Intervistë me Valbona Nathanaili / Diplomat apo krijues?

Intervistë me Valbona Nathanaili / Autore e librit “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”

MAPO Zonja Nathanaili, ju sapo keni publikuar librin “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”, si lindi ideja për këtë libër?

Valbona Nathanaili Më shumë se ide, botimi i këtij titulli ishte zgjedhje nga disa projekte për botime që paraqiti Qendra UET pranë UET-Press. Një titull i tillë vjen për herë të parë në shqip. Në gjuhë të huaj do të gjeni plot libra të ngjashëm, ose të paktën që i kushtohen veprimtarisë së ambasadorëve të “rekrutuar” nga fusha e krijimtarisë, por në shqip mungonte. Për të sistemuar mënyrën e paraqitjes, si dhe për zgjedhjen e materialeve që do të përfshiheshin, kam shfletuar dhe jam konsultuar me shumë libra të kësaj lloj literature, botuar në vende të ndryshme të botës. Libri u pasurua dhe u konsolidua gjithmonë e më shumë falë bashkëpunimeve që kam pasur me secilin prej “personazheve” të librit, direkt me ta ose me të afërmit e tyre. Veprimtaria krijuese, sikundër edhe aktiviteti i pasur i secilit në fushën e diplomacisë dhe të krijimtarisë, besoj se jo vetëm i japin librit vlera të veçanta, por e fusin në librat që duhet të jenë pjesë e bibliotekës së çdo lexuesi.

Arkiva e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ishte një burim i shkëlqyer. Sa më shumë shfletoja materialet e gjetura, aq më shumë pasurohej libri në ide e tematika dhe aq më e vështirë bëhej zgjedhja: çfarë do paraqes dhe çfarë do mbahet për një botim të dytë. Në këtë botim, linjat kryesore të librit janë tri: 1. Veprimtaria krijuese dhe diplomatike e çdo ambasadori. 2. Forumi me katër pyetje. 3. Një profil kulturor dhe të dhëna për ambasadorët e parë të akredituar në Shqipëri ose nga Shqipëria për disa vende, me të cilat marrëdhëniet diplomatike gjithmonë kanë pasur një peshë të veçantë, ku po veçoj Francën, Jugosllavinë dhe Rusinë.

MAPO Në kopertinë janë disa nga emrat më të njohur të penës, saqë pakkush mban mend se ata kanë qenë dhe ambasadorë, ndërsa disa të tjerë njihen më shumë për punën e diplomatit, cili ishte synimi i këtij libri dhe, a është ezauruar tërësisht brenda tij lista e diplomatëve-shkrimtarë ose e shkrimtarëve-diplomatë?

Valbona Nathanaili Është shumë i vërtetë pohimi juaj, ndërkohë mendoj se e bën edhe më tërheqës, pasi e plotëson njohjen tonë. Librin, disa e kanë quajtur antologji dhe të tjerë, album. Unë e kam klasifikuar në kolanën tonë “Scripta imanent” – e shkruara mbetet, që i përfshin edhe klasifikimet e mëparshme, por që nën këtë klasifikim merr përmasat që synonte: evidentimin e punës dhe të mendimit krijues të disa prej njerëzve më të shquar që për periudha të veçanta, duke qenë krijues, janë thirrur në shërbimin diplomatik për të përfaqësuar vendin tonë në nivelet më të larta.

Për shkak të zgjedhjeve të zgjuara që shteti ynë ka bërë, herë pas here, në fushën e përfaqësimit me krijues ambasadorë e diplomatë, lista me emra, kandidatë për t’u përfshirë në libër, rezultoi shumë e gjatë. Në këtë vëllim, pas hartimit të kësaj liste janë përfshirë kryesisht ata për të cilët u krijua mundësia e kontaktit ose e gjetjes së materialeve. Lexuesi ka në dorë vëllimin e parë. Mendoj që vitin tjetër të kem gati edhe vëllimin e dytë të tij.

