Ekspozita e Mekanizmit Antikithera në Tiranë

Intervistë me Dr. Vasiliki Apostolouda, Dr. Valbona Nathanaili, Prof. Anna Anastasiadi-Symeonidi, Prof. Ksenofon Dion Moussas dhe Agamemnon Tselikas

  • Me çfarë rasti prezantohet në Tiranë Mekanizmi Antikithera?

Dr. Vasiliki Apostolouda: Ekspozita për mekanizmin Antikithera është hapur në Tiranë më 9 shkurt 2022, në hollin e Kolegjit Universitar “Logos”, si një mënyrë për të festuar “Ditën Botërore të Gjuhës Greke”. Hapja e ekspozitës është organizuar nga Departamenti i Gjuhës dhe Civilizimi Grek, në Kolegjin Universitar “LOGOS” në Tiranë, në bashkëpunim me Ambasadën e Greqisë në Shqipëri dhe Fakultetin e Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës. Ekspozita dhe aktiviteti u zhvilluan me kontributin e palodhshëm të profesoreshës së nderuar në Universitetin Aristoteli Anna Anastasiadis-Symeonidis. Në ditën e përurimit, Prof. Ksenofon Mousas, në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës dhe z. Agamemnon Tselikas, filolog-paleograf, ish-drejtues i Arkivit Historik dhe Paleografik të Fondacionit Arsimor të Bankës Kombëtare referuan nga leksion me temën “Mekanizmi  Antikitera”.

  • Pse e keni planifikuar eventin për “Ditën e Astronomisë” në Tiranë?

Dr. Valbona Nathanaili: “Dita e Astronomisë” në Kolegjin Universitar “Logos” organizohet në kuadër të projektit “Të komunikojmë shkencën tek publiku”. Ne punojmë për të inkurajuar zhvillimin e një lëvizje shkencore qytetare në Shqipëri, si dhe për të motivuar të rinjtë – veçanërisht vajzat – për të studiuar shkencë, për të gjykuar e marrë vendime bazuar në shkencë. Situata Covid tregoi domosdoshmërinë e një informimi dhe “nuhatje” shkencore. Tema e këtij viti është “Koha dhe hapësira në antikitet”. Takimi do të zhvillohet më 18 mars 2022, në Logos. Prania e ekspozitës, si dhe surpriza e të pasurit një kopje fizike të Mekanizmi Antikithera, ishin shtysat për t’i dhënë takimit një orientim të tillë. Gjej rastin të falënderoj Prof. Ksenofon Mousas për mbështetjen dhe gatishmërinë për të folur për studentët e nxënësit, pedagogët dhe mësuesit tanë në lidhje me mekanizmin.

  • Çfarë është Kolegji Universitar “Logos”?

Dr. Vasiliki Apostolouda: Kolegji Universitar “Logos” është themeluar nga Fortlumturia e Tij Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastasios, me qëllim edukimin e të rinjve në nivelin më të lartë.

  • Pse u planifikua festimi i “Ditës Botërore të Gjuhës Greke” nëpërmjet mekanizmit Antikithera?

Dr. Vasiliki Apostolouda: “Dita Botërore e Gjuhës Greke” u organizua këtë vit me temën e Mekanizmit Antikithera , sepse ky objekt i vogël metalik i mrekullueshëm e ka manualin e përdorimit në greqishten e vjetër.

  • Çfarë është, në fund të fundit, ky mekanizëm i pabesueshëm?

Prof. Ksenofon Dion Moussas: Mekanizmi Antikithera është kompjuteri i parë analog, si dhe instrumenti mekanik kompleks dhe automatik më i vjetër i njohur, një botë mekanike, një univers mekanik. Mekanizmi duket si një orë e madhe e vjetër e oksiduar me ingranazhe bronzi. Mekanizmi Antikithera llogarit pozicionin e Diellit, pozicionin e Hënës, fazat e Hënës në çdo kohë të caktuar, eklipset e diellit dhe të hënës, si dhe është një kalendar shumë i mirë  për periodicitetin e lojërave dhe olimpiadave të shumta që zhvilloheshin në Greqinë e Lashtë. Ka shumë veçori dhe funksione, që për ne ishte krejtësisht e pabesueshme se njiheshin e përdoreshin në kohën e ndërtimit. Mekanizmi është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. II para Krishtit, në Greqi, nga një filozof e dijetar me njohuri të shkëlqyera në astronomi, fizikë, matematikë dhe inxhinieri, shtuar këtu edhe praninë e një laborator të shkëlqyer.

Kompjuteri punon me ingranazhe dhe është një mundësi për vizitorin të njihet me shkencën në lashtësi, se si dijetarët e asaj kohe arritën të konceptonin, projektonin dhe ndërtonin një makinë që kryen automatikisht operacione matematikore për të parashikuar fenomenet natyrore. Vetë ekspozita u mëson të rinjve se mjeriu mund të interpretojë, kuptojë dhe parashikojë fenomene natyrore, si eklipset, fazat e Hënës, pozicionet e planetëve.

Foto nga Ekspozita e Mekanizmit Antikithera në Kolegjin Universitar “Logos”
  • Ku është gjetur mekanizmi Antikithera?

Prof. Ksenofon Dion Moussas: Mekanizmi Antikithera është gjetur në një anije të mbytur të lashtë, rreth viteve 60 deri në 80 para Krishtit, në Antikithera. Anija e madhe ishte plot me thesare që romakët, si të gjithë pushtuesit, i kishin marrë masivisht nga Greqia e robëruar. Këto thesare greke, dhe veçanërisht shpirti, filozofia greke filluan të bëhen pjesë e kulturës romake, një fakt që e gjejmë të citohet jo vetëm nga Ciceroni, por edhe shumë bashkëkohës të tij.

