Histori e Ballkanit

Histori e Ballkanit Nacionalizmi, luftërat dhe Fuqitë e Mëdha 1804-2012 Autor: Misha Glenny / Botues: Pema, Prishtinë: 2019 / Përkthyen: Abdurrahim Myftiu dhe Kastriot Myftiu / ISBN: 9789951721806 / Çmimi: 15€ * 2000 lekë / F: 752

Pjesë nga hyrja

Me gjasë, z. Blair e ka thënë këtë i ndikuar nga Dracula e Bram Stoker-it, në të cilën thuhet se Ballkani ka zënë “qendrën e një fare vorbulle imagjinare”, ku “janë mbledhur bashkë të gjitha bestytnitë e para gjykimet që njeh bota”. Për dhjetëvjeçarë me radhë njerëzit në Perëndim i kanë vështruar këto treva si një zonë të paujdisur mirë në hartë, që ndan qytetërimin e mirëujdisur të Evropës nga rrëmuja e Lindjes. Sot gjuha e vëzhguesve nuk është aq romantike, por ndjenjat, që e largojnë dhe mitologjizojnë Ballkanin, ende gjallojnë. E vërteta është se vetëm kohët e fundit, në të dalë të shekullit XX, bota i ka përdorur mbiemrin “ballkanik” dhe derivate si “ballkanizim” për terma me kuptim keqësues. Për shembull, kur dikush shfaq “mendësi ballkanike”, nënkup-tohet mendësia që parapëlqen hile, teprime dhe pamundësi për t’u mbështetur tek ai. Kur Jugosllavia nisi të shpërbëhet më 1989, mediat, të cilat prej kohësh kishin nxjerrë jashtë përdorimit klishe të tilla për njoftime e reportazhe nga Afrika, Lindja e Mesme ose Kina, filluan të përhapin përgjithësime për popujt që banojnë në këtë rajon, si dhe për historinëe tyre. Me sa duket Ballkani gëzon një përjashtim të veçantë nga rregulli kundrejt stereotipizimit.

E vërteta është se madje edhe kufijtë e këtyre trevave misterioze ndërmjet dy kontinenteve janë të paqarta. Sipas shumë dijetarëve, Danubi përfaqëson kufirin verior të gadishullit. Ky kufi do t’i përfshinte të gjithë, përveç Rumanisë, një vend që është i pranishëm jo vetëm në shumicën e studimeve perëndimore për Ballkanin, por edhe në historitë rumune për Ballkanin, megjithëse ky vend nuk e ka fort për zemër të përfshihet në një grup me fqinjët e tij jugorë. Pas Luftës I Botërore politikanët amerikanë dhe evropiano-perëndimorë shpesh e kanë përmendur Hungarinë si pjesë të gadishullit, mirëpo prej vitit 1945 e këndej, ky përcaktim ka ardhur duke mos u ndier më. Shumë kroatë ç’prej kohësh kanë ngulur këmbë në mendimin se kultura e tyre nuk ka të bëjë me Ballkanin dhe se identiteti i tyre është krejtësisht evropiano-qendror. Mirëpo të paktë janë ata historianë, që pajtohen me këtë mendim. Ishujt e Greqisë në Egjé e në Jon kanë marrë e përfituar nga trashëgimia mesdhetare e, megjithatë, qyteti i dytë i vendit për nga madhësia, Selaniku, ka një histori aq të rëndësishme për Ballkanin, sa ç’ka edhe ajo e Sarajevës.

Mjegulla që i mbulon këto treva davaritet herë pas here, duke na zbuluar pamje e tipare të papritura, për t’u lëshuar përsëri më pas mbi ato treva e për të krijuar një peizazh të ri e të ndërlikuar. Çdo vështrim e shqyrtim i vëmendshëm i gadishullit ballkanik ndeshet me çështjen e kufijve – çështje jashtëzakonisht e vështirë për të marrë përgjigje. Cilat vende i përkasin këtij gadishulli? Një problem edhe më i ndjeshëm është: cilët popuj përfshin ai? Studiues, politikanë, diplomatë dhe gazetarë të panumërt kanë dhënë përkufizimet e tyre, të mbështetura me lloj-lloj argumentesh të karakterit gjeografik, politik, etnik dhe historik, disa syresh të peshuara e të arsyeshme, të tjera pa vend e pa kuptim. Por në mendim të njëjtë nuk është rënë kurrë, dhe as nuk ka qenë e mundur.

Sikundër në të gjithë librat e tjerë që merren me Ballkanin, përkufizimi për këtë gadishull, i përdorur në këtë libër, është një ndërthurje kriteresh gjeografike, historike e politike. Si rajone themelore janë vështruar Greqia kontinentale, Serbia, Kroacia, Rumania (edhe pse roli i Transilvanisë është dytësor), Turqia e Perandoria Osmane, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina,Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Për aq sa kanë ndikuar nganjëherë në këto treva, janë trajtuar shkurt edhe territoret periferike të Sllovenisë,Vojvodinës, Hungarisë, Moldavisë, Anadollit, Qipros, si dhe ishujt grekë të Egjeut e të Jonit. Vështirësia në çështjen e përkufizimit të gadishullit të Ballkanit lind nga bashkimi i disa cilësimeve e përshkrimeve politike e gjeografike, që në vetvete janë problematike. Termi Gadishull Ballkanik është i kohëve të reja, i krijuar nga gjeografi gjerman Johann August Zeune më 1808. Ai ka lindur nga keqkuptimi i dikurshëm, se vargu i maleve Ballkan, shtylla kurrizore e Bullgarisë së sotme, nuk ndërpritet në Serbinë Lindore (sikundër ndodh në të vërtetë), por zgjatet pa ndërprerje nga Deti i Zi në Adriatik. Gjatë një shekulli, ky përshkrim i pasaktë la në hije emërtime të tjerë klasikë ose gjeopolitikë, si “Turqia në Evropë” ose Lindja e Afërt, sikundër parapëlqehet në shumicën e gjuhëve evropiane. Termi më asnjanës, Evropa Juglindore, vijon si në anglishten, ashtu edhe në gjermanishten edhe sote kësaj dite.

