Njëqind gjuhët e një fëmije

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Në Italinë e Veriut, në Reggio Emilia, në fillimvitet 1960, kemi lindjen e një metode të jashtëzakonshme për edukimin e fëmijëve parashkollorë. E njohur aktualisht si “Filozofia e edukimit të Reggio-s”, programet e ndërtuara mbi bazën e parimeve të saj i shikojnë fëmijët si intelektualë kureshtarë, plot me burime dhe potenciale për zhvillim. Kurrikula është e orientuar nga fëmija; mësuesi zhvillon ato leksione që diktohen nga interesi i fëmijës. Mjedisit të shkollës i kushtohet një rëndësi shumë e madhe dhe perceptohet si instrument thelbësor në procesin e nxënies. Hapësira e dhomës së mësimit është e organizuar si një studio: një pjesë i kushtohet skenës, ku vihen pjesë dramatike të ndryshme, më pas janë tavolinat e punës, si dhe disa qoshe shumë-funksionale, ku fëmijët ndërveprojnë, zgjidhin probleme dhe mësojnë të komunikojnë sa më mirë.         

Kopshtet bazuar në “Qasjen Reggio” shpenzojnë shumë kohë në arte, nisur nga besimi se fëmijët kanë aftësinë të mësojnë “simbole linguistike” të shumëfishta nëpërmjet vizatimit, teatrit me kukulla, dramës dhe formave të tjera të artit që eksplorojnë talentet në të gjitha mënyrat, sipas të cilave ne, humanët, mund të mësojmë. Këto parime i gjejmë edhe në një poezi të Loris Malaguzzi, themeluesit të kësaj qasje.

Njëqind gjuhët e një fëmije

  • Nga Loris Malaguzzi (23 shkurt 1920-30 janar 1994)
  • Shqip: Valbona Nathanaili

Fëmija

përbëhet nga njëqind.

Fëmija

ka njëqind gjuhë,

njëqind duar,

njëqind mendime,

njëqind mënyra të menduari

të luajturi dhe të foluri.

Njëqinda është gjithnjë njëqind

mënyra të dëgjuari,

të habituri, të dashuruari,

njëqind gëzime

të kënduari dhe të kuptuari.

Njëqind botë

për të zbuluar,

Njëqind botë

Për të shpikur dhe ëndërruar.

Fëmija ka

njëqind gjuhë,

(dhe qindra e qindra të tjera)

kur i vjedhin nëntëdhjetë e nëntë.

Shkolla dhe kultura

I ndajnë kokën nga trupi

Dhe i thonë:

Mendo pa kokë,

Bëj pa duar,

Dëgjo dhe mos fol,

Kupto pa u gëzuar,

Dashuro dhe magjepsu

Vetëm për Pashkë dhe Krishtlindje.

Dhe i thonë:

zbulo botën që e kemi zbuluar!  

Dhe në njëqind

i vjedhin nëntëdhjetë e nëntë

Dhe i thonë:

që loja dhe puna,

realiteti dhe fantazia,

shkenca dhe imagjinata,

qielli dhe toka,

arsyeja dhe ëndrra,

janë gjëra

që nuk shkojnë bashkë.

I thonë, me pak fjalë:

se njëqinda nuk ekziston!

Fëmija thotë:

Në asnjë mënyrë! Njëqinda? Ja ku është!

Mësuesit që punojnë sipas “Qasjes Reggio”, e ndërtojnë vitin shkollor mbi bazën e projekteve, që ndërtohen në terma afatgjatë dhe afatshkurtër, nëpërmjet të cilave fëmijët nxiten të bëjnë zbulime sipas perspektivës së tyre, mësojnë të ngrenë hipoteza dhe si të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin – të gjitha në kontekstin e kurrikulës, e cila ngjan shumë me një lojë. Projektet afatshkurtra shtrihen për një periudhë njëjavore, ndërsa ato afatgjata përmbyllen në fund të vitit shkollor. Mësuesit janë në rolin e udhëheqësit të kërkimit shkencor për fëmijën: i ndihmojnë të eksplorojnë sa më shumë, se çfarë u pëlqen dhe intereson. Nxënia është një proces dypalësh: mësues e fëmijë mësojnë nga njëri-tjetri.  

Në këto dy dekadat e fundit, shkollat e Reggio-s kanë marrë vëmendje të konsiderueshme nga shumë vende, të cilët po përpiqen të përshtatin sistemet e tyre të edukimit për fëmijët parashkollorë sipas kësaj qasje. Aktualisht, në ShBA janë afro tridhjetë shtete që përdorin “Qasjen Reggio”. Kopshtet e Reggio-s kanë fituar edhe shumë çmime, si “LEGO Prize” dhe “Hans Christian Andersen”, si dhe një çmim nga Fondacioni “Kohl”.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.