Demokratizimi i Shqipërisë, demokratizimi nga brenda Autor Theodore Kaltsounis

Shkëputur nga libri:

Demokratizimi i Shqipërisë. Demokracia nga brenda. Autor Theodore Kaltsounis

Përkthyen nga anglishtja: Milika Dhamo & Valbona Nathanaili    

ZGJERIMI I RRJETIT DHE ADRESIMI I REAGIMEVE – PËRBALLJA ME VONESAT SHQETËSUESE BUROKRATIKE

Me përjashtim të doracakut të mësuesve për klasën e tetë, ishin përfunduar të gjitha materialet e planit mësimor të nevojshme për trajnimin e mësuesve të edukimit qytetar. Trajnuesit e mësuesve nga rajonet e shkollave në të gjithë vendin u udhëzuan si të përdornin materialet dhe u treguan të gatshëm të luanin rolin si trajnerë të kolegëve të tyre. Financimi për trajnimin e mësuesve të edukimit qytetar u vu në vend, duke përfshirë pothuajse gjysmën e sasisë që nevojitej nga Projekti për Zhvillimin e Arsimit në Shqipëri (AEDP). Ndërkohë, qeveria e re socialiste, që ishte zgjedhur në vitin 1997, kishte arritur fuqi të plotë. Ajo po funksiononte aq sa mund të pritej për rrethanat e kohës. Zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Arsimit u zëvendësuan me z. Ethem Ruka, Ministër i Arsimit dhe i Shkencës. Doli që njëra prej drejtueseve të ekipit të projektit, dr. Marjana Sinani, e njihte personalisht ministrin. Ajo bëri një takim me të, ku e informoi për projektin dhe e vuri në dijeni që unë kisha planifikuar t’i shkruaja atij.

Në 4 nëntor të vitit 1997, i dërgova një letër Ministrit Ruka, duke skicuar veprimtaritë e projektit dhe arritjet e deriatëhershme. Gjithashtu, i kërkova bashkëpunimin e tij, po ashtu edhe lejen e tij, për të vazhduar me projektin. Dy javë më vonë, u gëzova shumë kur mora letrën e mëposhtme, të datës 18 nëntor 1997. Në këtë letër, e cila mbartte etiketën “LETËR MBËSHTETJEJE”, ai shkruante, si më poshtë :

I dashur prof. Kaltsounis,

Është kënaqësi t’ju shkruaj juve dhe Universitetit tuaj. E vlerësoj lart angazhimin tuaj dhe atë të Universitetit të Washington-it në Projektin mbi Arsimimin Qytetar Demokratik në Shqipëri.

Ne i përmbahemi idesë se arsimimi qytetar është thelbësor për ruajtjen dhe përmirësimin e shoqërisë demokratike dhe qeverisjes së saj. Me qëllim që fëmijët të rriten si qytetarë efektivë, shkolla duhet t’u sigurojë atyre si trupin e dijeve, po ashtu edhe fushën e aftësive intelektuale dhe pjesëmarrëse. Shpresoj që ky projekt t’i ndihmojë shkollat, mësuesit dhe nxënësit shqiptarë, duke arritur standarde të arsyeshme në arsimin qytetar.

Pres me padurim bashkëpunimin e mëtejshëm me Universitetin e Washington-it,

Sinqerisht

(Firmosur dhe vulosur me vulën zyrtare të Ministrit)

Ethem Ruka

Letra ishte tamam ajo për të cilën kishim nevojë që të vazhdonim me projektin. Nuk kishte mënyrë më të mirë dhe më të qartë me të cilën mund të shprehej ministri. Rrjedhimisht, puna filloi dhe vitet 1998 dhe 1999 kaluan pa asnjë problem. Të gjitha materialet e programit mësimor u botuan ashtu siç qenë planifikuar. Siç është përmendur tashmë, problemi i vetëm që ndeshëm ishte njëfarë vonese në përpunimin e udhëzuesve të mësuesve për klasën e tetë. Nuk mund të bëhej sepse Ministria e Arsimit nuk e kishte aprovuar ende librin e mësimit për atë klasë, kështu që vendosëm të prisnim. Ndërkohë, takimet e punës për trajnuesit e mësuesve u përfunduan me sukses nën drejtimin e dr. Sinanit, që përfaqësonte Institutin e Studimeve Pedagogjike dhe dr. Bardhyl Musait, që përfaqësonte AEDP-në. Veprimtaritë për të dy vitet u plotësuan me një konferencë kombëtare tepër të suksesshme mbi arsimin qytetar demokratik për të cilin është folur në kapitujt e mëparshëm.

