COVID-19: “Strategji, politika dhe përditësime” nga Leidon Shapo

  • Në një bashkëbisedim me Leidon Shapo, me dy synime: 1. Çfarë mund të bëhet më shumë në Shqipëri në lidhje me strategjinë në luftën kundër COVID-19; 2. Sjelljen e mendimit shkencor, nga një profesionist i fushës (dhe nga data 6 prill 2020, edhe në grupin mbështetës “COVID-19 Hub Response”, në luftën kundër COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar) për tri çështje kryesore: sistemin tonë imunitar, vaksinat e fëmijërisë dhe llojet e maskave që mund të përdorim.
Leidon Shapo

Leidon Shapo ka kryer studimet e larta për Mjekësi, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, Shqipëri. Më pas ka kryer studimet Master në “Shëndet Publik”, pranë “London School of Hygiene and Tropical Medicine”, Londër, Mbretëri Bashkuar. Shapo ka qenë pjesë e grupit të vëzhgimit pranë “Institutit të Shëndetit Publik”, Tiranë, gjatë epidemive të kolerës (1994) dhe poliomielitit (1997-1998), që u përhapën në disa zona të vendit. Nga viti 1998 jeton dhe punon në Londër. Pjesë e karrierës në ishull kanë qenë detyrat si kërkues shkencor, përgjegjës për strategjitë në lidhje me shëndetin publik dhe hartimin e politikave shëndetësore, në disa autoritete lokale londineze. Ka punuar si kërkues shkencor pranë “The London School of Hygiene & Tropical Medicine”, si dhe është angazhuar, në të njëjtin rol, pranë “Primary Care Trusts”, pjesë e “Shërbimit Kombëtar të Shëndetit” në Angli. Në periudhën 2000-2001 ka qenë në Shqipëri, në kuadër të një projekti për studimin e diabetit në popullatë, bashkëpunim me “London School of Hygiene and Tropical Medicine”, financuar nga “Welcome trust”. Aktualisht punon pranë Bashkisë së Southwark (South East London), në Departamentin e Shëndetit Publik, ku drejton programin e integrimit të kujdesit shëndetësor dhe atij social.

  • V. Nathanaili: Z. Shapo, ju keni ndjekur me vëmendje situatën e pandemisë COVID-19 në Shqipëri, si dhe jeni prononcuar për shumë nga mediat vizive të vendit, kombëtare dhe lokale, duke sjellë jo vetëm përvoja dhe ide të çmuara, por duke luajtur edhe një rol pozitiv me frymën e kurajës dhe të besimit që transmetoni. Mund t’i bëni një analizë strategjisë që po përdorin autoritetet në Shqipëri në përballjen me COVID 19? Çfarë do ju propozonit më shumë?

Leidon Shapo: Si specialist i shëndetit publik, megjithëse i përfshirë jo direkt në përgjigjen anti-Covid deri më 5 prill 2020 (në Mbretërinë e Bashkuar, në pararojë gjendet ekipi i mbrojtjes së shëndetit; personalisht, nga data 6 prill 2020, do të jem pjesë e grupit mbështetës “COVID-19 Hub Response”), e kam ndjekur nga afër këtë pandemi, që në fillesë të saj. Jam, padyshim, shumë më i informuar për ecurinë e sëmundjes (përhapjen, rastet/fatalitetet) dhe masat e marra në Mbretërinë e Bashkuar. Por në të njëjtën kohë, kam ndjekur me shqetësim dhe jam informuar edhe për ngjarjet në atdhe, duke e fokusuar vëmendjen në dy faktorë kryesorë: si po ecën kurba dhe masat e marra nga autoritetet.

Duhet të pohoj, fillimisht, se nuk kam në dispozicion gjithë të dhënat që do i jepnin analizës dhe vlerësimit të strategjisë petkun shkencor, kaq të nevojshëm për një rast të tillë, por në vija të përgjithshme mendoj, se në rastin e Shqipërisë, është ndjekur strategjia e duhur. Mendoj, po ashtu, se janë marrë në konsideratë, me objektivitet, mundësitë reale që ka sistemi shëndetësor në vend për t’u përballur me një situatë të këtyre përmasave. Pra, faktori i parë – dhe në këndvështrimin tim themelori –  është niveli, cilësia dhe kapacitetet e sistemit shëndetësor, përfshirë shëndetin publik në vend. 

