Çmimi Europian i Letërsisë / 2014

Nga Arkiva

Intervistë me Valbona Nathanaili, për Mapo, tetor 2014

  • Ben Blushi fitoi Çmimin Europian të Letërsisë për vitin 2014. Ju keni qenë me të në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, vend ku u akordua çmimi, cili ishte reagimi i tij dhe çfarë mendoni se do të thotë ky çmim si për shkrimtarin, ashtu edhe për botuesin?
Ben Blushi, Fitues i Çmimit Europian të Letërsisë për vitin 2014

Çmimi Europian i Letërsisë për Ben Blushin është dhënë nga Këshilli i Europës dhe një konsorcium i ngritur pranë tij me synim selektimin e autorëve dhe të titujve të tyre, i përbërë nga Françoise Dubruille, EBF (European Booksellers Federation), Myriam Diocaretz, EWC (European Writers’ Council) dhe Anne Bergman-Tahon, FEP (Federation of European Publishers). Lajmërimi zyrtar për fitimin e çmimit na ka ardhur disa muaj më parë. Konkretisht, ka mbërritur zyrtarisht më 14 korrik 2014, me e-mail, nëpërmjet një dokumenti të formuluar shumë ngrohtë, miqësor e frymëzues jo vetëm për autorin. Biseda e parë rreth çmimit me Blushin ka qenë nëpërmjet telefonit. Është e pakët të them që ishte shumë i emocionuar, por nuk e ndanim që në atë kohë me lexuesin pasi dhënia e çmimit shoqërohej edhe me një klauzolë shumë të rëndësishme: zyrtarizimi i çmimit do bëhej në Panairin e Librit në Frankfurt, përndryshe çmimi hiqej dhe vetë Shqipëria mbetej jashtë konkurrimit. Panari i Frankfurtit është gjigand – shumëzoni me një mijë panairin e librit të Tiranës dhe përsëri vetëm sa i afrohemi atij panari. Ajo që të tërheq te Blushi është gërshetimi, në mënyrë të përkryer, i talentit për të shkruar me oratorinë. Për Blushin, “Çmimi është një mundësi shumë e mirë për të komunikuar me lexuesit në një gjuhë tjetër, është një mënyrë më e bukur për të folur në gjuhë të ndryshme” (nga fjala përshëndetëse e tij në Frankfurt). Do shtoja, akoma, përtej modestisë së Blushit, edhe një mundësi e shkëlqyer për të çuar në Europë pjesën më të mirë të kulturës e trashëgimisë sonë. Të tjerat nuk besoj se kanë po kaq rëndësi.

  • Megjithëse është ndoshta edhe herët, a ka patur ndonjë ftesë për përkthim në gjuhë të huaja pas marrjes së çmimit?

Në përgjithësi panairet ndërkombëtare të librit konceptohen krejt ndryshe nga ato që organizohen këtu. Po ndalem në rastin e Frankfurtit meqenëse e marrim si referencë. Pothuaj gjithë javën hyrja në panair ishte vetëm për njerëz që kishin lidhje me librin: krijues, botues, redaktorë, gazetarë, profesionistë për botimin digjital të librit etj. Çdo takim ndërmjet stafeve të shtëpive botuese ishte mbyllur kohë më parë se të fillonte panairi, në bazë të kërkesave dhe interesave të paraqitura. Duke qenë të përgatitur për fitimin e çmimit, prezantimin e veprës së Blushit e kemi bërë pothuaj në të gjitha shtëpitë botuese me të cilat UET Press ka kontakte.

Panairi i librit të Frankfurtit 2014
Në pritje të prezantimit të fituesve të Çmimit Europian të Letërsisë për vitin 2014

 Akoma, faqja ueb e Këshillit të Europës mendoj se është një mbështetje shumë e mirë. Dje kemi mbyllur kontratën e parë për përkthimin e Otello, Arapi i Vlorës të Ben Blushit në maqedonisht. Shtëpia Botuese që ka marrë përsipër botimin është “Antolog”, me qendër në Shkup. Besoj që këto ditë mbyllim edhe një kontratë të dytë, për përkthimin dhe botimin e po këtij titulli në gjuhën bullgare, nga shtëpia botuese “Svetlana Yancheva – Izida” ltd. Këta të fundit shprehën interes edhe për titujt e tjerë të Blushit.

  • Nëse flasim për Blushin e përkthyer para çmimit ku jemi: në sa gjuhë është përkthyer apo është në proces përkthimi?

Përpara fitimit të çmimit kemi pasur vetëm një kontratë për përkthimin e Ben Blushit në finlandisht nga “Botimet Lumi Kustannus”. Bëhet fjalë për librin “Shqipëria”. Sipas botuesve, libri do të dalë së shpejti. Për në proces, mendoj se e kemi krijuar tashmë një ide.

  • A mendoni se Blushi është një shkrimtar i vështirë për t’u përkthyer, d.m.th., a është teksti i tij “miqësor” për përpjekjet e përkthimit?

Blushi dallohet për kulturën e gjerë që shfaqet në librat e tij, për filozofi pothuaj ateiste dhe për larminë e personazheve, por proza e tij vjen rrjedhshëm dhe personazhet shumë shpejt të bëhen të dashur. Shqipja e Blushit është e pastër – flet e shkruan atë standarde. Në këtë aspekt, nëse e njeh shqipen mirë dhe ke kulturë të gjerë, sprovat për përkthimin e Blushit në gjuhët e tjera, shpresoj se do mund të jenë po aq të suksesshme sa edhe në gjuhën që janë shkruar. Por ka vende kur fjalia e tij bëhet e gjatë dhe e komplikuar, si e shumë krijuesve, dhe kërkon mjeshtëri për të kapur të gjitha shtegtimet artistike të autorit. Në këtë drejtim nuk e di nëse do ishte më mirë të përkthehej nga një shqiptar që njeh gjuhën e huaj, apo nga një i huaj që njeh shqipen. Në rastin e Kadaresë ne kemi zgjedhur – dhe të huajt e respektuan zgjedhjen tonë, për t’a shkruar në frëngjisht nga dy shqiptarë: fillimisht Vrioni e, tani, Papavrami. Në një nga bisedat që pata me Blushin dhe bashkëshorten e tij, Etlevën, e cila e shoqëronte në Frankfurt dhe ishte lexuesja e parë e veprës së Blushit, që kur gjendej akoma në laptopin e tij, për përkthimin në italisht propozuan pikërisht një “rregullsi” të tillë.

Por, e rëndësishme është që Blushi është autor shumë i dashur në shqip, që do të thotë se miqtë e tij lexues llogariten me mijëra. Shpresoj që edhe për gjuhët e tjera, falë këtyre mundësive që po krijohen e diskutimeve që po hapen, të ketë të njëjtin rreth miqësor.  

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.