Gjiganti i madh i mirë

Autor: Roald Dahl

Shqip: Naum Prifti

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë: 1990.

Teleshtrangujt (pjesë nga libri)

  • Meqë ju nuk hani njerëz ashtu si gjigantët e tjerë, atëherë me çfarë ushqeheni? – e pyeti Sofia.
  • Ky problem është jahstëzaknisht i vështirë në vendin tonë, – iu përgjigj Gjiganti i Madh i Mirë (GJMM). – Në këtë vend përrallor dhe të mallkuar hajet e mira, si ananasi dhe protokuajt, nuk rriten fare. Në përgjithësi asgjë nuk rritet këtu veç një lloj zjarr-zavateje që të sjell nakati. I thonë teleshtrangull.
  • Teleshtrangull! – bërtiti Sofia. – S’ka ndonjë bimë të tillë.

GJMM shikoi Sofinë dhe i qeshi duke zbuluar dy duzina dhëmbësh të bardhë katrorë.

  • Jo më vonë se dje, – tha ai, – as për gjigantët nuk besoje, apo jo? Kurse sot s’po u zë besë teleshtrangujve. Sipas teje pra një gjë që s’ke arrirë ta shikosh me ato dy sy’ke arrirë ta shikosh me ato dy syçkat e vogla, s’u daska besuar se ajo ekzistoka? A nuk bëre kështu edhe me rastin e atij Dinos-haurit të liqenit Lok-Nes në Skoci?
  • Ju lutem, më ndjeni!
  • Po për gungaxhumbën?
  • Çfarë është ky? – e pyeti Sofia.
  • Po për Yllshterikun?
  • Si thatë?
  • Dhe për ndeshtrashën?
  • Mos janë kafshë? – e pyeti Sofia.
  • Ta pret mendja, kafshë dhe të gjalla madje, – e siguroi GJMM me një vështrim fitimtari. – Unë nuk jam ndonjë gjigant i gjithëdijshëm, por e kuptoj fare mirë se, midis njerëzve të tokës, më kokëtrashë se ti s’ka. Ti sikur e ke mbushur kokën me pambuk anglofil.
  • Mos deshët të thoshit me pambuk hidrofil? – e korrigjoi Sofia.
  • Tjetër gjë dua të them e tjetër gjë me del nga goja, – tha GJMM gjithë mirësjellje.  – Dhe tani po të tregoj se çfarë është teleshtrangulli.

GJMM hapi kanatin e një bufeje të stërmadhe dhe nxori së andejmi një send me pamje të çuditshme, që Sofia s’e kishte parë kurrë. Qe një gjë e gjatë, thuajse sa gjysma e shtatit të një burri, po shumë më e trashë. Kishte pothuajse perimterin e një landoni. Qe e zezë, me vija të bardha së gjati dhe disa kokrriza të ashpra i mbulonin gjithë sipërfaqen…

  • Shihe, ky është teleshtrangulli i përshtirë, – thirri GJMM duke e tundur para vetes. – Unëe ujërrej! E përçshtyj! E seqëndis! Por, meqë nuk pranoj të gëlltis njerëz si gjigantët e tjerë, më duhet ta kaloj jetën duke u dëndur me këta teleshtranguj zorrëshkulës. S’ka ç’bëj, përndryshe do të mbetesha veçse kockë e lëtyrë.
  • Deshët të thoshit kockë e lëkurë, – e ndreqi Sofia.
  • E di fare mirë se i thonë lëkurë, – iu përgjigj GJMM. – Por më kupto, të lutem, se s’kam ç’bëj kur, duke folur, ndodh që ngatërrohem nga pak. Megjithatë, unë rroptaem si e si për mirë.

Gjiganti i Madh i Mirë u duk aq i mjeruar, sa Sofisë i erdhi me të vërtetë keq.

  • Më ndjeni, – i tha ajo, – nuk desha t’ju qortoja.
  • Këtu, në vendin e gjigantëve, s’ka pasur kurrë shkolla për të mësuar, – tha trishtueshëm gjiganti.
  • Si, nuk ju paska mësuar nëna? – e pyeti Sofia.
  • Nëna! – thirri GJMM. – Po ku kanë nëna teleshtrangujve gjigantët? Kaq gjë duhet ta dije.
  • Nuk e dija, – pranoi Sofia.
  • S’është dëgjuar kurrë të flitet për ndonjë femër gjigante! – bërtiti GJMM duke rrotulluar teleshtrangullin si laso mbi kokë. – Nuk ka pasë pasur ndonjëherë gemra gjigante! Dhe kurrë s’ka për të pasur! Gjigantët kurdoherë janë burra.

Sofia u ndie pakëz e turbulluar.

