EMILY DICKINSON Poezi
EMILY DICKINSON Poezi
Zgjodhi dhe shqipëroi Natasha Lushaj
Ndërsa pres
Ndërsa pres
dhe lutem
koha kalon tepër shpejt
e pastaj tepër ngadalë
ndërsa qaj
lot pas loti,
ngashërim pas ngashërimi
dhe dënesa
njëri pas tjetrit, njëra pranë tjetrës
ngjeshur e kapluar fjalëve të mia
fjalëve që s’arrij t’i them
fjalëve që ngjizen në heshtje
në vetminë e trazuar të ditëve të hutuara e rrënuese,
ndërsa pres
një përshëndetje, një letër
një puthje,
dëgjoj boshin brenda meje.
Kujtimi
Nuk rritet më kujtimi
i shkulur me rrënjë:
ia ngjesh tokën përreth
të rrijë në këmbë,
ia rikrijon universin,
por s’ia mbart dot dheun.
Kujtesa e vërtetë,
i ka rrënjët në diamant
si trungu i kedrit,
kujtimin s’mund ta rrëzosh
pasi është rritur.
Sythet e tij kristal
do të shpërthejnë sërish
edhe pse
të përthyer
të shkelur
të shqyer.
Pas dhimbjes së madhe
Pas dhimbjes së madhe, vjen e kotësisë ndjenja
nervat ruajnë etiketën, si varret;
zemra e palëvizshme pyet: kush, unë vuaja?
Kur? Dje, pardje apo shekuj më parë?
Këmbët, mekanikisht, vijnë vërdallë
si të ishin prej druri
prej dheu, prej ajri, ose s’di ç’tjetër
por sigurisht të rritura veçmas prej teje,
një kënaqësi kuarci, gur i fortë.
Është çasti i plumbtë,
i vetmi i kujtueshëm, nëse i mbijeton;
përreth mban mend njerëz si prej bore.
Të ther i ftohti, pastaj shtangesh habie,
pastaj e lë të ndodhë.
Reshti së dhemburi, edhe pse aq ngadalë
Reshti së dhemburi, edhe pse aq ngadalë
sa nuk arrita ta shoh vuajtjen tek ikte;
vetëm dalloja si rridhte pas meje
si diçka që nuk ndryshon, të themi,
as nuk përpiqej gjurmët t’i fshihte.
Ngaqë e mbaja veshur, çdo ditë,
vazhdimisht si përparëse fëmijërie
që vetëm natën varet në grep.
Madje jo, dhimbja rri fshehur në fund
si gjëlpërat me kokë, që zonjat ngulin
me kujdes në jastëçkën e qëndisur
për të mos i humbur;
as nga çfarë e kish qetësuar nuk gjeta gjurmë
përveç faktit se atje, ku ka shkretëtirë
rrihet më mirë, është thuajse paqe.
U nisa pa gdhirë, bashkë me qenin
U nisa pa gdhirë, bashkë me qenin
t’i bëja një vizitë detit
Nga zgavrat e thella
dolën të më shihnin sirenat
dhe anijet qënga lart
shtrinë duart-litarë kërpi
duke kujtuar se jam një mi
i ngecur në rërë
por asgjë s’më shkulte që aty… Deri sa deti
u ngjit sipër sandaleve të mia
m’u kacavjerr mbi prehër… m’u kap për beli…
madje… preku korsetin…
sikur donte të më përpinte
të tërën si një pikë vese
mbi mëngëzën e një dredhkëze
e atëherë… nisem … edhe unë…
dhe ai… ai më ndiqte… këmba-këmbës…
ndieja shputat e tij të argjendta
mbi kavilje… dhe sandalet e mia
mbusheshin plot e përplot me perla…
derisa hasëm qytetin e ngurtë
ku dukej se ai askënd nuk njihte…
Atëherë, me një vështrim ngadhnjyes
tek përkulej si përshëndetje
tërhiqej deti…
Këtu…
Ka këtu një vetmi hapësire
vetmi deti
vetmi vdekje,
por këto do të duken mike
krahasuar me zonën më të thellë
atë sekretin polar,
që një shpirt ia njeh vetes:
pafundësinë e fundme.
Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!