Nonda Bulka

Leusë, 1906 – Tiranë, 14 nëntor 1972

Nga Sterjo Spasse

Tiranë, më 16 nëntor 1972

Pardje, më 14 nëntor 1972, në orën 20:10’ vdiq në spitalin e Onkologjisë në Tiranë i shumëdashuri i ynë NONDA BULKA, një nga figurat e mëdha të kulturës dhe letërsisë sonë, prijësi i shquar, krahë përkrah me Migjenin, i letërsisë përparimtare të viteve ‘30. Në minutat e fundit të jetës, pranë tij u ndodhën Qefserja, e shoqja, Sterjovica ime, Qiroja dhe e shoqja e të vëllait të Nondës, Gabrielit, vdekur edhe ai dy vjet më parë.

Unë me Zisën dhe Shelin arritëm në spital pas gjysmë ore. Që atë natë, të veshur nga Sterjovica e nga dy infermiere, kufomën e shpumë në shtëpinë e tij. (Sterjovica e qau si të qante vëllain e saj, e ligjëroi si dinte të ligjëronte ajo si një amanet që kishte prej tij. Ilinden Spasse).

Në këto momente të vështira të jetës së tij, bashkë me Zisën, i kemi qëndruar shumë afër Nondës: dy vjet më parë jemi interesuar me Zisën, që të nisej për kura jashtë shtetit. Vajti në Bukuresht e pas dy-tri muajve u kthye i përmirësuar. Mirëpo, nuk vajti gjatë. Pas shtatë muajve u keqësua. Përsëri u nis për në Bukuresht, më 21 prill të këtij viti e ndejti gjer më 4 korrik. Në aeroport, kur zbriti na u duk i përmirësuar e optimist. U gëzua se hyri në apartamentin e ri, që nuk i gëzohej dot. Dhe dy muajt e parë dilte nga shtëpia dhe pothuajse përditë vinte tek ne; bënim muhabet, pinim nga një kafe e nuk i gëzohej dot nipit tim, Arian e mbesave. Kemi bërë për kujtim disa fotografi në oborrin e shtëpisë sime bashkë edhe me Zisa Cikulin e këto janë fotografitë e tij të fundit. Në një fotografi ka dalë vetëm me nipin e Arian në krahë. Në një tjetër me Ilon… Fotografi të dhimbshme janë edhe ato që kemi dalë më 2 janar 1972 në shtëpinë e tij me të e Qefseren, me Zisën e Shelin, me Fatmirin e Besën, me Llazarin e Erietën dhe me mua e Sterjovicën. Një kujtim këto nga poeti dhe fotografi Vasil Koçi.

Dy muajt e fundit i rralloi vizitat në shtëpinë tonë: vinte dy-tri herë në javë. Por, një muaj e gjysmë para vdekjes, nuk luajti nga shtrati. Një ditë, me kurajë të madhe, u ngrit nga krevati dhe bëmë një shëtitje deri në Krujë me iniciativën e Behar Shtyllës. Ishte dhe Zisa. E kaluam shumë mirë. Pastaj, të nesërmen, i kënaqur shumë nga shëtitja, përsëri ra në shtrat. Pas disa ditësh u bë një ceremoni e vogël në zyrat e revistës “Hosteni”, ku iu dorëzua Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të parë për aktivitetin e tij gazetaresk. Ishim disa shokë. Gjithsej 10 veta: Dashnor Mamaqi, Dhimitër Shuteriqi, Zisa Cikuli, Fatmir Gjata, Petro Marko, Niko Nikolla, Dhionis Bubani, Aleksandër Banushi, Zef Bumçi etj.

Pasi iu dorëzua Urdhri i Presidiumit të Kuvendit Popullor tha: “Me ilaçe dhe me humor do të luftoj demonin, që më ka kapur për grykë”. Dhe demoni ishte kanceri, që e kish kapur nën gjuhë e prej të cilit vdiq në spital, ku u dergj gati një muaj e ca.

Me Zisën i kemi vajtur çdo ditë, herë paradreke, herë pasdreke. E ngrinim pakëz, e mbështetnim në jastëkët dhe ia bënim: “A pimë nga një cigare?”. Dhe kjo “A pimë një cigare?” na ishte bërë zakon, si të thonim: “A pimë një kafe?”. Se kafen e duhanin që i pinte aq shumë, tani i kishte rralluar fort. Kafe nuk piu fare në spital. Kurse nga 60 cigare që pinte në ditë, dy javët e fundit arriti në dy. Njërën nga këto e pinte kur i shkonim me Zisën. I pëlqente t’i flisnim ne e ai vetëm të dëgjonte. I flisnim për politikën e jashtme, për luftën në Vietnam e për piratët e ajrit., veç gjërave të brendshme. Javën e fundit ra shumë dhe rregullën “A pimë nga një cigare?” tre ditët e fundit e lamë. Në këto ditë na zgjaste dorën, deshte të thoshte diçka, por nuk tha asgjë.

Një ditë para vdekjes, qëllova disa çaste vetëm për vetëm. Më foli greqisht t’i afrohem. Iu afrova, por në atë moment hyri kunata e tij, e po greqisht më tha: “Ajo kupton!” – dhe kështu i mbeti fjala përgjysmë. Nuk di çfarë deshte të thoshte. (Përpara disa kohe, ai i kish lënë amanet Sterjos, që Qefserja të martohej patjetër. Mund të ishte kjo edhe një përsëritje e këtij amaneti. Ilinden Spasse)

Varrimi u bë në orën 14:30’ të datës 15. XI. 1972 në varreza e Sharrës. Pjesëmarrja në varrim ishte shumë e madhe. Katër autobusë e më shumë se 20 vetura, përveç shumë njerëzve që nuk erdhën dot nga mungesa e mjeteve të komunikacionit.

Kjo pjesëmarrje e gjerë ishte mirënjohja më e madhe, që i shprehën Nondës si Qytetar i shquar, si Arsimtar i shquar e më fort si Shkrimtar i shquar.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.