Llazar Fundo Poezi Përkthyer nga Atjon Zhiti
Llazar (ose Zai) Fundo (1899 – 1944)
Filozofi dhe poet, veprimtar i shquar dhe antifashist, lauruar në Sorbonë dhe Moskë, dënuar nga fashistët me internim dhe nga komunistët me vdekje. Poezitë në italisht janë gjetur nga studiuesi i apasianuar i Zai Fundos, profesor Giovanni Falceta. U botuan së pari, në shqip, në “Milosao” në shtator 2013, përkthyer nga Atjon V. Zhiti.
NGA MËNGJESI NË MESNATË
Nga mëngjesi në mesnatë
kur dremit i tërë qyteti
për tokën mëmë mendoj
Më trallis ajo… të gjithin…
Zëmrat tona patriote
shpata u bënë për Shqipërinë
Prandaj larg atdheut,
ndjej një angështi të madhe
Dhe ja pse shkruaj
për të nxjerrë nostalgjinë
që dallëndyshen e Shirokës
ma sjell kaq të zjarrtë…
larg në Korçë, ma dërgon
në shtëpi tek të afërmit
sepse zëmrën e kam Korçë
vetëm trupin – Paris.
PER VDEKJEN E TIM ETI
Mëngjes mbytës më duket
dhe zemra më ther,
dihat,
Nga Korça mbërrin lajmi
babai im i dashur nuk jeton
babai im kaq i mirë
tani s’do të jetë më me ne
dhe unë që shumë të desha
nuk kam mundësi të të hedh një grusht dhé
Eci nëpër rrugën e gjerë
në këmbë, pa një drejtim,
atje sipër, kujtohem, im atë është zhdukur
nga sytë dhe zemra më rrëshqasin lotë
përzihen njerëz karroca makina
por unë asgjë s’dalloj përreth
babanë tim e mbështjell toka sot
ky shpirt në heshtje vuan,
nuk të kam parë prej vitesh baba
larg andej-këtej në mërgim
dhe nëse ballin nuk munda të ta puth
përulem me nderim nga këtej.
KUJTOJ TOKËN MËMË
Vetëm stepë, syri sheh
qiellin tej, lejla.
Larg nga atdheu
S’e di ç’dua në Mongoli.
Kuajt duke galopuar
hingëllijnë vazhdimisht
dielli si një furrë
përflaket humnerave të reve…
Syri sheh
lopë, dele, dhi
Kujtoj atdheun
larg në Mongoli
Me një kërrabë të gjatë
vrapon një bari
kullot kopetë
si në Shqipëri.
Foto kryesore
Atjon Zhiti, vizatuar në muret e lokalit “Osteria di Via Pre”, buzë lumit Navilia, Milano.
Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!