Ndërsa po afronte viti 2000, ishim gati të fillonim trajnimin e të gjithë mësuesve të arsimit qytetar në të gjithë vendin. Ekipi trajnues do të përbëhej nga trajnuesit e mësuesve, tashmë të disponueshëm në çdo zonë, nën drejtimin e dr. Sinanit dhe dr. Musait. U përpilua edhe një buxhet i detajuar dhe u bë një draft plan-pune, nëpërmjet të cilit bëhej thirrje që trajnimi të mbaronte nga fundi i qershorit të vitit 2000. Ekipi drejtues bërthamë i projektit e priste me padurim të madh detyrën, veçanërisht pas një vizite të shkurtër në Tiranë të Madeleine Albright, Sekretare e Departamentit Amerikan të Shtetit. Zonja sekretare u takua me anëtarët e ekipit, dëgjoi një raport të shkurtër mbi veprimtaritë e tyre, i përgëzoi ata për sukseset e tyre dhe i nxiti të vazhdonin. Zëvendësministri, që ishte ngarkuar të shqyrtonte projektin, ishte tashmë duke përgatitur një letër për zonat për t’i informuar ato se trajnimi i mësuesve mbi arsimim qytetar ishte gati të fillonte.

Fatkeqësisht, gjërat nuk shkuan ashtu siç ishin planifikuar. Situatat që ishin shfaqur brenda partneriteteve u ngatërruan dhe bënë që projekti të pësonte vonesa serioze dhe jofrytdhënëse. Falë durimit të Universitetit të Washington-it, mirëkuptimit të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara dhe nivelit të lartë të angazhimit nga ana e ekipit shqiptar bërthamë, ka shumë gjasa që projekti do të dështonte. Të bindur se vështirësitë mund të kapërceheshin, ne vendosëm të bënim durim, përderisa zhvillimet shtjelloheshin. Nga një pikëpamje operacionale, partnerët në projekt përbëheshin nga ekipi drejtues shqiptar, i projektit të Universitetit të Washington-it (UW), Agjencia e Financimit, Universiteti i Washington-it, Ministria Shqiptare e Arsimit, Instituti i Studimeve Pedagogjike të Tiranës dhe Fondacioni “Soros” AEDP. Të gjithë këto entitete duhej të luanin pjesën e tyre, me qëllim që të kryhej me sukses trajnimi i mësuesve.

Shenjat e para të njëfarë problemi erdhën nga AEDP-ja. Në fillim, afërsisht gjysma e fondeve që nevojiteshin për trajnimin e mësuesve, duhej të vinin nga AEDP-ja. Ne e dinim që AEDP-ja po pësonte riorganizim të thellë, por nuk kishim kurrfarë ideje se ky riorganizim do të ndikonte për keq në planin tonë për trajnimin e mësuesve. Riorganizimi përfundoi në fillim të qershorit të viti 2000. Menjëherë pas kësaj, drejtori i sapoemëruar, z. Vasillaq Zoto, na vuri në dijeni se kontributi financiar i premtuar nga AEDP-ja për trajnimin e mësuesve do të ishte i pamundur. Na duhej të gjenim një zgjidhje për këtë problem. Fatmirësisht, kontributi i mëparshëm i AEDP-së për printimin e materialeve të planit mësimor mundësoi që projekti ynë të kursente 75. 022 $, pra kjo sasi ishte ende e gjindshme në Universitetin e Washington-it. U kërkua dhe u mor leje nga agjencia financuese që atë sasi t’ua shtonim fondeve që tashmë ishin në Universitetin e Washington-it për trajnimin e mësuesve. Këtu duhet përmendur, në kllapa, se Agjencia e Informacionit të Shteteve të Bashkuara (USIA), agjencia jonë financuese, ishte shkrirë si njësi brenda Departamentit të Shtetit, prandaj nga ai moment e më pas fondet për projektin vinin drejtpërdrejt nga ai burim.