  • Cila është marrëdhënia e Mekanizmit Antikithera  me epokën moderne?

Prof. Ksenofon Dion Moussas: Filozofia, shkenca dhe teknologjia kanë ndryshuar rrënjësisht jetën tonë – veçanërisht në dyqind vitet e fundit. Ne i konsiderojmë të gjitha aplikacionet e reja teknologjike shumë të natyrshme dhe të vetëkuptueshme. Aplikacionet teknologjike si kompjuterët, telefonat, udhëtimet në hapësirë, interneti bazohen vetëm në shkencë. Teknologjia sot i ka rrënjët në ingranazhet e Mekanizmit Antikithera. Mekanizmi është një produkt i prekshëm i filozofisë greke, i filozofisë pitagoriane. Unë kam thënë se është mishërimi i filozofisë greke dhe është me të vërtetë.

  • Cila është marrëdhënia mes Mekanizmit dhe arsimit sot?

Prof. Ksenofon Dion Moussas: Mekanizmi Antikithera  është kthyer në një mjet të shkëlqyer arsimor që na mëson shumë. Në aspektin kulturor, do shtoja se është shndërruar në një ambasador të rëndësishëm të shpirtit grek, nga dita e parë e zbulimit e deri më sot. Mekanizmi na mëson si të vëzhgojmë, si të studiojmë dukuritë natyrore dhe si të parashikojmë disa prej tyre bazuar në ligjet e fizikës, siç bën Mekanizmi.

  • Si quhej Mekanizmi në antikitet?

Prof. Ksenofon Dion Moussas: Mekanizma të ngjashëm në kohën e Arkimedit quheshin “Sfera” (qiellore) dhe më vonë “Pllaka”, domethënë tavolina të vogla!

  • Çfarë e vërteton ekzistencën e Mekanizmi Antikithera?

Prof. Ksenofon Dion Moussas: Mekanizmi dëshmon se grekët kishin teknologji të avancuar. Hulumtimi ynë ka treguar se matematika e përdorur nga krijuesi i këtij kompjuteri të lashtë për të gjetur pozicionin e Hënës dhe planetëve është shumë e përparuar dhe e saktë. Grekët kishin krijuar automatikisht edhe kompjuterë për të bërë llogaritjet matematikore me ingranazhe që programoheshin me grupin e rrotave. Ne vërtetuam se grekët kishin teknologji të lartë, bazuar në shkenca, me matematikë dhe fizikë të saktë. Metoda e matematikës është saktësisht e njëjtë me atë që përdor telefoni juaj për të kthyer zërin tuaj në bit dhe bajt. Është e ngjashme me atë të shumë modeleve ekonomike.

  • Si ndiheni për prezantimin e Mekanizmit Antikithera në Shqipëri?

Prof. Ksenofon Dion Moussas: Jemi krenarë për ekspozitën “Mekanizmi Antikithera”, si dhe për organizimin e një dite astronomie që ka si temë astronominë në Greqinë e lashtë. Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur edhe për pak kohë në Kolegjin Universitar “Logos”, në hollin e katit të parë, çdo ditë të javës (më kanë thënë që mund të vizitohet edhe në fundjavë, pas një njoftimi paraprak). Adresa: Kolegji Universitar “Logos”, rruga “Dritan Hoxha”, Pallatet “Komfort”, Tiranë! Ju mirëpresin!   

  • A keni raporte për ekspozita dhe evente të ngjashme?

Prof. Ksenofon Dion Moussas: Po! Personalisht kam kontribuar me hapjen e ekspozitave të Mekanizmit Antikithera në më shumë se 14 shtete të botës dhe në vende nga më të ndryshmet, si muze, universitete, shkolla, planetarium etj., të cilat promovojnë me sukses Greqinë. Mund të veçoj Qendrën Hapësinore Kennedy NASA (Canaveral), UNESCO-n në Paris, Muzeun Arkeologjik Gustavianum në Suedi (i cili dyfishoi numrin e vizitorëve me këtë rast), Muzeun Nashville, Universitetin e Lomo-s, Universitetin e Londrës, Universitetin Readin, Planetariumin Olsen në Observatorin e Kopernikut, Muzeun e Arkitekturës në Moskë, Muzeun Manhattan të Tuluzës, Universitetin Dreidel etj. Akoma, sigurisht duhen përmendur Muzeu Arkeologjik Kombëtar dhe ekspozita jonë e përhershme në Universitetin e Athinës. Tani, me shumë kënaqësi, edhe në Universitetin “Logos” në Shqipëri.

Në lidhje me të intervistuarit:

Dr. Vasiliki Apostolouda është pedagoge në Kolegjin Universitar “Logos”, Tiranë dhe Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës dhe Kulturës Greke.

Dr. Valbona Nathanaili është diplomuar në fizikë. Është pedagoge në Kolegjin Universitar “Logos”, Tiranë. “Dita e Astronomisë” organizohet në kuadër të projektit “Të komunikojmë shkencën në publiku”. Dr. Nathanaili punon për të inkurajuar dhe motivuar të rinjtë për të studiuar shkenca.

Prof. Anna Anastasiadi-Symeonidi është Profesororeshë Emeritus e Gjuhësisë në Departamentin e Filologjisë, Seksioni i Gjuhësisë pranë Universitetit Aristoteli të Selanikut.

Prof. Ksenofon Dion Moussas është Profesor në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, një nga protagonistët e studimit të Mekanizmit Antikithera  dhe merr pjesë në eksperimentet hapësinore, astronom.

Agamemnon Tselikas është filolog-paleograf, ish-drejtues i Arkivit Historik dhe Paleografik të Bankës Kulturore të Bankës Kombëtare të Greqisë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.