KUR TË VDES & TË DUA Nga Havzi Nela
Nga HAVZI NELA (20 shkurt 1934 – 10 gusht 1988)
KUR TË VDES
- Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?
- Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urreu mizorin”,
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.
- Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërrmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.
- Thoni: “Desh, kërkoi lirinë
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.
- Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”.
Thoni: “Për njerzinë këndoi
E për vete mbajti zi”.
- Thoni se e qorroi terri,
Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”
- Kur të vijë të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue,
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.
- Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushlloni,
Thoni: “Gjallë kurkush s’ka mbetë!”
TË DUA
- Me të thanë: të due, kjo asht fare pak,
Oh, sa e vogël duket kjo fjalë!
Dashuninë time nuk e shpreh aspak;
Zemrën që buçet, derdhen shkumb’ e valë.
- Me të thanë se bota pa ty asht nji hiç,
Ti s’do ta besosh, do t’qeshish me mue;
Për ty sot jam nda me tanë shok’ e miq,
Më shohin me inat, veç pse unë të due.
- Kur unë thom: je dielli, hana pesëmbëdhjetë,
Të tjerët të shajnë, nxjerrin helm e vner,
Ti, për mu, e dashtun, gjithmonë ke me mbetë,
Trandafil i bukur, kur çel në pranverë.
- Të due, oh, të due, po digjem si zjarri,
Të due sa s’thuhet, nuk shprehet me gojë,
Për dashuninë tande nuk më kalb as varri,
Për nji puthje buzësh, u thava, o zojë.
- Të due për trupin, shtatin si selvi,
Për synin filxhan, vetullën kaleshë,
Për faqet, për gojën, buzët si qershi,
Por ma shumë për shpirtin, kur ambël më qesh.
- Del, oh del, e dashtun, mos më le të vuej!
Bota le të flasin, e kanë nga zilia;
Del, mos rri e mbyllun, fjalën mos ma luej!
Kush flet keq për ne, i vraftë Perëndia!
Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!