Gjendja në Ministrinë e Arsimit po koklavitej. Po i afroheshim fundit të qershorit dhe ende nuk kishim asnjë leje të veçantë për të trajnuar mësuesit. Në këtë kohë, detyra e shqyrtimit të projektit të UW-së iu ngarkua njërit prej zëvendësministrave, z. Andrea Marto, dhe dy zyrtarëve të tjerë të Ministrisë, drejtorit të Njësisë Monitoruese të Projekteve, z. Ilia Paluka, dhe drejtorit të Institutit për Kërkime Pedagogjike, z. Bujar Basha. Gjatë gjysmës së dytë të qershorit, mora një letër të firmosur nga të tre këta zyrtarë. Një kopje e letrës iu dërgua z. Zoto, drejtorit të sapoemëruar të AEDP-së. Letra shprehte mbështetje për trajnimin e mësuesve, por në të njëjtën kohë, zbulonte një dëshirë nga ana e tyre për ta “institucionalizuar”, siç e kishin shkruar, veprimtarinë e trajnimit të mësuesve. Për të arritur këtë, kërkuan që t’u paraqisja një “propozim zyrtar” të përbërë, siç pohonin, nga: (1) objektivat kryesorë; (2) përfitimet kryesore; (3) veprimtaritë e planifikuara; (4) buxhetin e përgjithshëm dhe shpërndarjen e tij të detajuar dhe (5) treguesit kryesorë për vlerësimin e projektit. E mbyllin letrën duke i justifikuar këto kërkesa mbi bazën e një urdhri të Ministrisë së Arsimit, të datës 18 maj 2000, për “Pranimin, aprovimin dhe ndjekjen e projekteve në sistemin arsimor”.

Iu përgjigja asaj letre me letrën time të datës 22 korrik 2000. Me qëllim që ta dinin qëndrimin tim dhe theksoj se paragrafi i parë i kësaj letre ishte si më poshtë:

Projekti për Arsimin Qytetar në Shqipëri, të cilin kam privilegjin ta drejtoj, ka vazhduar që prej fillimit të viteve 90-të. Në mendimin e mjaft vëzhgueseve dhe palëve të interesuara, ky projekt ka bërë përparime domethënëse në çuarjen përpara të arsimit qytetar demokratik në Shqipëri. Mendoj që ka bërë përparime, ngaqë ka pasur mbështetjen e tre ministrave të arsimit, tre zëvendësministrave, tre drejtorëve të Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe shumë specialistëve shqiptarë, të cilët meritojnë pjesën më të madhe të mirënjohjes për gjithçka është arritur. Në drejtimin e këtij projekti, parimet e mia kryesore kanë qenë: (a) të mos imponoja asgjë, por t’u nxirrja në pah specialistëve shqiptarë arsimin qytetar demokratik dhe t’i ndihmoja ata të përvetësonin gjithçka që ata mendonin se ishte e përshtatshme për Shqipërinë; (b) të mos shkruaja asnjë material mësimor vetë, por t’i ndihmoja specialistët shqiptarë për t’i përzgjedhur dhe për t’i dërguar tek unë materialet e autoriteteve në Shqipëri, me qëllim për të bërë shkrimin; dhe (c) të vazhdoja t’i vija në dijeni autoritetet, por dhe të kërkoja miratimin e tyre për çdo gjë që ishim duke bërë.

Pastaj, i tregova se gjithçka ishte bërë në bazë të propozimeve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të cilat kishin ndarë mendime kurdoherë me autoritetet shqiptare. Propozimet nuk do të miratoheshin nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara pa miratimin me shkrim të Ministrisë shqiptare të Arsimit. Megjithëse e konsideroja kërkesën e tyre për një propozim si të tepërt dhe, në njëfarë mënyre, edhe hetuese, vazhdova më tej punën dhe iu përgjigja edhe pikave të planit të tyre të sugjeruar, duke përfshirë edhe buxhetin. E bëra këtë me shpresën se një gjest i tillë do t’i nxiste të miratonin trajnimin e mësuesve.

