Lamtumirë Mjeshtër…!

Nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë

Njoftim i datës 7 maj 2020

Kolegë të nderuar!

Me keqardhje të madhe ju njoftojmë, lajmin e papritur të humbjes së jetës, së arkitektit të njohur, “Mjeshtër në Arkitekturë”, z. Maks Velo.

U largua një figurë poliedrike intelektuale, një artist e arkitekt, i cili me të gjithë krijimtarinë e tij hodhi bazat e modernes në Arkitekturën Shqiptare.

Prej kohësh Velo ishte shndërruar, natyrshëm, në figurën publike profesionale më interesante në vend, përfaqësues i mendimit progresiv në arkitekturë. Projektet e Maks Velos fillojnë më vitet 1960 – 1970 të shekullit të kaluar, dhe shërbyen si fillesat e një arkitekture moderne e inovative, në kundërshtim me formalizmat neo-klasike të regjimit të atëhershëm.

Cilësia e veçantë e krijimtarisë së tij, që u konsolidua edhe më shumë në vitet në vijim, si dhe oponenca, në fjalë dhe vepra, kundër ngushtësisë së mendimit gjatë diktaturës  komuniste, u bënë shkas për ta izoluar dhe internuar: në vitin 1973 u përndoq dhe u burgos nga regjimi i kohës, për cilësinë “ndryshe” të arkitekturës e artit.

Kontributi i i Maks Velos në arkitekturë është atipik në raport me kohën dhe vendin ku janë ndërtuar veprat me projektet e tij.

Disa nga veprat më të rëndësishme që trashëgojmë sot, projektuar nga arkitekti Maks Velo (vetëm, ose në bashkëpunim), janë:

  • Parku i Madh i Liqenit, Tiranë dhe shtëpizat e vogla shplodhëse në të.
  • Shkolla 8 vjeçare “Emin Duraku”, Tiranë;
  • Objekt banimi pranë Hotel Tiranës (pallati me kube);
  • Godina e ish-ATSH, Tiranë;
  • Ish-hotel “Arbana”, Tiranë;
  • Kinemaja e Laprakës, Tiranë;
  • Kinema “Pionieri”, Tiranë;
  • “Uzina Mekanike”, Peshkopi.

Maks Velo, me dinamizmin dhe thellësinë e mendimit që kishte për arkitekturën, urbanistikën, artin, por edhe për tema të ndryshme kulturore në përgjithësi, do të shërbejë si model për çdo arkitekt dhe intelektual në vend.

Maksi nuk ngurroi kurrë të fliste dhe të ngrinte zërin, për tema të nxehta që shqetësonin shoqërinë shqiptare.

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërise, në vitin 2019, e vlerësoi me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”. 

Në emër të Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë ngushëllojmë përzemërsisht të gjithë të dashurit dhe miqtë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.