Frika e mendjes Laidon Shapo

Poezia “Frika e mendjes” është shkëputur nga vëllimi “Prapa mos shih, përpara shko” Autor Laidon Shapo, botim i vitit 2016.

Frika e mendjes Autor Laidon Shapo


Frikë nga gabimi i parë – më shumë nga pasiguria
Frikë nga adoleshenca – më shumë nga pleqëria
Frikë nga provimet – më shumë nga notat e këqija
Frikë nga martesa – më shumë si do rriten fëmija
Frikë nga një punë e re – më shumë nga papunësia
Frikë nga shoqëri e keqe – më shumë nga vetmia
Frikë nga bukuria e tepërt – më shumë nga shëmtia
Frikë nga fluturimi – frikë dhe nga klaustrofobia
Frikë nga tranzicioni – më shumë nga varfëria
Frikë nga e panjohura – më shumë nga padija
Frikë nga zhurmat – frikë dhe nga qetësia
Frikë nga fundi i botës – më shumë nga pafundësia

Frikë nga e djeshmja që pas si hije na ndjek
Frikë dhe nga e sotmja që udhëve na përpjek

Frikë nga e ardhmja që dot s’mund ta dimë
Më shumë frikë nga kjo botë që ikim e vijmë

Tek të gjithë frika hije ka lënë
Por jo të gjithë me frikë në zemër flenë
Disa me të zgjohen dhe bëjnë sikur jetojnë

Të tjerë pa ju dridhur qerpiku në sy frikën shikojnë

Thuhet që frika me njeriun lind e një ditë vdes me të
Nëse nga rrëzimet e jetës dot s’ngrihemi më

Frika zemrën dhe mendjen burgosur na mban
Dhe e nesërmja të humbur betejën pa filluar ka!

Laidon Shapo
Mjek, politika të shëndetit publik

Laidon Shapo ka kryer studimet e larta për Mjekësi, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, Shqipëri. Më pas ka kryer studimet Master në “Shëndet Publik”, pranë “London School of Hygiene and Tropical Medicine”, Londër, Mbretëri Bashkuar. Shapo ka qenë pjesë e grupit të vëzhgimit pranë “Institutit të Shëndetit Publik”, Tiranë, gjatë epidemive të kolerës (1994) dhe poliomielitit (1997-1998), që u përhapën në disa zona të vendit. Nga viti 1998 jeton dhe punon në Londër. Pjesë e karrierës në ishull kanë qenë detyrat si kërkues shkencor, përgjegjës për strategjitë në lidhje me shëndetin publik dhe hartimin e politikave shëndetësore, në disa autoritete lokale të Londrës. Ka punuar si kërkues shkencor pranë “The London School of Hygiene & Tropical Medicine”, si dhe është angazhuar, në të njëjtin rol, pranë “Primary Care Trusts”, pjesë e “Shërbimit Kombëtar të Shëndetit” në Angli. Në periudhën 2000-2001 ka qenë në Shqipëri, në kuadër të një projekti për studimin e diabetit në popullatë, bashkëpunim me “London School of Hygiene and Tropical Medicine”, financuar nga “Welcome trust”, i pari projekt i këtij lloji në Shqipëri. Aktualisht punon pranë Bashkisë së Southwark (South East London), në Departamentin e Shëndetit Publik, ku drejton programin e integrimit të kujdesit shëndetësor dhe atij social.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.