Përgjigjja tjetër zyrtare nga Shqipëria erdhi në formën e një email-i në tetor të vitit 2000. E kishte dërguar drejtori i projekteve, por ishte firmosur nga zëvendësministri dhe një kopje i ishte dërguar sërish drejtorit të AEDP-së, z. Zoto. Mesazhi fillonte me shprehjen e gatishmërisë së tyre, duke përfshirë edhe atë të Institutit të Studimeve Pedagogjike, që të fillohej trajnimi i mësuesve. Pastaj mesazhi përfundonte me këtë pohim: “Tani kemi vetëm një problem: na nevojitet një buxhet më i detajuar”.2 Ata kishin tashmë një listë me kategoritë e përgjithshme të buxhetit, duke përfshirë sasitë e shpërndara për çdo kategori, por kërkonin më shumë hollësi. Për këtë kërkesë nuk duhej asnjë justifikim.

Megjithatë, për mua kishte arsye bindëse që të mbetesha në kontrollin e buxhetit. Çdo dollar i buxhetit ishte i lidhur ngushtësisht me shpenzimet që ishin planifikuar në propozimin tim, drejtuar qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, u nis edhe procesi i shpërndarjes së fondeve. Propozimi im iu dorëzua qeverisë së Shteteve të Bashkuara në kompetencën time si anëtar fakulteti në Universitetin e Washington-it. Fondet nuk m’u dhanë mua personalisht, por universitetit, ndërsa unë isha emëruar si mbikëqyrës. Kjo donte të thoshte se unë isha i vetmi që do të kërkoja shpërndarjen e fondeve. Megjithatë, universiteti ishte i detyruar të siguronte se fondet do të më jepeshin mua mbi bazën e kushteve specifike të propozimit. Për çdo njësi shpenzimi kërkohej një faturë. Nëse fondet mund të përdoreshin për ndonjë qëllim ose artikull të ndryshëm nga ato të specifikuar në propozim, unë duhet personalisht të isha i përgjegjshëm për ato shpenzime. Në këto rrethana, për mua nuk ishte e lehtë që t’ia kaloja buxhetin dikujt tjetër. Ishte e nevojshme që të kisha kontroll të plotë të financave.

Gjatë periudhës kur u shkëmbyen këto komunikime, ekipi drejtues bërthamë shqiptar i projektit ishte në komunikim të vazhdueshëm me të tre zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, të ngarkuar me projektin. Ata më raportonin me besnikëri për mbledhjet. Ndërsa raportet po grumbulloheshin, shihja të zhvillohej një model. Një njoftim ishte pozitiv, ndërkohë që ai që pasonte ishte zhgënjyes. Shumë shpesh, bashkëpunëtorët e mi gëzoheshin pasi u kishin thënë se kishin marrë miratimin për fillimin e trajnimit, por gëzimi nuk zgjaste shumë. Në takimin e radhës, ata ndaloheshin të shkonin më tej, në bazë të ndonjëfarë shfajësimi ose të asnjë fajësimi. Mos ishte kjo, vallë, një taktikë e vonuar?

I vënë në mëdyshje, për gjendjen e krijuar, rishikova të gjitha mesazhet, me qëllim që të shihja nëse mund të zbuloja ndonjë shqetësim të veçantë të shprehur nga autoritetet shqiptare, përveç atij të buxhetit. Një shqetësim i tillë ishte shprehur në një prej mesazheve, i cili shënonte se “projekti nuk është projekt i Institutit”. Si mund të ishte e mundur kjo, kur Instituti ishte një pjesë e projektit që prej fillimit të këtij? Drejtori i Institutit ishte midis zyrtarëve të Ministrisë shqiptare të Arsimit, të cilët kishin udhëtuar për në Seattle, si pjesëmarrës në veprimtarinë e parë të projektit. Shumë prej ideve për projektin e UW-së dolën nga diskutimet, në pjesën më të madhe të të cilave ishin përfshirë anëtarët e Institutit. Dy anëtarë të ekipit drejtues bërthamë ishin anëtarë të Institutit, të emëruar nga Ministria e Arsimit, që të vinin në Shtetet e Bashkuara për një periudhë trajnimi dymujore. Të njëjtët njerëz ishin përfshirë në shkrimin e udhëzuesve të mësuesve. Po ashtu, anëtarët e tjerë të Institutit u përfshinë në shkrimin e udhëzuesve të mësuesve për tri klasat e para në marrëveshjen e bashkëpunimit midis AEDP-së dhe projektit të UW-së. Trajnimi i trajnuesve të mësuesve e kishte bazën në institute dhe koordinohej nga dr. Sinani dhe dr. Fatmira Myteberi, që të dyja anëtare të Institutit. Drejtorët e mëparshëm të Institutit i ndenjën pranë projektit dhe bashkëpunuan me ne në shumë aspekte. Duke marrë parasysh këto fakte, unë nuk e kuptoja dot pse vepronin në këtë mënyrë këta tre zotërinj.

