COVID-19: Distancimi social, karantinimi dhe izolimi

Si mund ta thyejmë zinxhirin e përhapjes të sëmundjes dhe të kontribuojmë në rrafshimin e kurbës / Disa përkufizime të përgjithshme

Përgatiti Valbona Nathanaili

Mbështetur në artikullin “What is social distancing and how can it slow the spread of COVID-19?” nga Katie Pearce (Lexo këtu: https://hub.jhu.edu/2020/03/13/what-is-social-distancing/)

COVID-19 e ka vënë gjithë botën përpara një sfide të jashtëzakonshme. Numri i njerëzve që kanë humbur jetën pas rënies në kontakt me virusin dhe infektimin prej tij është i papërballueshëm për dhimbjen njerëzore. Ndërsa pritet dalja e vaksinës, mjekimet e propozuara deri tani kanë qenë të ndryshme. Duket se propozimi më i mirë për kurimin e COVID-19, për momentin, është ai që vjen nga “Johns Hopkins University”: përdorimi i plazmës së pacientëve që kanë mundur të shërohen nga COVID-19. Sipas propozimit, kur shëroheni nga një sëmundje, në gjak mbeten antitrupat që e kanë luftuar, një parim që shfrytëzohet edhe në prodhimin e vaksinës. Gjaku që mund të dhurojnë pacientët e shëruar, i cili pas një përpunimi të thjeshtë në laborator reduktohet në plazëm, mund të përdoret si ilaç, jo vetëm për terapi për të sëmurët, por edhe për ata që janë të ekspozuar ndaj saj. Sipas autorëve, është shumë i sigurt – pohojnë – dhe e njëjta strategji është përdorur edhe në Kinë. Në ndihmën kineze për Italinë përfshihen edhe 90 ton plazëm!  (Lexo këtu: https://hub.jhu.edu/2020/03/13/covid-19-antibody-sera-arturo-casadevall/

Ndërkohë, masat kryesore që propozohen për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19 janë distancimi social, larja e duarve, izolimi dhe karantina.

1. Çfarë është distancimi social dhe si mund ta ngadalësojmë shpërndarjen e COVID-19?

Për të ngadalësuar shpërndarjen e COVID-19 inkurajohet praktimi i masës së “distancimit social”.

Çfarë është distancimi social?

Distancimi social është bashkësia e masave që merren në interes të shëndetit të publikut. Distancimi social synon të parandalojë njerëzit e sëmurë të kontaktojnë me njerëzit e shëndetshëm, në funksion të reduktimit të mundësive për shpërndarjen e sëmundjes. Pjesë e këtyre masave janë anulimi i aktiviteteve që kërkojnë pjesëmarrje të grupeve të njerëzve, mbyllja e hapësirave publike, si dhe nxitja e individëve për të shmangur grumbullimet e turmat.

Në këtë periudhë fundmarsi 2020, synimi i distancimit social është ngadalësimi i pandemisë dhe thyerja e zinxhirit të përhapjes së virusit, me synim reduktimin e shansit që infeksionin ta marrin grupet e popullatës me risk të lartë, si dhe të peshës mbi sistemin shëndetësor. Ekspertët e përshkruajnë si “rrafshimi i kurbës”, që referon suksesin e mundshëm që kanë masat e distancimit social për të parandaluar valët e sëmundjes që mund të mbingarkojnë sistemin e kujdesit shëndetësor. Kjo do të thotë më pak njerëz të sëmurë, më pak njerëz që kanë nevojë të hospitalizohen dhe më pak nevojë për ventilatorë!

Si mund të praktikohet distancimi social?

  • 1. Qëndro jashtë mjediseve ku mblidhen njerëz;
  • 2. Shmang grumbullimet;
  • 3. Ruaj një distancë, të paktën 2 metra, sa herë është e mundur;
  • 4. Mos u përqafo, mos puth – kurseji për një kohë të dytë, më të shëndetshme!
  • 5. Mos praktiko përshëndetjen tradicionale me shtrëngim dore;
  • 6. Kujdes kur kollitesh dhe teshtin – mbaj gjithnjë një paketë me shami letre një-përdorimshe.

