Panairi i 23-të i Librit “Tirana 2020” (on line) / Çmimet

Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me rastin e Panairit të 23-të të Librit “Tirana 2020” (on line), përmes jurisë së ngritur, dha këto çmime dhe vlerësime për autorët, përkthyesit dhe lexuesit e vitit.

Çmimin e “Autorit më të mirë” e merr zoti Fatos Baxhaku (pas vdekjes) për librin “Në emër të Noes” me motivacionin:

Për stilin e veçantë e për t’u lakmuar të rrëfimit të historisë së Shqipërisë, në emër të Noes, vetë shkrimtari ynë, që gjen paqen në degën e ullirit.

Çmimin e “Përkthyesit më të mirë” e merr zoti Agim Doksani, për romanin e Elena Ferrantes, “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, me motivacionin:

Për prurjen shumë cilësore në shqip të romanit, për respektimin e stilit, të sintaksës dhe pasurisë gjuhësore në përshkrimin e karaktereve.

Çmimin e “Autorit më të mirë” të letërsisë për fëmijë e merr zonja Adelina R. Mamaqi për librin “Ne tani lexojmë vetë” me motivacionin:

Për përmbushjen e qëllimit kryesor të letërsisë: eksplorimin e botës dhe njeriut. Për lehtësinë me të cilën përçon te lexuesit e vegjël filozofinë që të orienton drejt kuptimit të thelbit të ekzistencës. Për simbiozën mes autores dhe lexuesit që i drejtohet.

Çmimi i “Përkthimit nga letërsia franceze”, i akordohet zotit Primo Shllaku, për romanin “Katedralja Shën Mëria e Parisit” me motivacionin:

Përmes sfidës së ripërkthimit, na risjell në shqip një vepër madhështore e kanonike përmes një verbi elegant e të kërkuar dhe një regjistri të riaktualizuar për lexuesin e shekullit të ri.

Çmimi i “Lexuesit më të mirë” i jepet djaloshit Jamarbër Hoxha me këtë motivacion:

Për dashurinë dhe vëmendjen e veçantë që ai ka për librin dhe letërsinë.

Suksese!

Kur do, do

Sipas folklorit shqiptar

Përpunoi: Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte! Na ishte një herë një samarxhi! Samarxhiu ishte shumë i pasur, aq i pasur, sa nuk dinte ku t’i fshihte florinjtë që kishte. Një ditë i shkrepi në kokë një mendim i çuditshëm: do t’i shkrij të gjithë florinjtë që kam dhe do ia vesh një samari të vjetër. Ideja i pëlqeu dhe, pa një pa dy, e realizoi: me floririn e shkrirë veshi samarin më të vjetër që kishte dhe, për ta ruajtur e të mos rënë në sy, e vendosi në një qoshe me pluhur, diku, larg derës kryesore të dyqanit. Në dyqan nuk linte asnjë të shiste, pasi kishte merak se mos ia shisnin samarin-flori.

Por një ditë prej ditësh, një shok e mik shumë i ngushtë, e fton të marrë pjesë në dasmën e djalit. “Të dua patjetër në dasmë! Nuk mund të më mungojë miku më i mirë që kam!” Nuk ia prishte dot! La djalin në dyqan dhe e porositi të ketë kujdes, njëqind herë kujdes, por nuk i tregoi për samarin e mbuluar në flori dhe të maskuar në pluhur. Të nesërmen, në dyqan fanitet një fshatar dhe i kërkon një samar: “Le të jetë i vjetër, – këmbëngul”! Dhe djali ia shet.

Kur vjen i ati, sa futet brenda, direkt i shkojnë sytë tek vendi ku duhej të ishte samari. I bie pika kur nuk e sheh dhe i kërkon djalit llogari: “Pse e shite, o bir! Kujt ia shite dhe sa?” Djali, që nuk e kuptoi mërzitjen e të atit, iu përgjigj:

– Po fshatari e kërkoi me ngulm, o atë! O samarin, o s’ka. I vjetër ishte në fund të fundit!

Samarxhiu i gjorë, i mërzitur në kulm, nuk kishte çfarë të bënte! U përplas në minder dhe gjeti ngushëllim në fjalët: “Kur s’do, s’do”, që i përsëriste herë pas here, pavarësisht se me çfarë merrej.

Pas dy ditësh të sikletshme, herët në mëngjes, pa u hapur ende dyqani, tek dera gjen një fshatar me një samar në dorë. Sytë i shkëlqejnë, sepse njohu mallin e vyer, por nuk e dha veten. Me qetësi e pyet:

– Urdhëro, zotrote, çfarë ke?