Si sinonim për Ballkanin, “Turqia në Evropë”, rajonet e Perandorisë Osmane, që gjenden në perëndim të Bosforit, shtrojnë çështjen e karakterit të periferisë veriore – pjesë të Hungarisë, Kroacisë e madje të Austrisë dikur kanë qenë nën pushtetin e ushtrive osmane. Fakti që një territor i dhënë shkëputej nga Perandoria Osmane, a nënkuptonte se, bashkë me shkëputjen, humbte edhe statusin e vet ballkanik? A janë jashtë Ballkanit provincat e dikurshme osmane të Bosnjës e Hercegovinës, ngaqë u aneksuan prej Perandorisë Austro-Hungareze më 1908, para shembjes së Perandorisë Osmane?

Vetëm aty nga fundi i Luftës I Botërore, këtij termi iu shtua një shtresim i ri kuptimor. Termi “ballkanizim” për herë të parë u përdor nga gazetarë e politikanë jo për të cilësuar copëtimin politik të gadishullit të Ballkanit, por për të shënuar lindjen e një numri shtetesh të rinj të vegjël në vend të perandorive të Habsburgëve dhe Romanovëve. Do të kishte qenë po aq e saktë po ta përcaktonim këtë proces si evropianizim lindor ose madje edhe si balticizim i Evropës. Por përkufizimi më i qëndrueshëm i fjalës “Ballkan” e ka zanafillën në vrasjen e arqidukës Franz Ferdinand në Sarajevë më 1914. Më 1940, gazetari amerikan John Gunther, shkruante në librin e tij mjaft të dëgjuar “Evropa pa maskë” se:

  • “Është turp i padurueshëm për frymën njerëzore e politike, që këto vende të vogla, të pafata e të mjera në gadishullin e Ballkanit të grinden, e vërtet guxojnë të grinden, deri aty sa të shkaktojnë luftëra botërore. Rreth 150 mijë të rinj amerikanë duhet të vdisnin për shkak të një vrasjeje, të kryer më 1914, në një fshat primitiv plot baltë me emrin Sarajevë. Megjithatë, hakërrimat e neveritshme e gati të ndyra në politikën ballkanike, jo fort të kuptueshme për lexuesin perëndimor, ende luajnë rol jetik për paqen në Evropë dhe, ndoshta, edhe për paqen në botë.”

Kanë thënë për librin:

  • Një vepër që meriton admirim të jashtëzakonshëm. Libër i pakrahasueshëm me asnjë më parë! The Guardian
  • Glenny na jep një tablo të pasur të rrethanave historike të ngjarjeve në dhjetëvjeçarin e fundit… Vepra e Glenny-t mbulon një hapësirë gjeografike dhe historike jashtëzakonisht të gjerë, që nga Greqia e fillimit të shekullit XIX e deri në Kosovën e pardjeshme. Njëherazi, gjatë rrugëtimit në histori, autori gjen kohën për t’u ndalur e për të dhënë përshkrime emocionuese, fragmente poezie dhe portrete të fuqishme të personazheve kryesore. Kjo është një histori popullore e shkollës së Norman Davies-it, e konceptuar në shkallë të gjerë, shumë e pëlqyeshme dhe e kuptueshme në të lexuar, e përshkuar tejetej nga muzika e së kaluarës…  Një arritje e madhe. Timothy Garton Ash, Mail on Sunday
  • Glenny kurrë nuk shkruan keq; në gjërat më të mira ai i jep gjuhës freskinë e një përvoje vetjake të ndjerë thellë. Ky libër merr jetë e gjallëri në përshkrimin e skenave që i ka ndjekur vetë me sy, si gazetar. Ai përdor me shkathtësi e zhdërvjelltësi burime kronikash, raportesh e rrëfimesh – sidomos ato të gazetarëve të kohëve të shkuara, dëshmitë e të cilëve shpesh shpërfillen prej historianëve akademikë. Pasioni i fuqishëm nuk ia mjegullon syrin objektiv. Çka e bën historian të mirë – e gati të madh – të këtij rajoni është saktësia dhe thellësia e gjykimit. Mbi të gjitha, ky libër fiton vlera të reja nga vështrimi dhe interpretimi i mprehtë i tablosë bindëse të problemeve. Felipe Fernandez-Armesto, Sunday Times
  • Misha Glenny është më i mprehti e më i thelli ndër të gjithë ata gazetarë perëndimorë, që e kanë mbuluar këtë trevë të Evropës në dy dhjetëvjeçarët e fundit… Ky libër ka qenë një ndërmarrje jashtëzakonisht ambicioze, por e nevojshme për Evropën dhe Amerikën…
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.