Një shqetësim tjetër, i nënkuptuar nga letra e zotërinjve Marto, Paluka dhe Basha, ishte një dëshirë nga ana e tyre për ta shtrirë trajnimin e mësuesve nga “një numër i vogël specialistësh (grupi me të cilin keni punuar deri tani),- siç pohonin, -në një rrjet kombëtar”. Fatkeqësisht, në këtë pikë, vlerësimi i tyre për projektin ishte gjithashtu i gabuar. Zgjerimi i rrjetit ishte një nga objektivat tona kryesore që me fillimin e projektit të UW-së, shtatë vjet më parë. Nga korriku i 2000-shit, grupi me të cilin po punoja përbëhej nga pak më shumë se dyqind njerëz. Të gjithë këta njerëz ishin shqiptarë dhe të trajnuar mirë si trajnues mësuesish. Të tre zyrtarët e Ministrisë së Arsimit këmbëngulnin që të sillnin njerëz të rinj për të trajnuar mësuesit, edhe pse ne nuk kishin kurrfarë sigurie nëse këta njerëz kishin ndonjë trajnim ose ndonjë përvojë lidhur me ndonjë demokraci të konsoliduar. Ne argumentuam fuqishëm se trajnimi i mësuesve të edukimit qytetar duhej të bëhej nga akademikë dhe nga specialistë shqiptarë, të cilët duhej të ishin të trajnuar mirë për këtë detyrë.

Siç raportohej nëpërmjet njërit prej mesazheve, grupit drejtues iu kërkua, në një pikë, që t’ia dorëzonte leksionet e tij Ministrisë së Arsimit dhe Institutit të Studimeve Pedagogjike, përpara sesa të merrte leje për trajnimin. Kjo ishte e pavend. Censura dhe demokracia nuk shkojnë bashkë. Anëtarët e ekipit nuk pranuan dhe u ndjeva krenar që vepruan kështu. Përgjigjja e tyre ndaj këtij episodi ishte për mua një ndër treguesit më të fuqishëm se demokracia do të konsolidohej përfundimisht në Shqipëri.

Më e pakta, kjo gjendje po na i prishte iluzionet. Nuk kisha ç’bëja tjetër, veçse t’i bëja vetes pyetjen: “Pse po ndodh kjo? Pse do ta miratonte Ministri i Arsimit vazhdimin e projektit dhe më pastaj t’i lejonte njerëzit e tij që të vinin postblloqe? Çfarë është ajo që i shqetëson në të vërtetë? Pse nuk tregohen të hapur me mua? A mos kemi bërë diçka negative, gjatë këtyre shtatë viteve pune në Shqipëri gjë që ua shkatërroi besimin për ne? Pse hedhin fjalë për përfshirjen e trajnuesve që nuk kishin përgatitje specifike për këtë detyrë? Ç’mund të bëjmë tjetër për ta çuar projektin përpara? Pavarësisht këtyre pyetjeve, ne ishim të vendosur të prisnim. Kishin shkuar shumë larg, dhe ishte e rëndë të ndalnin në këtë moment pune. Mbetej shumë për të bërë dhe populli shqiptar e meritonte këtë.

