Macja në shi

Ernest Heminguej / Shqip: Piro Misha

Shkëputur nga libri: “Dëborat e Kilimanxharos”

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë: 1989

Në hotel vetëm ata të dy ishin amerikanë. Nuk njihnin asnjë nga klientët e tjerë që takonin shkallëve, sa herë që hynin e dilnin nga dhoma. Dhomën e kishin zënë në katin e dytë, me pamje nga deti. Shihnin po ashtu dhe kopshtin publik dhe monumentin për të rënët e luftës. Në kopshtin publik kishte disa palma të mëdha dhe stola të gjelbër ku, sa herë bënte mot i mirë, do të shihje një piktor me kavaletën e vet. Artistëve u pëlqente forma e palmave, po dhe ngjyrat e gjalla të hoteleve përballë kopshtit dhe detit. Italianët vinin që nga larg që të shihnin monumentin e të rënëve. Ai qe prej bronzi dhe ndriste në shi. Po binte shi. Ai pikonte nga gjethet e palmave, duke formuar pellgje në rruginat e shtruara me zhavorr. Nën shiun që binte, deti përplasej në gjithë  gjatësinë e bregut, pastaj zbythej që të kthehej sërish e të përplasej në gjithë atë vijë të gjatë.

Makinat qenë larguar nga sheshi përpara monumentit të të rënëve. Ndërsa, te porta e një kafeneje rrinte në këmbë një kamerier, që vështronte nga sheshi i zbrazët.

Amerikania po rrinte në këmbë te dritarja duke parë përjashta. Jashtë, nën dritaren e tyre, një mace qe tulatur poshtë njërës prej tryezave të gjelbra, që kullonte ujë. Qe mbledhur e tëra kruspull, që të mos lagej.  

  • Po zbres poshtë të marr atë macen, – tha gruaja amerikane.
  • Shkoj unë, – propozoi i shoqi që nga shtrati.
  • Jo, do shkoj vetë. E shkreta mace, është futur nën tryezë që të mos laget.

Burri vazhdoi të lexonte, i shtrirë, me kokën e mbështetur mbi dy jastëkë te këmbët e shtratit.

  • Mos lagesh, – tha ai.

Ajo zbriti poshtë dhe kaloi para zyrës të të zotit të hotelit, ky u çua nga vendi dhe e përshëndeti me një përkulje. Tryeza e tij e punës ndodhej mu në fund të zyrës. Ai ishte një burrë i moshuar e shumë i gjatë.

  • Il piove, – foli gruaja.

Asaj i pëlqente i zoti i hotelit. 

  • Si, si, signora, brutto tempo. Mot shumë i keq.

Rrinte prapa tryezës në fund të asaj dhome të errët.

Gruas ai i pëlqente. I pëlqente ajo mënyra aq tmerrësisht serioze se si ai rrinte e dëgjonte çdo ankesë që i bëje. I pëlqente dinjiteti i tij. I pëlqente ajo gatishmëria e tij për t’i shërbyer asaj. I pëlqente mënyra se si e kuptonte ai profesionin që kishte. I pëlqente fytyra e tij e plakur, kockëmadhe e ato duart e tij të mëdha.

Duke menduar këto, ajo hapi portën dhe vështroi përjashta. Shiu qe shtuar.

Një burrë me mushama po kalonte përmes sheshit të zbrazur, në drejtim të kafenesë. Macja duhet të qe nga e djathta. Ndoshta mund të shkonte gjer aty duke ecur nën strehë. Teksa vazhdonte të rrinte aty te porta, mbrapa saj u hap një ombrellë. Ishte pastruesja që përkujdesej për dhomën e tyre.

  • S’duhet të lagesh, – buzëqeshi ajo, duke i folur italisht. Me siguri, do t’ia kish dërguar i zoti i hotelit.

Bashkë me pastruesen që mbronte nga shiu me ombrellë, ajo eci nëpër rruginën e shtruar me zhavorr, gjersa mbërriti nën dritaren e dhomës.

Tryeza ishe aty, jeshile dhe shndriste ashtu e larë nga shiu, por macja kish ikur. Papritur e ndjeu veten të zhgënjyer. Pastruesja ngriti sytë dhe e vështroi.

  • Ha perduto qualque cosa, signora?
  • Ishte një mace, – tha vajza amerikane. 
  • Një mace?
  • Si, il gatto.

