Muaji i librit / prill, 2021: Bukinisti organizon festivalin e librit on-line

Nga Albert Gjoka

Ky muaj përkon me dy data të rëndësishme: Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, më 2 prill; dhe Ditën Botërore të Librit, më 23 prill. Këto dy data shënojnë edhe kujtesën për tre autorë të shquar të letërsisë botërore: Hans Kristian Andersen, Uilliam Shekspirin dhe Servantesin. Për të gjitha këto arsye, platforma Bukinist.al, ka vendosur të organizojë një panair online për autorin dhe përkthyesin, të cilët meritojnë më tepër mirënjohje nga të gjithë, që nga lexuesit, librarët, botuesit, bota e biznesit dhe institucionet që bëjnë politika kulturore. Janë rreth 90 autorë dhe përkthyes të cilët përgjatë një muaji do të vijnë virtualisht para lexuesit, me librat dhe përkthimet e tyre. Ata do të komunikojnë dhe do të ndërveprojnë me lexuesin përmes platformave virtuale dhe do të sjellin veprat e tyre më të fundit. Janë shkrimtarë të njohur shqiptarë që jetojnë këtu, në Kosovë apo diasporë, autorë të rinj, të cilët sapo kanë sjellë veprat e para tek lexuesi dhe që kanë nevojë për mbështetje. Gjatë zhvillimit të bisedave, të cilat do të përcillen edhe në rrjetet sociale të Bukinist në Facebook, Instagram dhe Youtube, janë të mirëpritura ndërhyrjet dhe komentet e ndjekësve tanë apo partnerëve të festivalit. Veprat e autorëve në fokus do të jenë në oferta ditore përgjatë gjithë muajit prill. Prandaj, mos e humbisni rastin të merrni librat e autorëve tuaj të preferuar me ulje çmimi gjatë kësaj periudhe.

Në festivalin e librit, në këtë panair on-line nuk do të mungojnë as ofertat për lexuesit e grup-moshave të ndryshme për kategoritë në fokus gjatë muajit prill: Librat më të shitur, librat e rinj, përrallat, enciklopeditë dhe ofertat ekskluzive që do të shkojnë nga 20-60% ulje.

Ky është viti i pestë radhazi që “Bukinisti” dhe “Leximtari” zhvillojnë votimin on-line për librin më të mirë të botuar gjatë vitit paraardhës nga shtëpitë botuese shqiptare. Ky konkurs mbetet një formë aktive për të promovuar librin shqip, ku vlerat më të mira dalin nga shijet që kanë lexuesit të cilët marrin pjesë në votimet online tek Leximtari.

Panairi on-line do të ketë edhe shumë surpriza të tjera: Do të vazhdojë “Bukinist Book Club”, një hapësirë e ndërtuar për lexuesit dhe të pasionuarit pas librit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.