Fat i mallkuar…! Nga Fatmir Musai

“Thuaj yjet janë zjarr,
Thuaj Dielli u shua…”…
… Unë për ty nuk shkoj në varr,
Nuk jam lumë, as det… jam krua!

S’më ka shkuar kurrë ndër mend
Të të pyes: – Vdes për mua?!…
S’jam Romeo që u çmend,
Dhe pas meje gjallë të dua!

Një rrëke bëhet përrua,
Një përrua bëhet lumë,
Fjalë e parë e artë, “Të dua!”,
Që prej shekujsh fle në gjumë!

Do ta zgjojmë si dikur
Që të rrojmë mijëra vjet,
Apo do t’i ngremë një mur,
Të mos ecë lumi në det?!

Mos harro, e fshehta ime:
Kur të zgjohesh, mos e tremb,
Se i shfaqen ca vegime
Edhe zemra zë i dhemb!

Leri yjet lart në qiell
Edhe Diellin që u shua,
Edhe poshtë në shkretëtirë,
Ndënë rërë, fshihet një krua!

Mund të thahet shtrati i lumit,
Mund t’i dalë zalli përroit,
Po dhe pas mijëra vjetësh
Nuk shteron uji i kroit!

S’ka nevojë për udhërrëfyes,
Ai udhën e çan vetë,
Pak ta gjerbësh, i ndërkryer,
Dallgë ngre e bëhet det!

Ndaj, gjithë yjet le të digjen
Edhe Dielli bashkë me ta,
Po mos thuaj se ne vdiqëm…
Ky mallkim si Fat na ra!!!

who’s who Fatmir Musai

Fatmir Musai u lind në maj të vitit 1955 në qytetin e Elbasanit. Pas mbarimit të gjimnazit, kreu studimet për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës.  Deri në vitin 2007 punon si mësues letërsie në qytetet Librazhd e Elbasan. Nga viti 2007 është Drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Turizmit, Artit e Sportit në Bashkinë e Elbasanit.

Në kohën kur ishte student boton dy librat e parë, “Thirrja e jetës” (poezi) dhe “Në rodhan” (poezi për fëmijë). Nga viti 1978 është anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve” të Shqipërisë.

Botime (listuar pjesërisht)

  • 2019 “Frymoj me yjet”, përmbledhje me krijimtari të përzgjedhur.
  • 2018 “Nga një botë tjetër” Poezi.
  • 2008 “Lind nga perëndon” Poezi
  • 2006 “Dhe engjëjt simulojnë” Tregime, esse e përsiatje
  • 2001 “Sfidë” Poezi
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.