Moderniteti, koha dhe hapësira

Anthony Giddens / Shqip: Valbona Nathanaili

Shkëputur nga libri: “Pasojat e modernitetit

Për të kuptuar lidhjet e ngushta midis modernitetit dhe transformimit të kohës dhe hapësirës, duhet të fillojmë duke hartuar disa kundërshti mbi marrëdhëniet kohë-hapësirë në botën paramoderne.

Të gjitha kulturat paramoderne përvetësuan modele të llogaritjes së kohës. Për shembull, kalendari ishte një tipar dallues i bashkësive fshatare, ashtu sikurse edhe shpikja e shkrimit. Por përllogaritja e kohës, e cila formonte bazat e jetës së përditshme, për pjesën më të madhe të popullsisë gjithmonë lidhej me vendin, lidhje e cila ka qenë zakonisht e pasaktë dhe e ndryshueshme. Askush nuk mund të tregonte kohën e ditës pa iu referuar shenjave të tjera socio-hapësinore: “kur” në mënyrë universale lidhej, ose  me “ku”, ose identifikohej nëpërmjet ndonjë fatkeqësie natyrore. Shpikja e orës mekanike dhe përhapja e saj tek të gjithë anëtarët e popullsisë (një fenomen që daton fillimisht në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë) luajti një rol jo pak të rëndësishëm në ndarjen e kohës nga hapësira. Ora shprehte një përmasë të njësuar të kohës “së zbrazët”, e kuantifikuar në një mënyrë të tillë që lejonte projektimin e saktë të “kohës” së ditës (për shembull, “koha e ditës së punës”).[1]

Koha ishte ende e lidhur me hapësirën (dhe vendin) derisa uniformiteti i matjes së kohës, nëpërmjet orës mekanike, u përball me uniformitetin e organizimit shoqëror të kohës. Ky shndërrim koincidoi me zgjerimin e modernitetit dhe vazhdon të ekzistojë edhe në ditët tona. Një nga aspektet kryesore të tij është standardizimi i kalendarëve. Secili nga ne ndjek tashmë të njëjtin sistem regjistrues të kësaj kohe: për shembull, afrimi i “vitit 2000” ishte një event global. “Vite të reja” të ndryshme vazhdojnë të bashkëekzistojnë, por të gjithë së bashku janë pjesë e një mënyre plotësisht të përcaktuar datimi, krijuar për synime dhe qëllime universale. Një këndvështrim i dytë lidhet me standardizimin e kohës për rajone të ndryshme. Kështu, nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, zona të ndryshme gjeografike që ndodheshin brenda të njëjtit shtet kishin zakonisht “kohë” të ndryshme zyrtare midis tyre ndërkohë që, midis kufijve shtetërorë, situata ishte akoma dhe më kaotike.[2]

Në pjesën më të madhe, “zbrazëtia e kohës” është si parakusht për “zbrazëtinë e hapësirës”, çka do të thotë se e para ka epërsi karshi së dytës duke qenë se, ashtu sikundër argumentohet edhe më poshtë, koordinimi në kohë është baza e kontrollit të hapësirës. Zhvillimi i konceptit të “hapësirës së zbrazët” mund të kuptohet në termat e ndarjes së hapësirës nga vendi. Është me rëndësi të theksohet dallimi midis këtyre dy nocioneve, pasi ato përdoren shpesh dhe pak a shumë si sinonime të njëra-tjetrës. “Vendi” konceptualizohet më mirë nëpërmjet përdorimit të idesë së vendndodhjes lokale, e cila i referohet vendndodhjes fizike të aktivitetit shoqëror, për aq sa ajo (veprimtaria) ndodh diku gjeografikisht.[3] Në shoqëritë paramoderne, hapësira dhe vendi përputheshin kryesisht midis tyre, duke qenë se dimensionet hapësinore të jetës shoqërore, për pjesën më të madhe të popullsive dhe të lidhjeve midis tyre, zotëroheshin nga “prania” – nga aktivitete krejtësisht të lokalizuara. Mbërritja e modernitetit, në mënyrë të ndjeshme e ndau hapësirën nga vendi, sepse nxiti marrëdhënie ndërmjet të tjerëve “në mungesë”, lokalisht në distancë nga njëri-tjetri dhe pa mundësinë më të vogël të një ndërveprimi ballë-për-ballë. Në kushtet e modernitetit, përkufizimi i vendit u kthye në një nocion fantazmagorik, që do të thotë se vendndodhjet penetrohen dhe formësohen në termat e ndikimit shoqëror, krejtësisht në distancë prej tyre. Ajo çfarë e strukturon vendndodhjen nuk është thjesht ajo që është e pranishme në skenë; “forma e dukshme” e vendndodhjes fsheh marrëdhënie të distancuara, të cilat përcaktojnë natyrën e saj.

