Mbyllja e shkollave dhe mësimi on-line

Nga Valbona Nathanaili

Kanë filluar mësimet on-line me nxënësit e RSH, si zgjidhje për të vazhduar vitin shkollor. E njëjta zgjidhje po zbatohet edhe në botë! Aplikacione ka shumë dhe një pjesë janë shfrytëzuar më së miri edhe te ne.

Por përveç entuziazmit që po eksperimentojmë një metodë të re në një masë të madhe fëmijësh, përveç faktit që po ndërtojmë një protokoll të ri pune për raste emergjencash, përveç ruajtjes së kanaleve të komunikimit fëmijë-shkollë, përveç zënies së ditës së fëmijëve me aktivitete të orientuara dhe të kontrolluara, ju ftoj t’i bashkoheni shqetësimit po të mbarë botës: është një zgjidhje shumë e diskutueshme, dhe e përkohshme, sepse (janë një mijë e një arsye, por kam përmbledhur disa):

  • Mësimi on-line nuk ka as cilësinë, as efektin, as vlerën dhe as nuk e zëvendëson mësimin në klasë.
  • Mësimi on-line mund të zhvillohet vetëm për një përqindje shumë të vogël të popullsisë, kryesisht në qendrat e qyteteve dhe për familje me një status të caktuar ekonomik dhe familjar. Për pjesën tjetër të popullsisë, zëvendësimi me mësim edhe më pak formal, sikundër janë transmetimi në televizion i orëve të ndryshme mësimore, vetëm na e shton shqetësimin për cilësinë e shkollimit dhe bindjen për të gjetur zgjidhje sa më të mira në kushtet e dhëna.
  • Jo të gjithë mësuesit kanë mundësi ta zhvillojnë një mësim të tillë.
  • Mund të ketë edhe problema të tjera që mund të dalin gjatë rrugës, sikundër ishte provimi me “what’s up” që ishte menduar të bëhej në disa shkolla, raportuar nga media (për të qarë apo për të qeshur).

Mësimi on-line është një zgjidhje që duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë (nuk funksionon më qasja “me gjasme” si kemi vepruar deri tani! Nuk ka “me gjasme shkollë”).

1. Sa i takon mësimit on-line, këtë periudhë, duhet hequr dorë nga kurrikula standarde dhe të jetë një më fleksibël. Të gjithë e kuptojmë se arritjet akademike të fëmijëve, gjatë kësaj periudhe, edhe po çaluan pak, më e rëndësishme është shëndeti i tyre mendor. Në këtë drejtim, të shtohen edhe kurse a programe që kanë lidhje me shëndetin mendor, biseda e trajnime me psikologë etj.

2. Është zgjidhje e menduar jo mirë, zbatimi, në mënyrë uniforme, në gjithë Shqipërinë, i të njëjtës strategji vazhdimi të mësimit. Vetëm në se janë marrë masat që çdo fëmijë ka një kompjuter dhe lidhje internet në shtëpi!!!! Përndryshe, vendi duhet skanuar dhe ndarë në zona, dhe vendimmarrja të jetë gjeografike.

3. Viti shkollor jo vetëm nuk duhet të mbyllet sikundër është parashikuar që në shtator, por nuk ka pse të mbyllet në të njëjtën datë për të gjithë vendin (pa përjashtim, as matura dhe as klasat e nënta që kanë provime në fund), por në varësi të gjendjes.

4. Identifikimin e të gjitha OJF-ve që operojnë në rrethe për t’iu bashkuar përpjekjeve të bashkive dhe drejtorive arsimore për shpërndarjen e materialeve mësimore (tekste, libra, fletore, lapsa, ushqime… ) në familjet pa të ardhura dhe në ato ku mësimi on-line është një ëndërr në diell.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.