PËRFSHIRJA E DEPARTAMENTIT AMERIKAN TË SHTETIT DHE E AMBASADËS AMERIKANE

Ashtu, i hutuar dhe i zhgënjyer siç isha, vendosa që për këto vështirësi të vija në dijeni njeriun tim kryesor të kontaktit në Departamentin Amerikan të Shtetit, dr. Marie Westbrook, por dhe të kërkoja ndihmën e saj. Ajo vendosi ta diskutonte çështjen me oficeren për kulturën në Ambasadën Amerikane të Tiranës, znj. Deborah Jones, dhe t’i kërkonte asaj këshillë. Gjithashtu, sugjeroi që t’i shkruaja znj. Jones duke i dhënë sa më shumë dokumentacion që të mundja dhe t’ia tregoja sesi qëndronte puna. Dhënia e dokumentacionit ishte e lehtë, por tregimi sesi qëndronin punët ishte i vështirë. E nxita znj. Jones që të përpiqej të ruante integritetin e trajnimit, si fillim, duke e kuptuar se ajo do të bazohej mbi atë çka ishte arritur tashmë. Së dyti, i vura në dukje se trajnimi i mësuesve duhej të kryhej nga ata specialistë dhe akademikë shqiptarë, të cilët ishin kualifikuar tashmë si trajnues. I kujtova se ishin po ata njerëz, të cilët shkruan edhe materialet e programit mësimor të trajnimit. Po ashtu, i vura në dukje se do të ishte e vështirë në këtë pikë që të kishim një hap tjetër nga ana e shqiptarëve që të drejtonin trajnimin e mësuesve. Në këtë kohë, ishte fundi i vitit 2000. Duke shpresuar që çështja të zgjidhej, ne vazhduam të kërkonim zgjatje afati pa kosto për tri kontrata të ndryshme që përkonin pjesërisht.

Më 12 janar 2001, dr. Westbrook raportoi se znj. Jones kishte pasur “një takim shumë frytdhënës në Ministrinë e Arsimit dhe nuk kishte hasur në asnjë problem të veçantë për vazhdimin e trajnimit të mësuesve”. Gjithashtu, znj. Jones ishte takuar veçmas me drejtorin e Institutit, dhe ky i ishte dukur “i hapur” dhe, po ashtu, “bashkëpunues”. Po atë ditë, fola në telefon me znj. Jones, e cila, përveç sa më sipër, sugjeroi që unë të shkoja në Shqipëri së shpejti që t’i vija gjërat në punë. Me ta marrë parasysh sugjerimin, bëra rregullimet për t’u nisur në Tiranë, dhe mbërrita atje më 18 mars të vitit 2001. Edhe dr. Westbrook-u vendosi të ishte në Tiranë po në njëjtën periudhë kohe me mua; ai erdhi të nesërmen.

Pak pas mbërritjes sonë në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit u organizua një takim me të gjitha palët. Në këtë takim mori pjesë edhe ministri Ruka, ambasadori amerikan, zëvendësministri Marto, dr. Westbrook, drejtori i Institutit dhe anëtarët e ekipit bërthamë të projektit të UW-së, gjithashtu edhe unë. Na thanë se z. Paluka ishte jashtë vendit dhe e kishte të pamundur të merrte pjesë. Pas një diskutimi në tavolinë të rrumbullakët, u ra edhe njëherë dakord që të vazhdohej trajnimi i mësuesve, ashtu siç ishte planifikuar në projekt. Ministri Ruka lëshoi një tjetër letër mbështetëse zyrtare që më drejtohej mua, me kopje që i ishin dërguar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe znj. Deborah Jones. Në letër ishte shkruar si vijon: “Ministria e Arsimit e Shqipërisë është me të vërtetë mirënjohëse për rezultatet që kemi pasur me projektin për edukimin qytetar në Shqipëri. Ne shprehim mbështetjen tonë të vazhdueshme nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, për të siguruar që projekti të vazhdojë të ecë përpara”. Duhet të vihet në dukje se dr. Westbrook u shqua në këtë diskutim, po aq sa edhe të tjerët që e pasuan. Ajo ishte e mirinformuar për projektin, e drejtpërdrejtë dhe gjithashtu më e efektshmja në argumentet e saj.

