Historia e Çamërisë

Parathënie për librin “Historia e Çamërisë” Autor Kristo Frashëri

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi

Me këtë botim publiku shqiptar po vihet për të parën herë në dijeni me historinë e një krahine shqiptare tepër të martirizuar gjatë shekujve. Fjala është për krahinën e Çamërisë, e cila nga historianët e huaj njihet si pjesë përbërëse e provincës së Epirit të lashtë apo të “Epirit të Vjetër” të historisë mesjetare. Është një fat për publikun tonë që historinë e Çamërisë e mori përsipër ta trajtojë, me një sintezë shkencore, historiani ynë i shquar, Kristo Frashëri, Profesor i Historisë së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe studiues i thellë i Rilindjes Kombëtare në Institutin e Historisë, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kristo Frashëri është autor i dhjetëra monografive me tematikë nga Historia e Shqipërisë dhe i qindra artikujve studimorë mbi tema të veçanta të historisë shqiptare. Historia e Shqipërisë, e kuptuar si një e tërë, është pasioni i jetës së Prof. Kristo Frashërit. Nuk ka periudhë të kësaj historie, nuk ka personalitet të saj, së cilës të mos i ketë kushtuar studime të thelluara dhe, për të cilat, të mos ketë thënë fjalën e tij me peshë.

Profesor Kristo Frashëri ka meritën se është historiani i parë shqiptar, i cili ka botuar më tepër se gjysmë shekulli më parë një punim të përmbledhur të Historisë së Shqipërisë, që nga kohët e lashta deri në ditët tona. Historia e përmbledhur është botuar jo në gjuhën shqipe, por në katër gjuhë të huaja, në vitin 1964.[1]  Qoftë si punimi i parë, qoftë si trajtesë e përmbledhur, vendi që zë Çamëria në këtë punim historik të vitit 1964 është shumë i shkurtër. Por, qysh në studimin e tij “Trojet shqiptare në shek. XV”[2] e, më tej, në studimin tjetër të botuar në gjuhën shqipe “Les Territoires Albanais dans le Haut Moyen-Age”[3], Prof. Frashëri bëri përpjekjen e parë në historiografinë shqiptare për të përvijëzuar, mbi bazën e burimeve historike, shtrirjen e habitatit historik të shqiptarëve në periferinë më jugore të tyre, në atë që sot quhet “Çamëri”.

Me botimin e tanishëm autorit iu dha mundësia të trajtojë, në cikël të plotë, historinë fatkeqe të Çamërisë, të kësaj krahine etnikisht shqiptare, peripecitë që ajo pati në rrugëtimin e saj nga lashtësia deri në ditët tonë, si edhe padrejtësitë që shoqëruan trajtimin e çështjes çame në tryezat e diplomacisë europiane. Si konkluzion, me këtë punim në trajtimin e historisë së Çamërisë, spikatin, së pari, bagazhi historik i autorit në lidhje me trajtimin e çështjes çame; e dyta, aftësia e autorit për ta trajtuar problemin e Çamërisë si problem shkencor i historisë shqiptare; e treta, të dhënat e sakta që përdor autori në trajtimin tepër të vështirë të problemit çam nga pikëpamja historiografike.

Në këtë trajtesë autori është përqendruar, kryesisht, në vijën e përgjithshme të ngjarjeve historike që kanë tronditur krahinën e Çamërisë. Këto ngjarje fillojnë me problemin tepër të hershëm të historisë së Çamërisë, e cila ka të bëjë me përbërjen etnike të banorëve të Çamërisë, kalon pastaj në zhvillimet dramatike të historisë antike që pësoi kjo krahinë, që në atë kohë quhej Thesproti, gjatë pushtimit romak, vazhdon me evolucionin e ngjarjeve që ndodhën gjatë Mesjetës së hershme, kur emrin e Thesprotisë e zëvendësoi apelativi Vageneti, më tej gjatë Mesjetës qendrore kur fillon përvijëzohet karakteri etnik shqiptar i krahinës së Çamërisë me emrin Despotati Shqiptar i Epirit i fisnikëve Spata.