MAPO Sipas jush, është diplomati që kërkon letërsinë, apo e kundërta? Cili është pikëtakimi mes shkrimtarit dhe diplomatit?

Valbona Nathanaili Mendoj që është diplomacia që kërkon jo vetëm letërsinë, por krijimtarinë në përgjithësi. Për këtë arsye janë bërë pjesë e librit jo vetëm shkrimtarë e artistë, por edhe akademikë. Është e rëndësishme të theksojmë se në Francë, për periudha të gjata kohore dhe në mënyrë periodike, janë akredituar ambasadorë me një trashëgimi të pasur në fushën e letrave, shpesh herë pa asnjë formim a përvojë të mëparshme në diplomaci. Historia e përfaqësimit në Francë, në libër, fillon në vitin 1947 dhe mbyllet më 2013. Javer Malo emërohet më 1947, fillimisht, si Atashe shtypi e Sekretar i parë, ndërsa më vonë, më 1967, rikthehet përsëri në rolin e ambasadorit; Misto Treska është ambasadori ynë më 1979; Luan Rama më 1997; Jusuf Vrioni në UNESCO (me seli në Francë) më 1998 dhe Ylljet Aliçka më 2007, të cilët të gjithë bashkë, me veprën dhe punën e tyre pothuaj e kanë institucionalizuar kriterin kryesor të zgjedhjes për t’u akredituar në këtë shtet, atë të “të qenit krijues”. Por jo vetëm. Duket se edhe në ShBA kërkohet të ruhet e njëjta traditë, themelet e së cilës u betonuan nga puna, përkushtimi e krijimtaria e Faik Konicës. Me vendosjen sërish të marrëdhënieve me ShBA, Pëllumb Kulla, një nga autorët shqiptarë më prodhimtarë, shumëdimensional sa i takon llojit të letërsisë së lëvruar dhe kontributeve në kulturë, ishte ndër ambasadorët e parë të akredituar në këtë shtet mbas viteve ’90. Zgjedhje me nivele po aq të mira përfaqësimi kanë qenë edhe Teodor Laço dhe Piro Milkani, autorë, përkthyes, skenaristë, regjisorë e aktorë, të cilët i kanë shërbyer vendit, përkatësisht, në Rusi dhe Çeki.

Nga fusha e akademisë janë përfshirë Vasil Nathanaili, Agim Nesho, Arben Cici dhe Shaban Murati. Jo për koincidencë, por si zgjedhje, Nathanaili ka studiuar mjekësi në Romë dhe juridik në Tiranë. Për ata që e njohin diplomacinë, Nathanaili quhet diplomat-karriere. Ka qenë ambasador në Beograd, Moskë dhe Pekin në periudhat më “të lulëzuara” të marrëdhënieve tona me to. Agim Nesho është diplomuar dhe ka mbrojtur doktoraturën në inxhinieri. Njëlloj si Nathanaili, edhe Nesho ka kohë që i është kushtuar diplomacisë dhe ka shërbyer në vende e organizata kyç: ShBA dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Arben Cici është laureuar për gjuhë të huaja, ka mbrojtur doktoraturën në Shkenca historike të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në intervalet nga një shërbim diplomatik në tjetrin, gjithmonë i është kthyer katedrës universitare, me dëshirën për të përçuar te studentët jo vetëm bagazhin e pasur të dijeve, por edhe përvojën e fituar nga një karrierë e konsoliduar. Shaban Murati njihet për kontributet e vyera në fushën e diplomacisë e të publicistikës dhe i ka shërbyer vendit në disa misione diplomatike. Pikëtakimi i krijuesit me diplomatin mendoj se qëndron pikërisht në rolin e përbashkët: atë të përfaqësimit të vendit, të kulturës e vlerave më të mira. E thënë thjesht, në faktin se duke qenë intelektualë, dinë të përfaqësojnë denjësisht shoqërinë shqiptare. Lavdia e punës së tyre përmblidhet në përmbushjen e aspiratave tona se janë në gjendje të ndihmojnë në begatinë dhe lartësimin e Shqipërisë.

Faleminderit!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.