Pas këtij takimi, normalisht mendohej se dramës për këtë çështje i kishte ardhur fundi, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Përpara se të largohesha nga Shqipëria, u takova me z. Basha në Institutin e Studimeve Pedagogjike, ndërsa ai vazhdonte të kërkonte të përfshinte pesëmbëdhjetë trajnues të rinj. Me qëllim që të fitoja mbështetjen e tij, u përpoqa të pranoja rekomandimin e tij, me kusht që fillimisht t’i trajnonim individët që ai do të rekomandonte. Sapo z. Basha ra dakord me këtë, i kërkova ekipit drejtues të përgatiste një plan për trajnimin e këtyre pesëmbëdhjetë trajnuesve të mësuesve dhe t’ia paraqiste z. Basha.

Meqë, siç dukej, gjërat ishin në vendin e duhur për fillimin e trajnimit të mësuesve, bashkë me dr. Westbrook-un vendosa të shkoja në qytetin verior të Shkodrës. Dr. Westbrook-u dëshironte të takohej me një grup profesorësh në Universitetin e Shkodrës, të cilët ishin mjaft aktivë në veprimtaritë demokratizuese. U larguam herët në mëngjes me një makinë ambasade, e cila, për habinë time, ishte e blinduar. Shkodra bënte pjesë në territorin ku opozita ishte e fortë në atë kohë, kështu që të huajt duhej të ishin të kujdesshëm, kur bënin vizita. Patëm një takim të gjatë dhe frytdhënës, dhe mikpritësit tanë që dëshironin të na tregonin mikpritjen e tyre të famshme shkodrane na ftuan të drekonim në një restorant pasdite vonë. Ndërsa ditës po i vinte fundi, shoferi na këshilloi të largoheshim me qëllim që të dilnim nga ajo zonë, përpara se të binte errësira. Ia dolëm. Makina u nga me shpejtësi.

Të nesërmen, u nisëm për në Shtetet e Bashkuara. Pak ditë më vonë, mora një letër nga ekipi që më thoshte se planin për trajnimin e pesëmbëdhjetë trajnuesve të rinj ia kishin dërguar z. Basha. Pak ditë më vonë, z. Basha i informoi ata se nuk po e pranonte planin, për shkak se nuk ishte i përshtatshëm për Institutin. Duke mos ditur se çfarë të bënin, ekipi ia çoi planin z. Paluka, të cilit iu duk i pranueshëm dhe propozoi që ta sillte çështjen në vëmendjen e ministrit. I vënë në dijeni për këtë, vendosa t’i dërgoja një mesazh z. Paluka më 31 maj. Pasi i thashë se kishte munguar në takimin e organizuar në Ministri, e informova që z. Basha nuk e kishte pranuar planin për trajnimin e trajnuesve të rinj. Në të njëjtën kohë, i kërkova ndërhyrjen e tij te z. Basha. Më 5 qershor, z. Paluka raportoi se, pasi kishte kontaktuar me z. Basha, ky i ishte dukur se ishte plotësisht dakord me planin, ashtu siç ia kishin paraqitur. Pas kësaj, u hutova plotësisht. Nuk po dija më se kë dhe çfarë të besoja.

Ndërkohë që negociatat vazhdonin dhe ne ishim në një gjendje pritjeje, një numër njerëzish në Institutin e Studimeve Pedagogjike u pushuan nga puna në fillim të korrikut, për shkak të një mosmarrëveshje me drejtorin e tyre. Pushimi nga puna krijoi tension të konsiderueshëm brenda Institutit dhe tërhoqi vëmendjen e medias. Rreth një javë më vonë, pushuan edhe dr. Sinanin, një anëtare e rëndësishme e Institutit dhe drejtuese e ekipit të trajnimit të mësuesve. Kjo ishte shkatërrimtare për Sinanin, për familjen e saj dhe për të gjithë neve që e vlerësonim dhe e respektonin. Ndërkohë, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në të cilat Partia Socialiste do të qeveriste për një katërvjeçar tjetër. Kjo solli njëfarë ndryshimi për projektin tonë, sepse Ministri i Arsimit humbi vendin në parlament. Në këto rrethana, na duhej të prisnim që në Ministri të krijohej një ekip i ri. Përveç pritjes së ministrit të ri, po prisnim edhe zëvendësministrat e rinj dhe drejtorin e ri në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Gjithashtu, po shpresonim që dr. Sinani të rikthehej në pozicionin e mëparshëm.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.