Elementi


ELEMENTI Ose Gjithçka ndryshon vetëm nëse bëhet me pasion

Autorë Sir Ken Robinson dhe Lou Aronica / Botues për gjuhën shqipe: Pema, Prishtinë.

RRETH AUTORËVE

Sir Ken Robinson, Ph.D., është një nga emrat më të njohur në të gjithë botën për zhvillimin e kreativitetit, risisë dhe potencialeve humane. Robinson ka këshilluar qeveri e korporata, si dhe organizata me shumë ndikim në fushën e kulturës dhe të arsimit. Jeton në Los Angeles, California, SHBA.

Lou Aronica është autor i dy novelave dhe bashkautor në disa vepra, veçuar The Culture Code (së bashku me Clotaire Rapaille). Jeton në Connecticut, SHBA.

Hyrje

Vite më parë kam dëgjuar një histori të mrekullueshme, të cilën kam shumë dëshirë ta tregoj. Mësuesi i një shkolle fillore po zhvillonte orën e vizatimit me një grup fëmijësh gjashtëvjeçarë. Njëri prej tyre – një vajzë e vogël – ulej gjithnjë në fund të klasës. Vajza zakonisht nuk u kushtonte shumë vëmendje mësimeve. Por në orën e vizatimit ishte krejt ndryshe! Atë ditë, për më shumë se njëzet minuta, vajza qëndroi palëvizur as edhe një çast, me krahët që dukej sikur ishin bërë një me fletën ku po vizatonte, krejtësisht e zhytur në atë që po bënte. Një përkushtim i tillë mësuesit iu duk i jashtëzakonshëm, i mrekullueshëm. Iu afrua vajzës së vogël dhe, me një zë mbushur me emocion, e pyeti çfarë po vizatonte. Pa e ngritur aspak kokën, vajza iu përgjigj: “Po pikturoj Zotin!” I befasuar, mësuesi vazhdoi diskutimin: “Por asnjë njeri nuk e di si duket Zoti!”

 “Do ta dinë shumë shpejt!” – ishte përgjigja e vajzës.

Më pëlqen kjo histori, sepse na kujton që fëmijët e vegjël besojnë – në mënyrë të mrekullueshme – në ato që përfytyrojnë. Ndërkohë që shumë nga ne e humbasim këtë besim sa më shumë që rritemi. Pyesni fëmijët e klasës së parë, se cili prej tyre mendon që është kreativ, dhe të gjithë do të ngrenë duart lart. Pyesni studentët e vitit të parë universitet për të njëjtën çështje, dhe shumica prej tyre do të qëndrojnë indiferentë. E kam me shumë pasion kur pohoj, dhe me shumë besim, se të gjithë lindim me aftësi të jashtëzakonshme natyrore, por që shumë prej tyre i humbasim sa më shumë kohë kalojmë në botën reale. Për ironi, një nga shkaktarët kryesorë të këtyre humbjeve është arsimi. Rezultati është që shumë njerëz kurrë nuk arrijnë të zbulojnë talentin e tyre të vërtetë dhe, në rrjedhojë, edhe kurrë nuk arrijnë ta dinë, se çfarë janë në gjendje të arrijnë.

Në këtë kuptim, nuk arrijnë ta dinë edhe se kush janë në të vërtetë.

Personalisht udhëtoj realisht shumë dhe puna më lidh me njerëz nga e gjithë bota, që u përkasin si korporatave, ashtu edhe sistemeve arsimore apo organizatave jo fitimprurëse. Dhe kudo kam takuar studentë në kërkim të së ardhmes, paditur nga ta nisin; si dhe prindër të shqetësuar, në përpjekje për t’i ndihmuar, por që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se i largojnë nga talenti i vërtetë që zotërojnë, në supozimin se fëmijët e tyre duhet të ndjekin të njëjtën rrugë konvencionale suksesi. Akoma, kam takuar punëdhënës që bëjnë maksimumin për të kuptuar si të përdorin sa më mirë talentet e ndryshme që zotërojnë njerëzit në kompanitë e tyre, ndërkohë që kam kohë që nuk numëroj më – sepse janë bërë vërtet shumë – njerëzit që nuk kuptojnë sa të talentuar janë si individë dhe çfarë pasioni fshehin brenda vetes.

Nga ana tjetër, puna më lidh edhe me njerëz që kanë qenë tepër të suksesshëm në ato fusha për të cilat janë të pasionuar dhe, sikundër shprehen, nuk mund ta përfytyrojnë se do mund të kontribuonin në ndonjë sektor tjetër. Besoj se historitë e këtij grupi njerëzish kanë një mesazh të rëndësishëm për të transmetuar rreth natyrës së kapacitetit njerëzor dhe përmbushjes së tij. Më ka rënë rasti të flas në shumë konferenca e takime në të katër anët e botës dhe kam dëgjuar histori si ajo e vajzës së vogël, të paktën po aq sa edhe statistika dhe opinione të ekspertëve të ndryshëm, që përpiqen t’i bindin njerëzit se kemi nevojë, të gjithë, të mendojmë ndryshe për veten dhe në lidhje me çfarë jemi në gjendje të bëjmë me jetën tonë; se si po i edukojmë fëmijët dhe si i drejtojmë kompanitë a institucionet.