Më pas do rendisja, mbylljen e shpejtë të kufijve me vendin fqinj, Italinë, që karakterizohej nga një numër tejet i lartë rastesh me infektim COVID-19 dhe përhapjeje të shpejtë në popullatë (sidomos në Veri). Kjo masë u shoqërua me dy të tjera po aq të dobishme: fillimisht karantinimin dhe, menjëherë më pas, edhe ndalimin e hyrje-daljeve të emigrantëve dhe vizitorëve mes dy vendeve – masë e detyrueshme dhe shumë e dobishme, për të cilën gjej rastin të përshëndes kolegët për shpejtësinë e vendimmarrjes.

Si faktor të tretë, përsëri shumë të rëndësishëm, në rrjedhojë logjike të dy të parëve, si dhe të situatës në vend dhe botë, do rendis masat e izolimit të rastit, karantinimit, ndjekjes përmes testimeve (‘gjurmimi’ i rasteve), distancimi social dhe gjithë masat parandaluese që rekomandoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh). Të gjitha bashkë bënë një koktej që po jep rezultat.

Dua të theksoj: Duhet të ndiqen me bindje dhe përgjegjshmëri qytetare masat e izolimit dhe të distancimit social! Janë të vetmet masa dhe më të sigurtat që kemi për momentin, që na ndihmojnë në rrafshimin e kurbës. Në të kundërt, do kemi vetëm përshpejtim të transmetimit të infeksionit dhe gjendje të rënduar (rasti i Shkodrës, raportuar në media datë 5 prill 2020).

Çështja “teste”! Megjithëse kurba epidemike në Shqipëri po ecën në trajektore lineare (jo eksponenciale, si në  Itali, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, ShBA etj.) dhe gjendja duket nën kontroll, kjo pandemi ka nxjerrë në  dritë shumë të panjohura. Për të qenë sa më i sinqertë, dhe korrekt në vlerësimet që po bëj, dua të hap një parantezë: kjo pandemi na ka bërë shpesh të gëlltisim, dhe këtu mund të përfshijë gjithë komunitetin shkencor, edhe ndonjë këshillë a sugjerim që kemi thënë më parë! Në vijim, padyshim që numri i rasteve të rënda që kërkojnë shtrim në spital nuk mund të manipulohet, por gjithsesi, për të ditur përhapjen dhe numrat reale në popullatë, edhe në Shqipëri duhet ndjekur shembulli se si po punohet në vendet e tjera të botës: kërkohen më shumë teste dhe ndjekje rastesh. Në Mbretërinë e Bashkuar janë bërë mbi 167,000 testime. Nga të dhënat, 1 në 5 veta të testuar ka dalë pozitiv për C-19. Në Shqipëri ky raport është diku në 8 deri në 9 testime për të kapur 1 pozitiv! Testi i PCR kërkon kohë dhe stade për të dhënë përgjigje, dhe na tregon nëse personi është i infektuar apo jo. Ndërsa, nëse i ka mbetur imunitet pas kalimit të sëmundjes, këtë e jep testi anti-gen që duhet të fillojë dhe aty së shpejti.

Numri i testeve për 100,000 banorë është një tjetër tregues, se sa teste bëhen dhe çfarë rezultatesh merren.

Së fundmi, duke marrë parasysh masat e marra, kurbën epidemike, modelimin e rasteve (ku jemi në lidhje me fqinjët e tjerë dhe sa larg në distancë kohore kundrejt pikut Italian) mund të përftohet një panoramë më e plotë se si do të eci kjo pandemi dhe kur do mund të themi se duhet të relaksohen masat edhe në Shqipëri.

  • V. Nathanaili: Sa teste në ditë, minimalisht, mendoni se duhet të bëhen në rastin e Shqipërisë, me synimin për të krijuar një kampion, në gjendje të na tregojë jo vetëm hartën e plotë të shpërndarjes, por edhe shpejtësinë e shpërndarjes. Kemi nevojë të kemi një situatë të përgjithshme të situatës, për t’i dhënë një përmasë tjetër karantinimit dhe izolimit.

