Kur do, do

Sipas folklorit shqiptar

Përpunoi: Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte! Na ishte një herë një samarxhi! Samarxhiu ishte shumë i pasur, aq i pasur, sa nuk dinte ku t’i fshihte florinjtë që kishte. Një ditë i shkrepi në kokë një mendim i çuditshëm: do t’i shkrij të gjithë florinjtë që kam dhe do ia vesh një samari të vjetër. Ideja i pëlqeu dhe, pa një pa dy, e realizoi: me floririn e shkrirë veshi samarin më të vjetër që kishte dhe, për ta ruajtur e të mos rënë në sy, e vendosi në një qoshe me pluhur, diku, larg derës kryesore të dyqanit. Në dyqan nuk linte asnjë të shiste, pasi kishte merak se mos ia shisnin samarin-flori.

Por një ditë prej ditësh, një shok e mik shumë i ngushtë, e fton të marrë pjesë në dasmën e djalit. “Të dua patjetër në dasmë! Nuk mund të më mungojë miku më i mirë që kam!” Nuk ia prishte dot! La djalin në dyqan dhe e porositi të ketë kujdes, njëqind herë kujdes, por nuk i tregoi për samarin e mbuluar në flori dhe të maskuar në pluhur. Të nesërmen, në dyqan fanitet një fshatar dhe i kërkon një samar: “Le të jetë i vjetër, – këmbëngul”! Dhe djali ia shet.

Kur vjen i ati, sa futet brenda, direkt i shkojnë sytë tek vendi ku duhej të ishte samari. I bie pika kur nuk e sheh dhe i kërkon djalit llogari: “Pse e shite, o bir! Kujt ia shite dhe sa?” Djali, që nuk e kuptoi mërzitjen e të atit, iu përgjigj:

– Po fshatari e kërkoi me ngulm, o atë! O samarin, o s’ka. I vjetër ishte në fund të fundit!

Samarxhiu i gjorë, i mërzitur në kulm, nuk kishte çfarë të bënte! U përplas në minder dhe gjeti ngushëllim në fjalët: “Kur s’do, s’do”, që i përsëriste herë pas here, pavarësisht se me çfarë merrej.

Pas dy ditësh të sikletshme, herët në mëngjes, pa u hapur ende dyqani, tek dera gjen një fshatar me një samar në dorë. Sytë i shkëlqejnë, sepse njohu mallin e vyer, por nuk e dha veten. Me qetësi e pyet:

– Urdhëro, zotrote, çfarë ke?

– Ore zotëri! – ia kthen me nervozizëm fshatari. – Përpara dy ditësh bleva këtë samarin në këtë dyqan. Ishte një djalë i ri! Samari ishte i vjetër, por çmimi i arsyeshëm. Dhe e bleva! Por çfarë i ke bërë këtij samari, se ma bëri copë gomarin.

Dhe i kërkon një samar tjetër. Samarxhiut i qeshi buza dhe tha me vete: “Kur do, do”.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.