Shkenca në pazar. Privatizimi i shkencës amerikane

Nga Steve Fuller

Refleksione rreth librit “Shkenca në pazar. Privatizimi i shkencës amerikane” / Autor Philip Mirowski / Botues: Harvard University Press, London (2010).

Botuar për herë të parë në gjuhën origjinale : Chicago Journals / History of Science Society.

Artikulli është pjesë e Antologjisë “Komercializimi i shkollimit” / Përpiloi Valbona Nathanaili / Botohet një fragment. Të plotë mund ta lexoni në veprën me të njëjtin titull – në proces botimi. Data e mundshme e botimit: tetor 2019.

Libri aspiron të jetë jo më pak se “Kapitali” i Shkencës së Ekonomisë Politike të ditëve tona. Me shumë gjasa do të duhen ndoshta edhe shumë dekada për të thënë nëse Philip Mirowski ia ka dalë, por sigurisht të dy librat (nëse të tre vëllimet e “Kapitalit” të Marksit mund t’i referojmë si një) kanë karakteristikë të përbashkët faktin se përmbajnë një tezë qendrore, provokative, goditur në vetë vendin e origjinës me mënyra të pafundme, jo vetëm në aspektet teorik dhe empirik, por edhe në stil, një stil që nuk është aspak larg satirës për të cilën flet. Ndërkohë që studimet shkencore shpesh kanë efekt komik kur duan të demonstrojnë, se shkenca nuk është as aq e mirë dhe, as aq e keqe, sa mendojnë njerëzit, Mirowski ua kthen borxhin duke treguar se shkencëtarët, politikanët, biznesmenët dhe edhe vetë studiuesit nuk ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri nga mënyra se si mendojnë. Ata janë të gjithë “gjithnjë” neo-liberalë.  

Kur themi se ekonomia politike e pas Luftës së Ftohtë është shkenca e neoliberalizmit vështirë se përbën lajm. Gjithsesi, Mirowski e vendos theksin tek parashtesa “neo”: neo-liberalizmi është liberalizmi i plaçkitur nga historia. Liberalët klasikë ëndërronin për kohën kur individët e lirë do mund të realizonin potencialin e tyre, gjë që mund të ndodhte, sipas tyre, vetëm kur të çliroheshin nga prangat e traditës. Këto ëndrra u vunë në jetë përgjatë Revolucionit Francez, revolucionit të dështuar të vitit 1848 dhe, së fundmi, edhe përgjatë Revolucionit Rus. Lëvizja që sot njihet me emrin neo-liberalizëm mori impuls në përgjigje të këtyre ngjarjeve dhe fillon me teoricienin ultramontanist të politikave Joseph de Maistre dhe kulminon me shkollën austriake të ekonomistëve, udhëheqësit e së cilës të shekullit XX ishin Ludwig Mises dhe Friedrich Hayek.  Mises dhe Hayek ndihmuan në krijimin e shoqatës “Mont Pelerin”, e cila shërbeu për farkëtimin e doktrinave që diskutohen në këtë libër.

Ndryshe nga liberalët klasikë, neo-liberalët nuk besojnë, aktualisht, në gjykimin njerëzor. Sipas tyre, gjykimi njerëzor është një sipërmarrje që nuk mund të shkojë përtej kufizimeve normale që vendos jeta dhe në rrjedhojë na duhet të mbështetim te tregjet – ky është mësimi që kanë nxjerrë nga skemat e dështuara të rishpikjes sociale që frymëzuan revolucionet e shkuar. Pra, një shtet i fuqishëm ka nevojë t’i mbajë njerëzit të fokusuar në aktivitetet lokale me bazë tregun, aktivitete që i aftësojnë të veprojnë në mënyrë përpjesëtimore me dijet e tyre relativisht të kufizuara. Ky fokusim mund të arrihet, kryesisht, duke institucionalizuar një regjim gjithëpërfshirës të të drejtave intelektuale, të cilat sigurojnë bazën e supozuar për të gjitha marrëdhëniet e tjera sociale – të drejta që kanë lindur në mënyrë të efektshme falë mekanizmave të tregut.   

Mirowski e orienton librin e tij rreth dy argumenteve kryesorë. Së pari, shteti neo-liberal, në emër të braktisjes së çdo lloj interesi që i shërben rimëkëmbjes sociale, ushtron shtrëngesë shumëdimensionale (me bekimin e biznesit), për ta shndërruar të gjithë shoqërinë në një lloj tregu. Së dyti, kjo politikë, në mënyrë shumë të qartë, efektet më shkatërruese dhe më të shumta i ka në “shkencë” – e marrë në kuptimin e gjerë të hulumtimit akademik – gjendja normale e së cilës e të vetë-kupturit dhe modus operandi janë në kundërshti me këtë politikë pothuaj në çdo aspekt. Në veçanti, shkenca për nga natyra është kolektiviste dhe anti-pronësi, treguesi më i qartë i së cilës është uniteti i kërkimit me mësimdhënien dhe që përbëjnë vulën e universitetit modern “humboldtian”. Për të parandaluar që kërkimi shkencor të mbetet vetëm në duart e atyre që e kanë krijuar apo financuar, akademikët duhet të angazhohen në mësimdhënie, me synimin që dija të shndërrohet vërtet në një të mirë publike.  


who’s who

Steve Fuller (1959, New York City) është diplomuar pranë universitetit të Kolumbias në Histori & Sociologji. Ka Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit dhe Doktoraturë (1985) nga Universiteti i Pittsburgh-ut, të dyja në Histori & Filozofi Shkence. Aktualisht kryeson katedrën Auguste Comte në epistemologji sociale (nga viti 2011), pranë Departamentit të Sociologjisë. Kërkimet e hulumtimet shkencore përfshijnë, kryesisht, çështje që janë subjekt i epistemologjisë sociale. Fuller ka themeluar programin e kërkimit shkencor në epistemologji sociale. Epistemologji Sociale është edhe emri i një reviste tremujore që ka themeluar me Taylor & Francis më vitin 1987, si dhe titulli i botimit të parë të Fuller, në vargun e njëzet të tillëve. Vepra më e fundit trajton të ardhmen e njerëzimit, ndryshe ‘Humanity 2.0’.

Ka folur në më shumë se 30 vende, shpesh në konferenca kombëtare, në rolin e folësit kryesor. Nga viti 1995 është anëtar i Shoqatës Mbretërore të Arteve. Më vitin 2007 i akordohet titulli “Doktor në Letra” nga Universiteti i Warwick, me motivacionin “Për kontribute të çmuara në fushën e studimeve akademike”. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Mbretërisë së Bashkuar dhe i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve. Kërkues shkencor pranë “Breakthrough Institute”, drejtues i grupit think-tank ‘ecomodernist’, studiues pranë “Institute for Ethics and Emerging Technologies”, drejtues i grupit think-tank ‘trans-humanist’. Veprat e Fuller janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë të ndryshme. Nga viti 2013 është anëtar i Edge, ‘kultura e tretë’ – në skaj të dijes – ku kontribuon me sistemin e tij vjetor të pyetjeve.

Botohet me lejen e autorëve. Copyright © Fondacioni “Henrietta Leavitt”. Asnjë pjesë e këtij botimi, mbrojtur nga Ligji i Shtetit Shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera lidhur me të”, nuk mund të riprodhohet, ruhet, transmetohet a përdoret me asnjë formë a mjet grafik, elektronik apo mekanik, përfshirë por jo kufizuar fotokopje, skanime, digjitalizim, rrjet web apo sisteme të tjerë, pa lejen me shkrim të botuesit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.