Ky libër përmban një diapazon të gjerë historish që kanë në fokus kreativitetin që i ka udhëhequr në jetën profesionale njerëz shumë të ndryshëm. Shumë prej tyre janë intervistuar posaçërisht për këtë libër. Tregimet fillojnë, së pari, se si arritën të njohin talentet e tyre specifikë, dhe më pas se si ia dolën të jetojnë, me sukses të jashtëzakonshëm, duke bërë atë çfarë vërtet donin. Duke dëgjuar këto histori, më bëri përshtypje veçanërisht fakti që karriera e pothuaj të gjithëve nuk ka qenë aspak konvencionale. Ndërkohë që gjithnjë kanë qenë plot me dilema, mëdyshje e ngritje-ulje. Kam kënaqësinë të ndaj me lexuesin, se ndërsa zhvillonim intervistat, dëgjoja shpesh të më pohonin se bisedat në funksion të përgatitjes së librit, u shërbyen si burim për lindjen e ideve dhe përjetimit të përvojave paprovuar kurrë më parë apo të analizojnë, çfarë u ka ndodhur në jetë, sipas kësaj perspektive të re. Momenti i njohjes! Evolucioni i talentit që kanë pasur! Inkurajimi apo dekurajimi nga ana e familjarëve dhe e njerëzve të afërt, si miqve dhe mësuesve. Çfarë i bëri të ecin përpara, ndonëse me sfidën e përballjes me pengesa të shumta!

Dua të theksoj që në fillim se historitë e tyre nuk janë përralla me fund të lumtur. Secili prej tyre kalon një jetë mbushur me sfida dhe jo më pak ndërlikime. Nuk e kanë pasur të lehtë as edhe me karrierën personale, e cila nuk ka ecur sipas një vije të drejtë. Kanë pasur çastet e triumfit, po aq sa edhe ato të rrëzimit. Për asnjërin nuk mund të thuash se ka pasur një jetë “perfekte”, ndërkohë që të gjithë pohojnë një zëri se kanë përjetuar, rregullisht, momente që i kanë bërë të ndihen se gjithçka ishte në perfeksion. Historitë e tyre të mahnitin shumë shpesh.

Por ky libër nuk u drejtohet atyre. Ky libër është për ju!

Synimi pse është shkruar është të ofroj një vizion shumë më të pasur rreth kreativitetit dhe aftësive që zotërojmë ne, si qenie njerëzore, si dhe të mundësive për të përfituar të gjithë nëse arrijmë të kuptojmë si duhet talentet dhe pasionet që kemi. Ky libër analizon çështje që kanë rëndësi të jashtëzakonshme për jetën tonë dhe atë të fëmijëve tanë, për nxënësit e studentët, dhe akoma më shumë për ata që i mësojnë këta nxënës e studentë. Fjala çelës e këtij libri është Elementi, term i cili përdoret për të përshkruar pikëtakimin e gjërave që duam të bëjmë, me gjërat për të cilat jemi të mirë t’i bëjmë. Besoj se është e rëndësishme që secili prej nesh të gjejë Elementin e tij, jo thjesht sepse na ndihmon të ndihemi më të plotësuar, por sepse ndërkohë që bota është në evolucion të vazhdueshëm, e ardhmja e institucioneve që kemi, si edhe e grupeve sociale që u përkasim, varen tërësisht nga vetë ne.

Historia jonë është ajo e një bote në ndryshim si kurrë më parë. Shpresa më e mirë që mund të kemi për të ardhmen është të zhvillojmë një paradigmë të re për aftësinë njerëzore, në gjendje të plotësojë kërkesat për ekzistencë në erën e re. Kemi nevojë të përpunojmë një vlerësim të ri për rëndësinë që ka ushqimi i talentit njerëzor, së bashku me atë të të kuptuarit se si talenti shprehet në mënyra të ndryshme në individë të ndryshëm. Kemi nevojë të krijojmë mjedise – në shkolla, vendet e punës apo edhe në zyrat e administratës publike – që janë në gjendje të nxisin e frymëzojnë çdo individ për t’u rritur nga pikëpamja e kreativitetit. Kemi nevojë të sigurohemi që të gjithë njerëzve u jepet mundësia të bëjnë atë që duhet të bëjnë, të zbulojnë Elementin që gjendet brenda tyre nga vetë ata, sipas mënyrës së tyre.

Ky libër është një himn për diversitetin e mahnitshëm që kanë talenti dhe pasioni njerëzor, si dhe për potencialin e jashtëzakonshëm të rritjes dhe të zhvillimit që fshihet brenda gjithsecilit prej nesh; për nevojën e të kuptuarit të rrethanave që ndihmojnë në lulëzimin e talentit njerëzor, po aq edhe në dështimin me të. Akoma, është një himn për rëndësinë e përfshirjes së të gjithëve shumë më tepër sot, në të tashmen, si dhe domosdoshmërisë për të qenë të përgatitur për një të ardhme tërësisht të panjohur.

Për të dhënë më të mirën e mundshme të vetes sonë dhe të njëri-tjetrit, nevojë urgjente është përqafimi i një konceptimi shumë më të pasur rreth aftësive njerëzore. Kemi nevojë të përqafojmë Elementin!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.