Qëndro në shtëpi është emëruesi i përbashkët që kemi gjetur për të mirën e gjithsecilit, sepse ndikon në thyerjen e zinxhirit të përhapjes së virusit.

Thënë ndryshe, masat janë apel për të blerë kohë, kohë për vete që të mos sëmuresh, ndërkohë që:

  • mjekësia, në Shqipëri, të përcaktojë protokollin e kujdesit mjekësor në shtëpi për personat që shfaqin simptomat e infektimit me COVID-19;
  • mjekësia përpiqet të zbulojë vaksinën,
  • pandemia vjen duke u reduktuar;
  • ata që kanë më shumë nevojë t’i drejtohen spitalit.  

Mbajtja e distancës prej jo më pak se 2 metra është veçanërisht shumë e rëndësishme kur dikush demonstron shenja sëmundjeje, për shembull kollë, teshtima apo ethe.

Pothuaj gjithë bota ka marrë masa të ngjashme sa i takon distancimit social:

  • Janë mbyllur të gjitha shkollat e sistemit arsimor, përfshirë edhe universitet. Të gjitha institucionet kanë kaluar në sistemin on-line.
  • Në qytete janë anuluar të gjitha aktivitetet sociale, si ato sportive e festive, kulturore e artistike.
  • Janë anuluar konferencat
  • Janë ndërprerë shumë shërbime
Figurë: Rrafshimi i kurbës së shfaqjes së rasteve me COVID-19

2. Larja e duarve dhe si mund ta ngadalësojmë shpërndarjen e COVID-19?

Krahas distancimit social, një masë tjetër e domosdoshme është larja, si duhet, e duarve, për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe të tjerët përreth jush, sepse virusi mund të shpërndahet edhe nga njerëz që nuk shfaqin simptoma.

Mos prit që të të njoftojnë se dikush në komunitetin tuaj është sëmurë! Tregohu i përgjegjshëm dhe merri masat vetë. Ndihmo në thyerjen e shpërndarjes së virusit! Sillu sikur personi që keni përballë e ka virusin!

Sa herë hyni në shtëpi lani duart. Sa herë uleni për të ngrënë apo duhet të prekni ushqime, lani më parë duart. Sa herë ndihmoni një person potencial për ta marrë sëmundjen, veçanërisht moshat e larta dhe me patologji kronike serioze, lani duart!

Sapuni dhe alkooli janë në gjendje të shkatërrojnë këtë lloj virusi.

Virusi transmetohet nëpërmjet kontaktit, ose nëse spërkalat e një të sëmuri që teshtin a kollitet përpara jush iu bien në fytyrë, të cilat mund të depërtojnë lehtësisht në trup nëpërmjet gojës, hundës dhe syve.

Më të rrezikuarit janë: ata që pinë duhan, të sëmurët me zemër dhe diabet, me sistem imunitar të dobësuar apo ata që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, si dhe personat që janë në të 80t.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet serioziteti i situatës. Është shumë e rëndësishme të ndryshojmë mënyrën e të sjellit në këtë periudhë.

Metoda të tjera për të kufizuar shpërndarjen e sëmundjes

3. Izolimi dhe si mund ta ngadalësojmë shpërndarjen e COVID-19?

Izolimi do të thotë veçimi i një personi, ose një personi për të cilin kemi informacion, ose një person për të cilin kemi arsye të besojmë, se është infektuar ose infektues për ata që nuk janë të infektuar, me synim parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Izolimi mund të jetë vullnetar ose i detyruar nga autoritetet e shëndetit publik ose qeveria.

4. Karantina dhe si mund ta ngadalësojmë shpërndarjen e COVID-19?

Karantina, në përgjithësi, kupton ndarjen e një personi ose të një personi që kemi arsye të besojmë se ka qenë i ekspozuar ndaj një sëmundjeje ngjitëse, me synim parandalimin e mundshëm të përhapjes së sëmundjes.

Në rastin e COVID-19 rekomandohet që kjo periudhë të jetë jo më e vogël se 14 ditë, gjatë së cilës monitorohet shfaqja e simptomave.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.