Për Don Kishotin

Nga Fan S. Noli

Ka nja njëzet a tridhjetë kryevepra letrare, të cilat s’duhet të vdesë njeriu para se t’i këndonjë. Një prej këtyre është “Don Kishoti”, i shkrimtarit spanjoll Miguel se Cervantes Saavedra. Kemi nisur ta botojmë në “Republikën” që prej dy javësh, është dhurata më e lezeçme që munt t’ju bëjmë, këndonjës të dashur. Jemi shigur që do ta shijoni. Është e pamundur të mos ju pëlqenjë. Këndojeni me vërejtjen që meriton. Çdo shpjegim i gjatë është i tepër, se “Don Kishoti” e ka brenda shpjegimin. Duket që nga kaptinat çfarë çeshit është!

Don Kishoti është një fantazmë që ka ikur nga muzeu i kohës së mesme dhe po shëtit në Spanjën gjysmë të modernizuar të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Të vjen të qash dhe të qeshësh me ato që thotë e me ato që bën. I dehur me librat e kalorësisë, vendos ta ngjallë periudhën e feodalizmës së kryqësatave, ndonëse kësaj i kishte shkuar koha, ndonëse Spanja kishte hyrë që prej vjetësh në një fazë të re të historisë njerëzore, në periudhën nistore të kapitalizmës moderne. Don Kishoti është aty që kërkon ta kthenjë rrotën e historisë prapa. Është tipi i sojliut të vogël të fshatit, më reaksionar e më prapavajtës se aristokrati i lartë gjysme-feodal. Është tipi i ëndërronjësit që rron me prrallat e librave dhe jo me faktet e jetës. Po qëllimi i këtij reaksionari ëndërronjës është fare idealistik. Sakrifikohet për një ideal të vdekur, të ndryshkur e të zgjyrosur si armët e tij.

Në Shqipëri kemi me mijëra Don K’shotër, reaksionarë të padjallëzuar që përpiqen ta kthejnë rrotën e historisë prapa, njerës që rrojnë me prrallat dhe fantazmat e patriarkalizmës dhe feodalizmës orientale. Këta reaksionarë janë komikë, se të bëjnë të qeshësh me prapambetjen e tyre, po janë edhe tragjikë, se sakrifikohen për ato prralla dhe për ato fantazma, tamam si Don Kishoti.  

Faji i tyre, si edhe faji i Don Kishotit, është që kanë lindur tepër vonë, kur u shkoi koha… që kanë mbetur tepër prapa në një botë që ka vajtur tepër përpara.

Don Kishoti vdiq ashtu si rroi, si kalorës i kohës së mesme, i arratisur në kohën moderne.

A do të vdisnin kështu edhe shqiptarët? Ja tragjedia e Shqipërisë me shqiptarët e prapambetur. Nga kjo vdekje tragjike përpiqemi ta shpëtojmë Shqipërinë, duke e modernizuar. Në këtë vdekje e shtyjnë Shqipërinë bejlerët, dyke e lënë të mos modernizohet.

Shqiptarët e errët që refuzojnë të modernizohen, bëhen vegla të bejlerëve, dhe pa dashur e pa ditur vrasin edhe veten, edhe Shqipërinë.

Nga kjo pikëpamje, këndojeni “Don Kishotin”. Dhe ahere edhe do të qeshni, edhe do të qani. Kështu kanë qeshur e kanë qarë, dyke kënduar “Don Kishotin”, me miliona njerëz, qindra vjete me radhë. Se Don Kishoti është një tip i pavdekur. Hidhni syrin ku të doni e do ta shihni të gjallë, përpara jush, në çdo çip e në çdo çap. E kini ndofta vëlla a kushëri të parë. Sidomos e kini njëkombas, arnaut të kulluar me silah e me tizga, që me kokën prapavajtëse i bie trimërisht murit modern të çelniktë. Në daci mos u mallëngjeni. Për ta mbaruar, duhet thënë me të drejtë se vetëm faqja e katërt e “Republikës”, ku botohet “Don Kishoti” i shqipëruar, vlen pajtimin që kërkojmë për gazetën tonë. Faqet e tjera i keni darovisht…

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.