Më shumë për COVID-19

Material përgatitur sipas udhëzimeve të OBSH-së / Përditësuar, në përputhje me situatën, datë 11 mars 2020

Përshtatën: Dr. Fiqiri Kasollja dhe Andrea Nathanaili

LANI DUART!

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpërndarë disa informacione dhe udhëzime rreth COVID-19, ndërtuar mbi formën e pyetjeve dhe përgjigjeve, të cilat gjenden më poshtë.

Dy janë këshillat kryesore për të tejkaluar situatën e rënduar:

  • Reduktoni në maksimum socializmin;
  • Lani duart! Sapuni dhe alkooli janë në gjendje të shkatërrojnë këtë lloj virusi.

Ndërkohë, shqetësimet kryesore në këtë periudhë janë:

  • Në vendet ku nuk është bërë izolimi i të sëmurëve dhe kanë munguar testimet, spitalet nuk do të jenë në gjendje të përballojnë të sëmurët kur sëmundja të arrijë pikun e saj! Që do të thotë se shkalla e fatalitetit të sëmundjes do të rritet edhe më shumë.
  • Testi për verifikimin e sëmundjes është i shtrenjtë dhe kërkon njerëz të specializuar, si dhe një pajisje të posaçme;
  • Vaksina do të kërkojë kohë, afro një vit e gjysmë; shpresa është që duke pasur një formulë të mbingarkuar, gjatë përhapjes, virusi “të bëjë ndonjë gabim” dhe të pësojë ndonjë mutacion, por deri më tani nuk ka ndodhur – shkallën e mutacionit e ka të ulur, që do të thotë se nëse gjendet vaksina, mund të bëjë efekt, por e keqja e këtij konstatimi është se virusi do të vazhdojë ta ketë të mprehur kosën po njësoj!
  • Virusi merret me kontakt, ose nëse spërkalat e një të sëmuri që teshtin a kollitet përpara jush iu bien në fytyrë, të cilat mund të depërtojnë lehtësisht në trup nëpërmjet gojës, hundës dhe syve.
  • Më të rrezikuarit janë ata që pinë duhan, të sëmurët me zemër dhe me diabet, me sistem imunitet të dobësuar apo ata që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, si dhe personat që janë në të 80t.

1. Çfarë është një koronavirus?

Koronaviruset janë një familje e gjerë virusesh, në gjendje të shkaktojnë sëmundje si te kafshët, ashtu edhe te njerëzit. Tek njerëzit, shumë koronaviruse referohen si shkaktare të infeksioneve respiratore (rrugëve të frymëmarrjes), që për nga graviteti variojnë nga një ftohje e zakonshme (katar stinor – rrufë) deri tek sëmundjet e rënda, si MERS (Midle East Respiratory Syndrom – Sindromi Respirator i Lindjes së Mesme), ose SARS (Severe Acute Respiratory Syndrom). Të dyja këto sindroma janë zhvillime të rënda, të shpejta dhe me shkallë vdekshmërie të lartë, që shkojnë deri në 60%. Koronavirusi i zbuluar së fundmi shkakton sëmundjen koronavirusale COVID-19.

2. Çfarë është COVID-19?

COVID-19 është një sëmundje infektive, shkaktuar nga një koronavirus i zbuluar kohët e fundit. Virusi i ri dhe sëmundja e shkaktuar prej tij nuk kanë qenë të njohur para se të shpërthente infeksioni në Vuhan, Kinë, më dhjetor 2019.

3. Cilat janë simptomat (shenjat) e COVID-19?

Shenjat më të zakonshme janë: temperaturë, lodhje dhe kollë e thatë. Disa të sëmurë mund të kenë dhimbje trupi, bllokim e rrjedhje nga hundët, acarim në grykë apo heqje barku. Këto shenja zakonisht janë të buta dhe fillojnë gradualisht. Disa njerëz infektohen, por nuk manifestojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe nuk ndihen të sëmurë. Shumica e njerëzve (rreth 80%) shërohen pa qenë nevoja për trajtim special. Afërsisht 1 në 6 persona që sëmuren nga COVID-19, bëhet seriozisht i sëmurë dhe zhvillon probleme të rënda respiratore, vështirësi në frymëmarrje, deri në atë shkallë sa të bëhet e nevojshme vendosja në respirator mekanik. Njerëzit e moshuar dhe ata që paraprakisht vuajnë nga sëmundje kronike, si tensioni i lartë i gjakut, diabeti, problemet me zemrën, veshkat etj., është më e mundshme të zhvillojnë sëmundje serioze. Rreth 2% e njerëzve me këtë sëmundje kanë humbur jetën. Njerëzit me temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje, detyrimisht duhet të kërkojnë vëmendje mjekësore.

4. Si përhapet COVID-19?

Njerëzit mund ta marrin COVID-19 nga ata që e kanë këtë virus. Sëmundja mund të transmetohet nga një person tek tjetri nëpërmjet bartësve të virusit, që zakonisht janë spërklat që dalin nga goja apo hunda, të cilat lëshohen në ambient kur një person me COVID-19 kollitet ose nxjerr me forcë frymën apo teshtin. Këto spërkla bien mbi objektet dhe në sipërfaqet përreth të sëmurit. Të tjerë njerëz deri në atë kohë të shëndoshë, e marrin virusin duke prekur këto objekte. Pastaj prekin sytë, gojën apo hundën e tyre. Njerëzit mund ta marrin virusin, gjithashtu, duke thithur nëpërmjet frymëmarrjes së tyre të zakonshme spërklat e lëshuara në ajër nga një person i sëmurë. Kjo është dhe arsyeja pse ka rëndësi të qëndrohet më shumë se një metër larg një personi të sëmurë me këtë infeksion.  

5. A mundet që virusi shkaktar COVID-19 të transmetohet nëpërmjet ajrit?

Studimet e deritanishme tregojnë se virusi që shkakton këtë sëmundje transmetohet, kryesisht, nëpërmjet kontaktit direkt me spërklat respiratore, se sa nëpërmjet ajrit.

6. A mund të merret COVID-19 nga një person që nuk ka shenja të sëmundjes?

Rruga kryesore e përhapjes së infeksionit është nëpërmjet spërklave respiratore të nxjerra jashtë, nga dikush që kollitet. Rreziku i marrjes së infeksionit nga një person që nuk ka fare shenja të sëmundjes është shumë i ulët. Në se nuk ka spërkla të lëshuara jashtë, do ketë fare pak rrezik që ky i sëmurë absolutisht asipmtomatik, të bëhet burim infeksioni për të tjerët. Megjithatë, shumë njerëz me këtë sëmundje shfaqin veçse simptoma të lehta. Kjo është pjesërisht e vërtetë në fazat e hershme të sëmundjes. Për pasojë, ka mundësi që të merret COVID-19 nga dikush që shfaq një kollë të lehtë, por nuk ndihet aspak i sëmurë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.