Edukimi liberal Autorë: Valbona Nathanaili, Martha Nussbaum dhe Steve Fuller

Edukimi liberal Autorë: Valbona Nathanaili, Martha Nussbaum dhe Steve Fuller / Parathënia: Konstantinos GIAKOUMIS / Botues: Fondacioni “Henrietta Leavitt” – Fondacioni Shqiptar për Shkencë, Media dhe Demokraci (Seria e librave për fëmijë) / Redaktor: Andrea Nathanaili / ISBN: 978-9928-4543-6-2 / Çmimi 1200 lekë / F. 132 / Tiranë: maj, 2021.

  • E gjeni në libraritë “Adrion”, “Albania”, “Tirana Times” dhe “Bookland”, si dhe mund ta porosisni on-line.

Fondacioni “Henrietta Leavitt” ka marrë të drejtën për përkthimin në shqip, botimin dhe shpërndarjen, të librit Edukimi liberal, të autorëve Valbona Nathanaili, Martha Nussbaum dhe Steve Fuller/ Parathënia: Konstantinos GIAKOUMIS, Kolegji Universitar “Logos”. Botimi i parë në shqip, maj 2021. Kontrata është nënshkruar me autorët dhe për pjesën e Martha Nussbaum me Princeton University Press.

Përmbajtja

  • Parathënia: Arsimi liberal dhe liberalizmi arsimor /Konstantinos Giakoumis

Pjesa I Emergjenca për edukim liberal /Edukimi liberal si qasje

  • Edukimi liberal – karakteristika dhe koncepte /Valbona Nathanaili
  • Kultivimi i imagjinatës: Letërsia dhe artet /Martha Nussbaum

Pjesa II Edukimi liberal dhe teatri /Edukimi liberal si praktikë

  • Teatri dhe edukimi /Valbona Nathanaili
  • Linkoln dhe Darvin. Në një bashkëbisedim, vetëm për një natë /Steve Fuller / Vënë në skenë: më 10.03.2009, Universiteti i Oksfordit, Angli)
  • Rrëfenjat e disa portokalleve që mund të fluturojnë /Valbona Nathanaili / Bazuar në përrallën e Johan Galtung dhe Andreas Galtung / përshtatur qasja e tyre për zgjidhjen e konflikteve (në skenë:verë, 2019, Teatri i Metropolit, Tiranë)

Shënime Valbona Nathanaili dhe Martha Nussbam

Pjesë nga parathënia

  • Arsimi liberal dhe liberalizmi arsimor  Nga Konstantinos Giakoumis

Pas një pushimi gjysmë ore, në orën 14.45, në mbarë shkollën fillon “ora e përrallave”. Në “orën e përrallës” të gjithë, pa përjashtim – nxënës, mësues dhe stafi i shërbimit – lexojnë në heshtje diçka! Ora e përrallës është e konsoliduar dhe ka një traditë që shtrihet në kohë. Është mundësia më e mirë për t’u qetësuar! Dhe argëtuar ndryshe! Fëmijë, përgjithësisht, zgjedhin të lexojnë librin e preferuar në vendin e preferuar! Çdo “qoshe” e klasës është në dispozicion të tyre. Një vizitor i pamësuar habitet me pamjen: katër-pesë fëmijë kanë zgjedhur të lexojnë në këndin e leximit, të tjerë janë shtrirë poshtë tavolinës apo u janë drejtuar karrigeve ku ulen zakonisht, por me këmbë të ngritura vertikalisht, mbështetur pas murit. Shkolla është kaq e qetë, sa me të drejtë mund të pyesësh nëse ka diçka që nuk shkon. Nuk mbetet prapa stafi! Sot qyteti ka qenë me zhvillime interesante dhe të gjithë, sekretarja dhe drejtori, personeli i shërbimit dhe mësuesit kanë marrë gazetën e ditës, në kërkim të lajmit që u intereson.

Ora 15.15! Fëmijët mbyllin librat me përralla, por jo argëtimin nga përrallat. Nga ora 15.15-15.30 përrallat tregohen! Edhe kjo pjesë është po kaq interesante. Në këtë çerek ore që mbetet, mësuesi lexon ndonjë tregim nga libra të mira dhe të ilustruar, ndërsa një mësues tjetër shkëputet me një apo dy nxënës në një vend të qetë dhe i dëgjon duke lexuar një tjetër përrallë. Një herë në javë, në klasë ftohet një nga mamatë e fëmijëve. Pak rëndësi ka nëse është angleze apo jo! I vetmi kusht është që duhet të tregojë një përrallë nga vendi i saj. Fëmijët kënaqen dhe duan të dëgjojnë sa më shumë. Ky çerek ore klasifikohet në kurrikulat e respektit dhe barazisë që duhet të gëzojnë të gjithë njerëzit, pavarësisht racës apo ngjyrës, prejardhjes apo klasës ekonomike.

Në shkollat angleze studiojnë nxënës me përkatësi të ndryshme etnike! Fëmijët duhet të respektojnë kulturën e njëri-tjetrit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojnë në paqe e harmoni.