Një mace? – qeshi pastruesja. – Një mace në shi?

  • Po, – tha ajo. – Ishte poshtë tryezës. – Pastaj shtoi: – Oh, sa shumë që doja ta kisha. Doja të kisha një micë.

Kur ajo nisi të fliste anglisht, fytyra e kamerieres u nguros.

  • Ejani, signora, – i tha ajo.  – Ejani se duhet të kthehemi brenda. Do të lageni.
  • Po… po, patjetër, – tha amerikania.

U kthyen nëpër rruginën me zhavorr dhe hynë brenda. Pastruesja ndaloi pak përjashta, sa të mbyllte ombrellën. Teksa amerikania po kalonte para zyrës së tij, i zoti i hoteli u çua dhe e përshëndeti duke u përkulur që nga tryeza, ajo ndjeu se si diçka brenda saj u tkurr e u mblodh. Para të zotit të hotelit e ndiente veten tepër të vogël e në të njëjtën kohë njeri vërtet të rëndësishëm. Për një çast ai e bëri të ndihej tepër e rëndësishme. U ngjit lart, hapi derën e dhomës. Xhorxhi vazhdonte të ishte shtrirë duke lexuar.

  • E more macen? – pyeti, duke lënë librin.
  • Kishte ikur.
  • Kushedi nga ka shkuar, – tha ai duke ngritur sytë nga libri.

Ajo u ul në shtrat.

  • E desha shumë, – tha ajo. – Nuk e di pse e doja aq shumë. E doja atë micën e shkretë. S’duhet të jetë ndonjë qejf i madh të jesh një mace e mjerë në mes të shiut.

Xhorxhi kish nisur prapë të lexonte.

Ajo u çua nga krevati dhe vajti u ul para pasqyrës së tualetit, ku nisi të shihet në pasqyrën e vogël. E studioi fytyrën e saj në profil, në fillim nga njëra anë, pastaj nga ana tjetër. Më vonë nisi të shohë zverkun dhe qafën.

  • Si mendon, t’i lë më mirë  flokët të më rriten? – pyeti ajo, duke parë përsëri në profil.

Xhorxhi ngriti sytë dhe pa flokët e saj të qethur shkurt në zverk, si ato të një djali.

  • Mua më pëlqejnë kështu siç janë.
  • Më janë mërzitur, – tha ajo. – Jam e mërzitur me këtë pamje si prej djali.

Xhorxhi ndërroi vend në shtrat. Nuk ia kish ndarë sytë qëkurse ajo kish nisur të fliste.

  • Je shumë e bukur, – i tha.

Ajo e la pasqyrën mbi komo, shkoi te dritarja dhe pa përjashta. Po errësohej.

  • Dua t’i kem flokët të shtruar, të mbledhur nga mbrapa, me një topuz të madh në fund, që ta ndiej të më rëndojë, – tha ajo. – Dua të kem dhe një mace që të më rrijë në prehër e të gërhasë, kur unë ta përkëdhel.
  • Po, – foli Xhorxhi që nga krevati.
  • Dua që të ha në një tavolinë me takëme argjendi që t’i kem të miat, dua të ketë edhe qirinj. Dua që të jetë pranverë, dua t’i kreh flokët para pasqyrës, dua një mace e ca rroba të reja.
  •  Oh, mjaft më, merr e lexo ndonjë gjë, – tha Xhorxhi. Ai kish nisur përsëri të lexonte.

E shoqja vazhdonte të shikonte që nga dritarja. Tanimë qe bërë errësirë dhe përmbi palmat vazhdonte të binte shi.

  • Sidoqoftë, unë dua të kem një mace, – tha ajo. – Dua një mace, e dua që tani. Edhe po qe se s’kam flokë të gjatë e s’kam me ç’të zbavitem, dua të paktën të kem një mace.

Po Xhorxhi s’po e dëgjonte më. Ai po lexonte. E shoqja vështroi nga dritarja sheshin ku qenë ndezur dritat.

Sekush trokiti në portë.

  • Avanti, – tha Xhorxhi, duke i ngritur sytë.

Te porta ishte pastruesja. Me zor mbante të shtrënguar fort pas vetes një mace të madhe laramane, si një zhguall breshke.

  • Më falni, – tha ajo. – padrone më tha që t’ia sillja këtë sinjorës.
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.