  • Po atëherë si keni lindur ju?
  • Gjigantët nuk lindin, – u përgjigj GJMM. – Ata fanepsen, vetëm kaq. Fanepsen, ja, ashtu njëlloj si dielli dhe yjet.
  • E kur jeni fanepsur ju? – e pyeti Sofia.
  • Nga dreqin ta di unë? – u përgjigj GJMM. – Ka kaluar aq shumë kohë ëe atëherë, sa s’bëhet hesap.
  • Mos doni të thoni se as nuk e dini sa vjeç jeni?
  • Asnji gjigant s’i di vjeçët, – tha GJMM. – Unë për vete di kaq gjë: se jam i vjteër, që qëmoti, shumë i vjetër dhe shumë i rrudhur. Ndoshta jam aq i vjetër sa edhe vetë toka.
  • Ç’ndodh kur vdes një gjigant? – e pyeti Sofia.
  • Gjigantët nuk vdesin kurrë, – u përgjigj GJMM. – Ndodh ndonjëherë që ndonjë gjigant të zhduket fare papritu dhe askush s’e merr vesh se ku ka vajtur. Po shumë nga ne vazhdojnë të jetojnë pambarimisht, si përtypës të kohës, që s’ndiejnë kurrë të nginjur.
Roald Dahl

GJMM, që vazhdonte ta mbante teleshtrangullin e hatashëm në dorën e djathtë, vuri një anë të tij në gojë dhe shkuli një goxha copë me dhëmbë. Filloi ta përtypte dhe, ta dëgjoje, të dukej se po mbllaçiste copa akulli.

S’ka pikë shije, – murmuriti. Foli me gojën plot dhe ca dromca teleshtrangulli fluturuan drejte Sofisë si gjyle topi. Vogëlushja, për t’u mbrojtur nga këto predha, u përkul e filloi të kërcente sa më një anë në tjetrën mbi tryezë.

  • Është e pështyrë, – gromësiti GJMM. – Të shtie krupën. Ndyrësirë! Është i mirë vetëm për nakati. Provoje dhe vetë njëherë, shijo pak nga ky teleshtrangulli i shpifur.
  • Jo, faleminderit, – i tha Sofia duke u sprasur.
  • S’ka çfarë të gëlltitësh tjetër tani e tutje, kësisoj do të bejë mirë të mësoheshe, – e këshilloi GJMM. – Prandaj jepi, vogëlushe, haje!

Sofia ngjëroi teleshtrangullin.

  • Appapa! Bobobo! – thirri. – Jo, nuk mund ta shtyj, ndihmë! E pështyu pa mënuar atë që kishte futur në gojë. – Ngjan si lëkurë zhabe, – shkrofëtiu. – Dhe më pas të lë një shije si peshk i qelbur.
  • Më keq akoma, – bërtiti GJMM, duke u skuqur nga një e sqeshur plot gaz. – Mua më duket sikur ka shije kacabujsh dhe furrëtartaresh.
  • Pse, vërtet me këtë do të ushqehemi? – u shqetësua Sofia.
  • Po, përndryshe do të dobësohesh aq shumë, sa të shndërrohesh në kineskë.
  • Pineskë, – e korrigjoi Sofia.  – se kineska dhe pineska janë gjëra krejtësisht të ndryshme.

Sërish një pezmatim prekës u duk në vështrimin e GJMM.

  • Ah, me këto fjalët… – psherëtiu ai, – e kam piks. Ti duhet të jesh e duruar me mua, mos më tiganis kokën. Ta thashë edhe qëparë, e di shumë mirë si duhen thënë fjalët, mirëpo se si më shtrëngatëmbërohen as vetë s’e di.
  • Kjo u ngjet të gjithëve, – i dha zemër Sofia.
  • Jo aq sa mua, – tha GJMM.  – Unë flas beter, s’më merret vesh fare gjuri.
  • Sa për vete, unë mendoj se ju flitni në mënyrë të mrekullueshme, – i tha Sofia.
  • Vërtet? – bërtiti GJMM me fytyrë të rrëzëllitur. – E ke me tërë mend?
  • Gjuha juaj është një mrekulli, – ia përsëri Sofia.
  • Ja, kjo është dhurata më e çmuar që kam marrë në jetën time! – thirri GJMM. – Mos po bëni ndonjë rromuz me mua?
  • Në asnjë mënyrë, – u përgjigj Sofia. – Unë e ardhuroj gjuhën tuaj!
  • Kjo po, kjo është fantazmatike! – bërtiti GJMM gjithmonë rrëzëllitës. – Kjo është e mih-natshme! Absolutisht madhërreshtore! E ndiej veten shumë, shumë të gazuar.
  • Dëgjomë pak, – e ndërpreu Sofia. – Pse vetëm teleshtranguj do hamë ne? Rreth e përqark fshatit ku banoj unë, ka plot fusha ku rriten zarzavate të shijshme, si për shembull leluelakra, karota. Pse nuk shkoni të shkulni ca të tilla herës tjetër kur të veni atje?

GJMM ngriti kokën lart krenarisht.

  • Unë për vete jam gjigant i nderuar, – shpalli ai. – Më pëlqen më mirë të mbllaçit asish teleshtranuj të pështyrë sasa t’u vjedh njerëzve.
  • Po mua ama më vodhët që ç’ke me të, – vërejti Sofia.
  • Oh, se mos vodha ndonjë gjë të madhe, – iu përgjigj GJMM duke buzëqeshur ëmbël.  – Në fund të fundit ti s’je veçse një piripuqe vogëluqe.
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.