Një vend të veçantë në historinë e Epirit zë historia e Çamërisë gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Duhet kujtuar se, nga shekulli XVI, kur dalin të dhënat e para të karakterit etnik  të popullsisë së Ballkanit, banorët e Çamërisë kuptohet se i përkisnin, në shumicën dërrmuese, etnisë shqiptare. Pikërisht, në këtë pikë ka meritë të veçantë punimi i Kristo Frashërit. Ai ka mundur të ndriçojë evolucionin që ka ndjekur koncepti mesjetar bizantin mbi kombësinë në Gadishullin Ballkanik. Ai ka vënë re se koncepti territorial i ndërtuar mbi emrin “Epir” të provincës u shndërrua në konceptin burokratik “romajos” (poμαιος) të administratës bizantine për të gjithë shtetasit e saj. Përkundrazi, me tronditjen që pësoi Perandoria e Lindjes nga Kryqëzata IV (1204), në Perandorinë Bizantine u përhap koncepti modern i kombësisë, i cili ka si komponent kryesor jo përkatësinë kishtare dhe shtetërore, siç kishte koncepti “romaios”, por komponentin kombëtar. Sikurse do ta vërë re lexuesi, mbi këta parametra të njëllojtë me ato të viseve të tjera të Shqipërisë është ndërtuar historia e Çamërisë gjatë periudhës së sundimit osman. Janë të vetmet parametra, të cilat e shkëpusin historinë e shqiptarëve të Çamërisë nga historia e mëparshme e banorëve bizantinë “romaios” dhe, në të njëjtën kohë, nga historia e mëvonshme e pakicës helene që banonte në Çamëri.

Kapituj të rëndësishëm për historinë e Çamërisë janë ballafaqimi i saj me politikën megallomane që qarqet nacionaliste greke ndoqën pas krijimit të shtetit grek për krahinën e Çamërisë. Në këtë ballafaqim pozitat e shqiptarëve në krahasim me ato të Athinës qenë të ngjashme me ato të Davidit kundër Golias. Megjithatë, “Davidi”, edhe pse i dobët, arriti ta përballonte gjatë krizës lindore të viteve ’70 furtunën e Kongresit të Berlinit, në atë masë sa i detyroi gjashtë Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga Protokolli nr. 13 që kishin nënshkruar më 13 korrik 1878, me të cilin Greqia aneksonte, të ashtuquajturën, pjesë jugore të Epirit. Por, siç dihet, akrepat e diplomacisë botërore shpeshherë lëvizin edhe mbrapsht.

Në korrik të vitit 1913, me luftë e mizori të padëgjuara, Greqia e aneksoi krahinën shqiptare të Çamërisë. Në vitet që pasuan, qeveria greke u përpoq t’i dëbonte çamët nga vendi i tyre, duke instaluar aty një regjim të shtypjes e të persekutimeve, të mohimit të të drejtave njerëzore e minoritare e të sekuestrimit të pronave e të shtëpive, deri në tentativën tinzare të përfshirjes së çamëve myslimanë në shkëmbimin e popullsive të parashikuar në Traktatin e Lozanës dhe përcjelljen e tyre si “turq” në drejtim të Turqisë. Pasi edhe kjo përpjekje, falë qëndresës së vetë çamëve dhe denoncimit të ashpër të qeverisë shqiptare në Lidhjen e Kombeve, dështoi me turp, Athina vendosi të luajë gurin e fundit. Në vitet 1944-1945, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet një operacioni të përgjakshëm spastrimi etnik, trupat greke të gjeneralit famëkeq Napolon Zerva e përzunë me dhunë, drejt Shqipërisë, popullsinë çame myslimane. Jo vetëm kaq, por duke iu përmbajtur skemave nacional-shoviniste të “Megali Idesë”, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, qeveritë e Athinës, ndërsa refuzonin me këmbëngulje të njihnin ekzistencën e një “çështjeje çame” nuk rreshtën së bëri çdo përpjekje për të pretenduar aneksimin edhe të Shqipërisë së Jugut, të pagëzuar prej tyre qysh prej vitit 1913 si “Vorio Epir”. Si provë e kësaj ndërgjegjeje të sëmurë të politikës së Athinës në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetet famëkeqi “Ligj i luftës me Shqipërinë” që ajo vazhdon të mbajë në fuqi.    


  • [1] Në anglisht: Frashëri, K. (1964). The History of Albania. Tirana, ff. 344; në frëngjisht: Frashëri, K. (1964). Histoire d’Albanie. Bref aperçu. Tirana, ff. 361; në rusisht: Frashëri, K. (1964). Historija Albanii. Kratkij obzor. Tirana, ff. 325; në gjuhën kineze: Frashëri, K. (1964). Shangai, ff. 281.
  • [2] Frashëri, K. (1968). Trojet shqiptare në shek. XV. Kumtesë e mbajtur në Konferencën II Kombëtare të Studimeve Albanologjike, Tiranë, 12-18 janar 1968, kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Botuar në Aktet e Konferencës, Vëll. I, Tiranë, ff. 109-113.
  • [3]Frashëri, K. (1982). Trojet shqiptare gjatë Mesjetës së hershme. Kumtesë e mbajtur në Koferencën Kombëtare kushtuar Formimit të Popullit Shqiptar, Gjuhës dhe Kulturës së tij, Tiranë. Botuar më parë në variantin frëngjisht me titull: “Les territories albanais dans le Haut Moyen-Age”, në Studia Albanica 2 (1982) 93-107 dhe, më vonë, në variantin shqip në Aktet e Konferencës, Tiranë, 1988, ff. 45-57.  
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.