i jashtëzakonshëm, ndërsa kontributi akoma më i respektueshëm.

Autorja, Mimoza Hafizi, në promovimin e librit në gjimnazin “Sami Frashëri”

Vite më parë – përpara viteve 1990 – kemi pasur në dorë, ndonëse me pakicë, përkthime në shqip, nga autorë të huaj, të romaneve që kishin pjesë të përmbajtjes shkencën, por që për shkak të mënyrës së shtjellimit të ngjarjeve dhe referimit të fakteve, katalogohen si fantashkencë. Kujtoni Zhyl Vernin, krijimtaria kryesore e të cilit zë fill në fund të viteve 1800 (ndërron jetë më 1905) dhe romanin e dashur dhe të famshëm “Udhëtim për në qendër të Tokës”. Kush nuk ka ëndërruar, kur ka qenë i vogël dhe ka lexuar këtë libër, të udhëtojë së bashku me profesorin e gjeologjisë, Otto Lidenbrock, që besonte se ekzistojnë kanale vullkanikë që të çojnë deri në qendër të Tokës. Ose veprën tjetër, 20 000 lega nën det dhe Kapitenin Nemo! Një roman tjetër fantastiko-shkencor i fëmijërisë sonë është “Udhëtimet e Baronit Mynhauzen” (me top në hënë). Por Zhyl Verni ka qenë jurist – nuk i pëlqeu profesioni që i kishin zgjedhur dhe u bë shkrimtar – ndërsa autori që hodhi në letër tregimet e ushtarakut të dalë në pension, Baronit Mynhauzen, ishte shkrimtar.

Në dallim, profesioni i Mozës është shkencëtare. Dhe për këtë arsye është shumë e matur: komunikon vetëm me fakte dhe të dhëna për të cilat shkenca ka dhënë aprovimin e saj, që janë pjesë e sistemit të shtjellimit të koncepteve e teorive. Të gjitha të paraqitura me art.

  • Ne, fizikanët, jemi të gjithë nga pak artistë! Përdorim krahasime artistike për të përshkruar ngjarjet apo objektet fizike. (“Pika Trëndafil”, f. 279)

Arti dhe shkenca janë pjesë e kulturës sonë, e aktivitetit tonë si qenie njerëzore. Arti dhe shkenca kërkojnë cilësi të njëjta: të menduar kritik, vizion, kreativitet, aftësi për të abstraguar dhe për ta paraqitur botën.

Prof. Mimoza Hafizi
Fakulteti i Shkencave të Natyrës

11 shkurt 2019

Dikur edhe arti, edhe shkenca i shërbenin dhe ishin pronë e një grupi të vogël dhe të caktuar njerëzish. Sot synojmë që këto fusha të dijes t’i shërbejnë dhe të jenë pronë e një publiku sa më të gjerë. Me këtë synim të ri, jemi edhe më shumë të ndërgjegjshëm për nevojën që kanë këto dy përbërëse të kulturës për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën, për të huazuar forma e mënyra komunikimi, për të mbushur hapësirat boshe në përmbushjen e synimit të mësipërm. Njësoj si thërrmijat dhe forcat e bashkëveprimit plotësojnë njëra-tjetrën për të na dhënë një lëndë solide. Arti krijon, ndërsa shkenca formulon; arti e paraqet botën si e sheh, shkenca e paraqet botën si është; arti fantazon për një botë më të mirë, shkenca zbulon ligjet që mund ta përmbajnë ose jo atë të ardhme si mundësi. Mimoza Hafizi gërsheton letërsinë me shkencën për të na dhënë romanin e saj të parë shkencor. Autorja i përshkruan planetët si qenie njerëzore. Ata kanë aftësinë të buzëqeshin dhe t’i bien harpës, të udhëtojnë me një synim të caktuar a të bredhin e enden nga një pikë në një tjetër.

Koha në romanin e Mimozës është një ndërthurrje e konceptit fizik me atë historik: sa i takon fizikës, kohën e sheh si një bosht numerik, sa i takon historisë, në të janë shënuar ngjarje të rëndësishme – na çon në bibliotekën e dhomës së punës së Johan Keplerit, dhe na njeh me dilemat e tij për formën e trajektores së planetëve; deri edhe në Greqinë e Lashtë dhe na rikujton edhe një herë mitin e Ariadnës dhe të fillit të saj (f. 211).

  • Tezeu, biri i Mbretit të Athinës, vendosi të çlirojë qytetin nga terrori i Minosit. Çdo 9 vjet, qyteti i Athinës duhet t’i dërgonte mbretit tiran, Minosit, shtatë djem të rinj e shtatë vajza të reja, si gosti për bishën Minotaur. Ariadna, vajza e Minosit, kishte në kujdes labirintin që të çonte në qendër të ishullit, ku jetonte Minotauri dhe bëheshin sakrificat. Por Ariadna bie në dashuri me Tezuen dhe i jep një fill për të dalë nga labirinti, pasi të vriste Minotaurin.
Nineta Verbica, piktore. Kontribuon në libër me ilustrimet e peizazheve të trupave të ndryshëm qiellorë.

Autorja kontribuon duke e furnizuar artin me ide shkencore: romani shoqërohet me disa peizazhe, realizuar nga Nineta Verbica, mbështetur në idetë e autores.

Suksese Prof. Hafizi për këtë roman, me urimin për të pasur mundësi të kemi së shpejti një libër të ri nga ju!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.