Përshtatja dhe kontrolli social

Çdo kulturë zhvillon tipe të ndryshëm normash, që parashikojnë se çfarë konsiderohet sjellje e përshtatshme sipas asaj kulture dhe çfarë jo. Ato ndryshojnë nga fakti sesa të formalizuara janë, sa të rëndësishme janë për jetën sociale dhe çfarë lloj sanksionesh ju presin nëse i shkelni ato norma. Këto norma mund të përmblidhen në tre grupe kryesore:

  1. Traditat popullore janë një rutinë. Traditat popullore janë, zakonisht, marrëveshje të pashkruara të sjelljes. Kultura jonë parashikon që ne duhet t’i bëjmë disa gjëra në një mënyrë të caktuar, megjithëse ka dhe mënyra të tjera që mund të funksiononin po aq mirë. Për shembull, në ashensor shohim përpara në vend që të shohim prapa dhe pyetjes “Si jeni?” i përgjigjemi “Shumë mirë”. Shkelja e një tradite mund t’i shqetësojë pjesëtarët e tjerë të grupit (megjithëse shpeshherë ata nuk e kuptojnë pse shqetësohen), ndërsa shkelësit mund edhe të etiketohen e vihen në lojë, mund të shihen me inat e qortohen. Traditat popullore rrallëherë kthehen në ligje.
  2. Zakonet janë norma me një rëndësi të madhe morale dhe shihen si thelbësore për funksionimin e duhur të grupit. Ne duhet, absolutisht, të sillemi ose të mos sillemi në një mënyrë të caktuar. Mund ta shkelni një zakon duke sulmuar dikë ose duke folur keq për dikë tjetër. Shkelja e zakoneve i bën pjesëtarët e tjerë të grupit të tronditen, të zemërohen ose  të tremben, prandaj shkelësit e zakoneve konsiderohen si të këqij ose  imoralë. Zakonet shpesh kthehen në ligje.
  3. Tabutë janë gjëra të ndaluara, që shihen si thelbësore për mirëqenien e njerëzimit. Shkelja e një tabuje as mund të mendohet dhe as mund të kuptohet. Për shembull, Sigmund Frojdi e konsideronte tabunë e incestit – që njeriu nuk duhet të bëjë seks me fëmijët e vet – si themel të të gjitha shoqërive. Po të bënin seks prindërit me fëmijët e tyre, atëherë linjat e trashëgimisë, emri i familjes dhe transferimi i rregullt i pronësisë, do të bëheshin krejtësisht të pamundur. Tabutë janë aq të rëndësishme, saqë shumica e kulturave kanë vetëm fare pak të tilla. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, vrasja dhe sulmi ndaj tjetrit shkelin zakonet e jo tabutë. Shkelja e tabuve i bën të tjerët të ndiejnë neveri. Shkelësit e tyre konsiderohen të sëmurë, të këqij dhe të përçudnuar. Tabutë kthehen gjithmonë në ligje, me përjashtim të rasteve kur ato janë aq të papërfytyrueshme, saqë ligjvënësit nuk besojnë se dikush mund të arrinte t’i shkelte. Tabutë ndryshojnë nga kultura në kulturë dhe nga një periudhë kohe në tjetrën. Për njëqind vjet, dijetarët besonin se Charles Dodgson-i, ose Lewis Caroll-i (1832-1898), kishte pasur një interes romantik dhe ndoshta edhe seksual për vajzën 7-vjeçare, Alice Liddell, dhe se librat Liza në botën e çudirave dhe Nëpërmes pasqyrës i shkroi si një mënyrë për ta bërë për vete atë vajzë. Por në librin e saj të vitit 1999, Karoline Leach-i shqyrton të gjitha dokumentet e vjetra dhe del në përfundimin se Dodgson-i në të vërtetë kishte një lidhje me nënën e Lizës. Pas vdekjes së tij, motra e tij ishte aq e shqetësuar për ndonjë skandal, sa i manipuloi letrat e tij për t’u dukur sikur ai kishte interes për Lizën e jo për nënën e saj. Më 1898 pedofilia ishte shumë më pak tabu se një lidhje jashtëmartesore.
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.