Ky çerek ore i rrëmben fëmijët… në magjinë e përrallave nga mbarë bota.[1]

Tregimi i mësipërm i përket marsit të vitit 1994. Në atë kohë kam qenë student me programet ERASMUS në “Shkollën Pedagogjike” të Universitetit të Leeds-it, në Clayton West. Ishin vitet e fundit, kur sistemi i arsimit fillor në Angli kishte ende fleksibilitetin që prindërit, së bashku me administratën e zgjedhur prej tyre nëpër shkolla, mund të përcaktojnë kurrikulat dhe orarin mësimor të nxënësve, si dhe të ftojnë njerëz të jashtëm sipas dëshirës, pa frikën e goditjeve terroriste.

Në shkollën fillore të fshatit Clayton West, afër Leeds, mund të pohoj se ka qenë kontakti im i parë, por i paharruar, me arsimin liberal dhe liberalizmin arsimor. Edhe pse një vlerësim i këtij liberalizmi në arsim del, sigurisht, përtej kufijve të një parathënie, gëzimi i fëmijëve prej rrëmbimit në botën e përrallave haset shumë rrallë sot, kur kurrikulat udhëhiqen nga ‘kërkesat e tregut’, duke sakrifikuar shumë nga lëndët humane që parashikoheshin më përpara në shkollë, siç vëren Valbona Nathanaili në kreun e parë të këtij libri. Synimi i kësaj parathënieje është, që duke reflektuar mbi konceptin dhe përmbajtjen e arsimit liberal dhe liberalizmit në arsim, të piketojë disa nga mësimet që mund të nxjerrim, si edhe vlerat e librit në këtë drejtim.

Qasja liberale në arsim buron nga bindja te vlera e lirisë individuale si vlerë madhore, e cila duhet të shërbejë si bazë për gjithë politikat arsimore. Qasja liberale e ka prejardhjen te humanizmi, pra te lëvizja që vë individualitetin e njeriut mbi kolektivizimin e komunitarizmit. Siç tregohet nga tregimi i mëparshëm, nga çfarë vijon, si edhe nga gjithë libri, këto dy qasje nuk janë të kundërta. Koncepti i termit ‘arsim liberal’ ka historinë e vetë, siç tregohet në kapitullin e parë të këtij libri; megjithatë, termi u trajtua në mënyrë sistematike për herë të parë nga Milton Friedman në një ese “mbi rolin e qeverisë në arsim”.[2] Friedman mbështet një minimum arsimimi për të gjithë, si element stabilizues të demokracisë, por ndërhyrjen e qeverisë në drejtimin e institucioneve arsimore e përfytyron vetëm aty ku tregu e ka të pamundur të mobilizohet. Friedman mbështet një sistem kuponësh në favor të nxënësve, në vend të financimit të drejtpërdrejtë të shkollave dhe nuk është në favor të subvencionit të arsimit profesional dhe të lartë.

[1]Giakoumis, Konstantinos & Lekati, Eleni. “Το «Ενεργό» Σχολείο στην Πράξη. Μία Τυπική Σχολική Ημέρα στο Αγγλικό Δημοτικό Σχολείο.” λληνοχριστιανικ γωγ 48/424 (tetor 1995), ff. 242-9.

[2] Friedman, M. 1955. “The Role of Government in Education” Në Economics and the Public Interest, redaktuar nga Robert A. Solo, 123-44. New Jersey: Rutgers College.

  • Valbona Nathanaili

“Edukimi Liberal”, një libër i ri që nga sot e gjeni në libraritë kryesore të Tiranës. Një bashkëpunim me disa nga profesorët më të mirë të fushës. Kam disa kohë që bashkëpunoj me Prof. Steve Fuller dhe i jam shumë mirënjohëse! Këtë radhë Prof. Fuller vjen si krijues – ka shkruar një pjesë të mrekullueshme për teatër, për të rinj – kryesisht studentë. Po të ktheheshin edhe një herë, në epokën tonë Darvini dhe Linkolni, si do i mbronin tezat e tyre! Zoti, evolucioni, racat dhe të drejtat janë problemet për të cilat diskutojnë me dy moderatorë të epokës tonë. Prof. Martha Nussbaum është aktualisht ekspertja më e mirë për edukimin liberal. Prof. Nussbaum kontribuon, teorikisht, me rolin që ka empatia në edukim dhe një mënyrë shumë e mirë është, sipas autores, përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve në aktivitete të tilla si teatri. Prof. Konstantinos Gaukoumis nga Kolegji Universitar Logos ka shkruar një parathënie shumë frymëzuese për edukimin liberal – shembulli i shkollave në Angli që gjysmë ore ia kushtojnë leximit dhe tregimit të përrallave më ka shërbyer si pikënisje për ta propozuar në shumë biseda për këtë qëllim. Personalisht kontribuoj me një studim teorik, si dhe me një pjesë të vogël teatrale për fëmijë, bazuar në përrallën e Johan Galtung dhe Andreas Galtung! Në kopertinë kam zgjedhur një foto nga shfaqja që u realizua në Teatrin e Metropolit “Rrëfimet e disa portokalleve fluturues”.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.