Ndarja e hapësirës nga vendi nuk është, si në rastin e kohës, e lidhur ngushtësisht me shfaqjen e instrumenteve të standardizuara të matjes. Instrumentet e ndarjes dhe nënndarjes së hapësirës janë përdorur shumë më parë sesa ato të matjes së kohës. Zhvillimi i “hapësirës së zbrazët” lidhet, para së gjithash, me dy grupe faktorësh: së pari, me ata të cilët e kanë pranuar riparaqitjen e hapësirës pa ju referuar një vendndodhjeje të privilegjuar, e cila formon dukshëm dhe njëanshëm një pozitë eprore; dhe, së dyti, me ata të cilët kanë bërë të mundur ndërrimin e njësive të ndryshme hapësinore. “Zbulimi” i zonave të “largëta” të botës nga tregtarët perëndimorë dhe eksploratorët ishte baza e domosdoshme e botëkuptimit si për këto dy grupe faktorësh, të përmendur më sipër, po ashtu edhe për vetë këta zbulues. Përmirësimi i skicimit të globit çoi në krijimin e hartave universale, tek të cilat këndvështrimet e ndryshme luajtën rol të vogël në paraqitjen e formës dhe pozicionit gjeografik dhe krijuan hapësirën e “pavarur” nga çfarëdolloj vendi ose zone të veçantë fizike.

Ndarja e kohës nga hapësira nuk duhet parë si një zhvillim i njëtrajtshëm në të cilin nuk ekzistojnë kundërshti, ose si një koncept që përfshin gjithçka. Në të kundërt, ashtu si në të gjitha trendet e zhvillimit, ka tipare dialektike, të cilat nxisin qasje kundërshtuese. Për më tepër, ndarja e kohës nga hapësira siguron një themel për rikombinimin e tyre, në raport me aktivitetin shoqëror. Kjo ilustrohet mjaft mirë, nëse i referohemi shembullit të orarit. Për disa, një orar, perceptohet si grafiku i kohës së nisjes së trenave; për të tjerë, në një vështrim të parë, një grafik i thjeshtë. Por në fakt orari është një renditje kohë-hapësirë, që na tregon jo vetëm se kur arrijnë trenat, por edhe ku. Si i tillë, ai na mundëson të bëjmë një koordinim kompleks të trenave dhe të pasagjerëve të tyre, duke na lehtësuar përllogaritjen e distancave të largëta dhe të pamatshme, më parë, të kohë-hapësirës.

Pse ndarja e kohës nga hapësira është kaq e rëndësishme për dinamizmin e jashtëzakonshëm të modernitetit?

Së pari, kjo lidhet me kushtin kryesor të proceseve të çrrënjosjes, analizuar shkurtimisht më poshtë. Ndarja e kohës nga hapësira dhe formatimi i tyre në dimensione të standardizuara “të zbrazëta” të normalizuara, shkëputi lidhjet ndërmjet aktivitetit shoqëror dhe “rrënjosjes” së tij në veçantitë e kontekstit të prezencës. Institucionet e çrrënjosura zgjeruan shumë distancimin kohë-hapësirë dhe, në të njëjtën kohë, për të pasur këtë ndikim, u mbështetën në koordinimin e kohës me hapësirën. Ky fenomen shërbeu për të ofruar mundësi të shumëfishta ndryshimi nëpërmjet çlirimit nga shtrëngesat e traditës dhe prej praktikave lokale.

Së dyti, kjo ecuri solli përftimin dhe përdorimin e mekanizmave që kanë të bëjnë me tiparin dallues të jetës shoqërore moderne: organizimin racionalizues. Organizimet (përfshirë shtetet moderne) mund të kenë ndonjëherë cilësi statike, inerciale, të cilat Weber i asocioi me burokracinë, por ndërkohë ato kanë zakonisht një dinamizëm që bie ndesh shumë me rendet paramoderne. Organizimet moderne janë në gjendje të lidhin bashkësitë lokale me ato globale në nivele të pakonceptueshme për shoqëritë tradicionale çka rrjedhimisht sjell, që këto organizime të ndikojnë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

Së treti, historia radikale që i bashkëngjitet modernitetit mbështetet mbi modelin e “futjes” në kohë dhe në hapësirë, gjë që nuk ndodhte në civilizimet e mëparshme. “Historia”, si shumatorja sistematike e së shkuarës dhe që na ndihmon në formësimin e së ardhmes, e ka fillesën e parë të madhe me shfaqjen e hershme të shteteve agrare, por që zhvillimi i institucioneve moderne i dha një shtysë të re thelbësore. Një sistem i standardizuar datimi, tashmë i njohur universalisht, na ofron një përmbledhje të njësisë së kaluar, megjithëse shumë nga “historitë” që e përbëjnë atë mund të jenë subjekt për interpretime kundërshtuese. Për më tepër, marrja si e mirëqenë e kartografimit të përgjithshëm të globit, bën që njësia e së shkuarës të merret një për të gjithë botën; koha dhe hapësira rikombinohen për të formuar një kornizë historiko-botërore të qartë të veprimit dhe të përvojës.


0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.