Leidon Shapo: Testi ka si mjet kryesor “Tamponin naso-faringeal” (shkurt për lexuesin). Numri i testeve të bëra varion nga vendi në vend. Koreja e Jugut ka bërë mbi  4,000 teste për 1 milion banorë; Gjermania, gjithashtu, ka aplikuar modelin ‘test-test-test’ me 70,000 – 80,000 teste/ditë; në Mbretërinë e Bashkuar janë bërë rreth 7500 në ditë (ditët e fundit: 31/03 – 2/04) dhe po shkohet drejt 10,000 teste në ditë, për të kapur 750,000 teste në total në muaj deri në fund të prillit. Targeti është rreth 25 000 teste / ditë në javët në vijim (deri në fund të muajit). Edhe në Shqipëri numri i testeve të realizuara po rritet, bazuar në udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe të vendeve në pararojë të kërkimit e hulumtimit shkencor!

Qasja ‘test-test-test’ nuk duhet kuptuar thjesht si numër, pra sa më shumë aq më mirë! Sigurisht, ka rëndësi edhe numri absolut, sepse na tregon nivelin e prirjes së popullatës, si dhe është faktor sepse përshpejton përgjigjen në masa për ata që rezultojnë pozitivë me COVID-19. Testet na kanë dhënë një mësim: sa më shumë kryejmë, aq më shumë zbulojmë, që do të thotë se panorama e trajektores epidemike dhe projeksionet për ecurinë e saj bëhen më të qarta. E kundërta është përsëri e vërtetë: sa më pak kryhen, aq më shumë mungesa kemi në të dhënat, aq më e vështirë, në mos edhe e pamundur bëhet modeli matematikor i ecurisë dhe, kuptohet, edhe parashikimet. Por duhet pasur parasysh që testi, që na shërben për të parë/detektuar praninë e virusit, ka 30% fallco-negativitet, dhe ka raste që kërkohen më shumë se 1 test për të vënë diagnozën COVID-19 dhe, në rrjedhojë shkon shumë gjatë! 

Ndërkohë, duhet theksuar se më shumë rëndësi ka kombinimi i këtyre testeve (PCR, polymerase chain reaction) me testet anti-gen, për të parë se kush ka krijuar imunitet. Në rastin e Shqipërisë, janë mundësitë reale për të bërë teste të kësaj natyre, po aq sa edhe ndjekja dhe hetimi i rasteve.

Kujdes, hetimi i rasteve nënkupton identifikimin dhe testimin e personave që kanë qenë në kontakt të ngushtë me pacientin që ka dalë pozitiv nga testi, përfshirë fillimisht familjarët dhe, më pas, edhe më gjerë, sa më shumë kontakte. Ky hetim duhet kryer sa më shpejt, që në ditët/javët e para të shenjave klinike.

  • V. Nathanaili: Në rastin e një gripi të zakonshëm stinor, nga raportimet, duket se një rol të rëndësishëm luan sistemi imunitar i yni, si qenie njerëzore: disa njerëz e marrin dhe të tjerë jo, dhe po ashtu, disa vuajnë më pak dhe të tjerë më shumë. Sa i takon sistemit imunitar, kemi arsye të mendojmë, se e njëjta mbrojtje na ndihmon edhe në këtë përballje me COVID-19?

Leidon Shapo: Sistemi ynë imunitar është një dhuratë natyrore, tejet i sofistikuar, dhe që përsoset gjithnjë e më shumë. Ekzistenca jonë ka qenë gjithnjë një bashkëveprim me mjedisin dhe mikroorganizmat që na rrethojnë. Dhe gjithnjë kemi ditur të ecim dhe dalim triumfues nga një fazë në një tjetër të zhvillimit. Komuniteti shkencor ka studiuar dhe kuptuar diferencat që kemi në përgjigjen imunitare ndaj patogjeneve të ndryshëm. Falë këtyre studimeve dhe përpjekjeve mijëvjeçare, mund të pohojmë me siguri për mënyrën se si reagon ky sistem në kategori specifike të popullatës, ndaj viruseve specifikë. Disa nga këto, për shembull moshat e vjetra, personat me probleme shëndetësore kronike, ata që janë nën trajtim për sëmundje të rënda, apo edhe me problemin e dobësimit të imunitetit duhet të  mbrohen më shumë se të tjerët: kjo është këshilla e parë që japin të gjithë mjekët, jo vetëm për gripin sezonal, por e kanë shtrirë edhe për rastin e kësaj  pandemie. Ndërkohë, ky është vetëm hapi i parë, sepse ky virus jo vetëm është ende i panjohur (megjithëse njohuritë po shtohen dita-ditës), por është edhe më i egër se sa pararendësit.

