Letrat Nga Myftar Barbullushi

Lionardo, po të shkruaj për një krizë të fortë veshkash, e cila është aq e tmerrshme, sa mund ta përshkruajë vetëm ai që e ka provuar. Më dhanë të pija shumë ujë dhe nxora, me urinë, copëza gurësh në ngjyrë të bardhë. Më pas u qetësova shumë… Me ndihmën e Zotit dhe shpirtit të mirë shpresoj, në pak kohë, të jem i qetë e çlirohem tërësisht prej tyre… (Letra, 325)

Kështu i shkruante, më 23 mars të vitit 1549, i madhi Michelangelo Buonarroti, nipit të tij Lionardo di Buonarroto Simoni.

Ky magjistar i gdhendjes në mermer të veprave të një bukurie të pashoq, me këto fjalë gdhend në imagjinatën tonë çfarë do të thotë krizë e gurit të veshkave, si dhe elemente jashtëzakonisht të domosdoshëm në përcaktimin e diagnozës, dhe sidomos në mjekimin e tyre:

Mëngjes dhe darkë, për rreth dy muaj, po pi ujë prej një burimi që është rreth 40 milje larg nga Roma (Viterbo). Mjekët më thonë se ky ujë shkrin gurët e veshkave…

Prej tij po nxjerr copa gurësh në urinë. Jam aq i lidhur me të, sa nuk pi apo ha asgjë tjetër (Letra 334, datë 8 qershor 1549).

Edhe pse 500 vjet më parë, Michelangelo na ka gdhendur mjekimin tradicional, që edhe sot mbetet bashkëkohor në parandalimin dhe mjekimin e gurëve në veshka: dietë e bollshme me lëngje, shoqëruar me kufizim të kripës dhe proteinave.  

Fizikisht jam aq i lodhur, sa ndjehem sikur të isha plak. Mjekët thonë se gurët më kanë dëmtuar veshkat… (Letra 434)

– shprehet ai, duke pikturuar simptomat e humbjes së funksionit të veshkave. Në ato pak rreshta spikat lodhja e madhe nga helmet organike, që nuk eliminohen dot nga veshkat dhe që shoqërohen me anemi dhe tension të lartë:

Vazhdojnë të më trajtojnë për këtë sëmundje të veshkave, edhe pse kanë shumë shpresa. (Letra 323).

Një përzierje mjalti, uthulle, uji deti dhe bajame të shtypura, e cila duhej të merrej tri herë në ditë, përbënin dietën e detyrueshme, që ai e përshkruan aq bukur në një letër tjetër që i dërgonte miqve.

Por ngjarjet nuk rrjedhin ashtu sikundër shpresohej! Pak kohë pas kësaj letre, gjendja e tij shëndetësore vazhdon të rëndohet. Shumë shpejt ndërron jetë, më 18 shkurt 1564, në moshën 89 vjeçare, edhe pse e ndiqnin mjekët më të mirë të kohës, dy fiorentinasit, Dr. Frederigo Donato dhe Dr. Gerardo Fidellissimi.

Shprehja “Secili piktor pikturon veten e tij” i atribohet Michelangelos, sipas mikut të ngushtë, Giorgio Vasari.

Në buletinet shkencore të kohës, në një studim udhëhequr nga Galeni, shkruhet se veshkat janë të pajisura me një force atraktive, që u mundëson të ndajnë skoriet nga pjesa serioze e gjakut. Duket se Michelangelo e ka ndjekur me shumë seriozitet avancimin e sëmundjes dhe ka qenë familjar me strukturën dhe funksionin e veshkave, sepse në pjesë të ndryshme të  kryeveprave të tij, studiuesit gjejnë ngjashmëri ndërmjet anatomisë së trupit të njeriut dhe pamjes që ofron piktura, pavarësisht tematikës së kërkuar. Në veprën “Ndarja e tokës nga uji”, përpunimi kompjuterik i gjithë kompozimit tregon se është ndërtuar sipas modelit të veshkave.

Zgjedhjet e piktorit dhe dyshimet e studiuesve kanë të gjitha një bazë: dashurinë e vjetër të Michelangelos për funksionimin e trupit të njeriut dhe në veçanti për anatominë, e cila duhet t’i ketë lindur kur djalë i ri, adoleshent, iu bashkua oborrit të Mediçëve, njerëzve të pasur dhe me influencë të Fiorentinës dhe që shpesh etiketohen edhe si kumbarët e tij në art.

Një nga veprat që ka ngjallur më shumë diskutime është piktura që gjendet në tavanin e Kapelës Sistine, e cila përbëhet nga nëntë fragmente, të gjitha në funksion të “Librit të Gjenezës”. Në fragmentin “Zoti krijon Adamin”, dy studiues amerikanë nga spitali “Johns Hopkins”, argumentojnë se autori ka përdorur një prerje tërthore të trurit të njeriut, ndërsa fragmenti “Ndarja e dritës nga errësira” është një ilustrim perfekt i shtyllës kurrizore të njeriut.

Michelangelo di Lodovico Buonarroti Simoni, (6.3.1475 – 18.2.1564, Romë, Itali), ka qenë skulptor, piktor, arkitekt & poet.

Për të kryer këtë vepër Michelangelos i janë dashur plot katër vjet dhe në këta katër vjet ka reflektuar, me sa duket, për atë që Zoti ka krijuar: njeriun jo vetëm si qenie fizike, por edhe si qenie humane, e aftë të mendojë dhe të argumentojë, funksione të cilat i kryen nëpërmjet trurit. Përndryshe, pse Adami duhej vendosur në sfondin e trurit njerëzor?

“Ethet, ijët, dhimbjet, sëmundjet, sytë dhe dhëmbët” janë fjalët që përbëjnë epitafin e tij, gdhendur në vitin 1544, por ku, për fat të keq, evidentohen jo cilësitë, por ankesat e këtij burri të madh nga gurët në veshka.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.