Mimoza Ahmeti – dy poezi

Shpirtka ime e vogël

Shpirtka ime e vogël

nga puthjet e mëmës sate

mëso se një vetmi e pandalshme

do të hapë udhën tënde,

një vetmi është çdo udhë,

një vetmi, çdo njeri.

Shpirtka ime, përgatitu:

një herë të paktën në jetë

një çmënduri kolektive

do ta godasë ëndrrën tënde

dhe askush s’do të dijë

nga erdhi.

Pastaj një akord paqësor

kolektiv

që përsëri nuk shpjegohet dot-

është si të shpjegosh erën-

do të fashitë gjithçka.

Dhe prapë ti, shpirtka ime e vogël,

do të shkosh fillikate:

do të ketë shumë ëndrra

që u ngjajnë fytyrave,

duarve,

dhe që freskojnë fytyrën

tënde dhe duart e tua:

por kjo do të jetë si uji-

vetëm rrjedh. Nuk qëndron.

Që të jem më e qartë me ty

shpirtka ime, mos harro:

njerëzit janë si mizat-

të ndotin në tortën e zemrës.

Dhe më i miri prej tyre

ta menderos një herë …

Unë të puth shumë

shpirtka ime e vogël,

sepse është kështu.

Bëhu i bukur

Bëhu i bukur sonte!

Dëbo grindjet, largimet dhe heshtjen e vrazhdë nga kujtesa.

Sillmë ndërmend mua.

Dhe veten!

Eja duke kënduar një këngë burri për jetën!

S’ka rëndësi se qysh, veç thuaja këngës trime,

me një tufë ëndrrash si tufë zogjsh

                hapur në mijëra drejtime!

Jo i vogël në shpirt,

                as i ngushtë!

Sonte

të dua të gjallë e të çlirë si natyra

dhe Njeri – zotërues i natyrës dhe vetes

gjithmonë!

Të dua pranë! Kuptomë!

Kam etje për krahët e tu mbi supet e mia,

për çlodhjen e kokës sime në qafën tënde

si në një qafë lisi!

Nuk të kërkon cektësia, por thellësia.

Të dua të ndershëm, të pakfjalë e të mençur;

të lodhur nga puna, kurrsesi nga jeta!

Të jesh i pastër, të biesh erë ujë si guri!

Të pafund të dua, të kem ku të mas vetveten!

Të dua të fuqishëm, të më ngresh peshë gjithë ç’jam – trup e ëndërr!

Që pastaj, kur të kthehem, pas mbrëmjes

e gjer natën vonë, të shkruaj vargje

shumë herë më të bukur e më të guximtë

nga këta që shkrova.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.