Nga të dhënat, në nivel botëror (për herë të parë kemi paraqitjen e të dhënave për të njëjtën çështje në kohë reale dhe të arritshme për të gjithë) është konstatuar se popullata e shëndetshme, të  paktën baza e piramidës (rastet asimptomatike dhe të lehta) duken se krijojnë mbrojtje. Se çfarë nivele-mbrojtjeje krijohen, dhe sa do jetë kohëzgjatja e kësaj lloj përgjigjeje imunitare, këtë do e tregojë dhe vërtetojë koha dhe kërkimet shkencore, si dhe futja në lojë e testeve anti-gen për të parë përgjigjen imunitare.

  • V. Nathanaili: Në lidhje me maskat? Këshilla praktike? Një shall i zakonshëm (duhet përkufizuar se çfarë është “i zakonshëm”), mendoni se na mbron? Kapuçi? Dorezat e zakonshme të dimrit, vlejnë? Nëse po, si mund t’i kthejmë në shumë-përdorimshme.

Leidon Shapo: Maska N95 ka treguar se është më e efektshmja gjatë kësaj pandemie. Të dhënat nga disa studime tregojnë që virusi ka raste që mund të shpërndahet edhe në një distancë prej 6-8 metra. Maskat e thjeshta mund të përdoren kur shkojmë për të bërë pazar duke ruajtur distancën prej 2 metra. Me shumë pak mundim, gjenden shumë sajte on-line që ofrojnë këshilla praktike se si mund të mbrohemi, përfshirë edhe përgatitjen e një shalli të zakonshëm (brenda pak minutash) për të luajtur rolin e maskës. Gjithsesi, duhet theksuar se këto lloj masash mbrojtëse janë të  pa-testuara dhe duke ditur rezistencën dhe kohën aktive të jetesës së virusit në sipërfaqe të ndryshme, duhet me patjetër të marrim masa sa më të sigurta paraprake (përfshirë edhe ato të higjienës personale që nuk po i përsëri më!) që OBSH publikoi që në fillesat e kësaj pandemie.

  • V. Nathanaili: Një teori, ndër shumë të tjera që po qarkullojnë në rrethet shkencore, është se vaksina kundër TB që shumë vende (veçanërisht ato në Europën Lindore) e kanë pjesë të vaksinimit të detyrueshëm për fëmijët, ka qenë një faktor që ka luajtur rol pozitiv në përballjen me COVID-19. Si kanë përparuar studimet në lidhje me të?

Leidon Shapo: Vaksina e BCG (Bacillus Calmette- Guerin), e njohur botërisht dhe që prej viteve 1967/68 e aplikuar edhe në Shqipëri, si dhe në vende të tjera të Europes, është përdorur në luftën kundër tuberkulozit (TB). Vaksina ka treguar 70 – 80 % efektshmëri në rastet apo format e rënda të TB, siç është meningiti tuberkular tek fëmijët, por është më pak e efektshme në parandalimin e formave respiratore, të cilat janë edhe prezantimet më të shpeshta të TB tek të rriturit.

Para disa ditësh, ka filluar të testohet në disa vende, si një mënyrë e shpejtë (në pritje të vaksinës për COVID-19), për të parë nëse do të japë ndonjë mbrojtje, të paktën për punonjësit e vijës së parë të frontit dhe më pas edhe më gjerë.

Shkencëtarët kanë vënë re, se kjo vaksinë ka treguar shenja se mund të bëjë më shumë se thjesht ngritje imuniteti kundër TB: ajo prevenon vdekjet foshnjore nga shkaqe të ndryshme dhe redukton ndjeshëm incidencën e infeksioneve respiratore. Është një vaksinë që duket se ‘trajnon’ sistemin tonë imunitar, si të njohë dhe përgjigjet më mirë ndaj një vargu infeksionesh, përfshirë viruse dhe bakterie. Në shumë vende kanë filluar të ndërmerren një sërë provash klinike dhe besoj se shumë shpejt, përgjigjet e marra do na japin një ide më të qartë për efektin e saj në luftën ndaj COVID-19. Ndërkohë, duhet pasur në vëmendje që efekti i BCG në TB është afro 60-70% dhe testi i tuberkulinës (Mantoux test) na tregon se sa të mbrojtur jemi. Në bazë të rezultateve të Mantoux – që do të thotë se nëse dilte negative – kjo vaksinë përsëritej në disa mosha në Shqipëri.

  • V. Nathanaili: Faleminderit z. Shapo dhe suksese në misionin tuaj fisnik, që nga nesër merr një përmasë edhe më të shumëfishtë!
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.