– Ore zotëri! – ia kthen me nervozizëm fshatari. – Përpara dy ditësh bleva këtë samarin në këtë dyqan. Ishte një djalë i ri! Samari ishte i vjetër, por çmimi i arsyeshëm. Dhe e bleva! Por çfarë i ke bërë këtij samari, se ma bëri copë gomarin.

Dhe i kërkon një samar tjetër. Samarxhiut i qeshi buza dhe tha me vete: “Kur do, do”.

Si ti, burrë, dhe unë, grua

Nga Aferdita Blaka (Kosova) / Poezi

Në këtë jetë të barabartë kemi ardhë,

Si ti, djalë, dhe unë vajzë,

Jetën të dy njësoj e duam,

Si ti, burrë, dhe unë, grua.

Por diçka për mua është ndryshe,

Që mbi forcën, vë arsyen,

Që me zemër, marr fuqinë,

Dhe fjala “nënë”, më jep lumturinë.

Mos, mos, mos ti more djalë,

Mendo se dhe ti, nga një nënë ke ardhë,

Mendo sikur atë të mos e kishe,

E din shumë mirë që jeta e ngrohtë nuk do të ishte.

A kujton kur i vogël ishe,

Pas fustanit të saj nga e panjohura fshiheshe,

Pas zërit të saj  ti shpejt vrapoje,

E kërkoje, e kërkoje se shumë e doje.

Ushqimin vetëm nga dora e saj e shijoje,

Këshillën e mirë nga ajo e pranoje,

Aromën e saj nga të tjerat dalloje,

Dashurinë e zjarrtë nga sytë e saj, ëndërroje.

Këto kërkon shumë edhe tani,

Që flokët po të zbardhen dhe po të bëhen gri,

Sa herë që veten ti keq e ndjen,

Nga thellësia e shpirtit, vetëm fjala “nënë” të del.

Mendo tani ti fëmijën tënd,

Pa ngrohtësi, pa dashuri atë po e lë,

Pa fjalën, pa mbrojtjen, pa të ëmblën shpresë,

E pa të bukurën fjalën “nënë”, të thërresë.

who’s who Afërdita Blaka (Kosova)

Aferdita Blaka (Kosova), 2020
  • Aferdita Blaka (Kosova) u lind në Durrës, më 1960. Me mbarimin e shkollës së mesme, zhvendoset në Tiranë, për të ndjekur studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar për oficerë. 
  • Ka ndjekur shumë shkolla, seminare e trajnime, brenda e jashtë vendit, veçuar: kursin orientues të Oficerit të Shtabit Ndërkombëtar, në Hollandë; kursin për oficerët rezervistë, në Shkollën e NATO-s, Oberamergau Gjermani (2003); Kursin e Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Naval Postgraduate School – Monterey, Kaliforni, SHBA (2007); kursin 1 vjeçar të “Komandës dhe Shtabit të Bashkuar në Kolegjin e Forcave Kanadeze”, Toronto, Kanada (2010-2011).     
  • Karrierën ushtarake e fillon si instruktore, më vitin 1983. Në vitin 1984 emërohet instruktore taktike dhe vijon si shefe shtabi batalioni, në Reparte Ushtarak, Tiranë deri më vitin 1992.
  • 1992-2001 p punon si instruktore personeli, shefe administrate dhe shefe personeli në Fakultetin e Forcave Tokësore, Akademia Ushtarake (AU) “Skënderbej”, Tiranë.
  • Në periudhën 2003 – 2010 është oficere Shtabi për menaxhimin dhe planifikimin e personelit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në periudhën 2010-2012 është specialiste për analizë strategjie dhe Oficere shtabi në Qendrën e Analizave të Mbrojtjes në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.
  • Më vitin 2012 del në rezervë bazuar në ligjin e Forcave të Armatosura për plotësim të kohës së qëndrimit në gradën e mbajtur “Nënkolonele”.  
  • Afërdita Blaka (Kosova) ka marrë pjesë në shumë konferenca, në rolin e folësit dhe të ftuarit të nderit.

Botime

  • 2020, tetor “Mira”, dashuri pa kusht. Novelë. Botues: Fondacioni “Henrietta Leavitt” (proces botimi)
  • 2020, tetor Si ti burrë dhe, unë, grua. Poezi, Tirana Review of Books
  • 2012, qershor, “Roli i Induksionit dhe Deduksionit në fushën e mbrojtjes”, Gazeta “Ushtria”.
  • 2012, maj “Mënyra e komandimit dhe parimet bazë të punës në një shtab komande”, Gazeta “Ushtria”.
  • 2011, dhjetor Sfida e operacioneve të NATO-s – “COIN or conventional war”, “Revista ushtarake”.